Ndërlidhjet

Për çfarë të bisedojë Prishtina me Beogradin?


Prishtinë

Prishtinë


Çështja e personave të zhdukur, demarkacioni i kufirit, lëvizja e lirë e qytetarëve dhe kthimi i dokumentacionit të grabitur, janë temat, për të cilat mund të bisedohet me Serbinë, thonë përfaqësuesit e lartë të institucioneve të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, thotë se në rast të bisedimeve të reja, autoritetet kosovare do të bisedojnë me zyrtarët serbë vetëm për çështje teknike.

Jakup Krasniqi
“Kemi për çka të bisedojmë, përveç varrezave masive që janë të ditura dhe nuk po hapen në Serbi. Janë të gjitha dokumentacionet kadastrale që janë marrë nga Kosova dhe janë dërguar diku në Serbi. Sigurisht që është edhe çështja e lëvizjes së lirë të qytetarëve Serbi-Kosovë dhe çështja e demarkacionit të kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë”,
thotë për Radion Evropa e Lirë kryeparlamentari Krasniqi.

Edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, thotë se ka shumë çështje, për të cilat Kosova duhet të bisedojë me Serbinë.

“Ka shumë çështje që janë të pazgjidhura në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kemi parasysh CEFTA-n dhe mënyren e njëanshme që është ndërmarrë nga ana e Serbisë lidhur me këtë çëshjte. Kemi parasysh çështjen e të zhdukurve dhe shumë çështje të tjera”, thotë Gjini.

Bisedime të mundshme teknike ndërmjet Prishtinës e Beogradit janë paralajmëruar si nga diplomatë ndërkombëtarë, ashtu edhe nga politikanët e Kosovës, duke thënë se ato mund të nisin pas mendimit që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pritet të japë në lidhje me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

Megjithatë, Krasniqi konsideron se çfarëdo bisedimesh me Beogradin zyrtar, pa relaksimin e raporteve, do të jenë të vështira për të arritur ndonjë marrëveshje.

Bidesimet me Serbinë, edhe në këtë rrafsh, i shoh të vështira. Me Serbinë kemi biseduar në Rambuje dhe nuk është arritur asnjë marrëveshje. Kemi biseduar në Vjenë... gati dy vjet, Serbia, gjatë gjithë kohës, ka futur shumë nga kërkesat e veta dhe nuk e ka pranuar rezultatin e atyre bisedimeve, e as dokumentin përfundimtar të presidentit Ahtisari".

"Kështu që rezultate pozitive në rrugë të bisedimeve me Serbinë, janë të vështira për t'u arritur”,
thotë Krasniqi.

Ardian Gjini
Ardian Gjini, i cili ka qenë pjesë e negociatave të Vjenës, mendon se nuk do të ketë rezultate nga bisedimet e mundshme me Beogradin. Ai thotë se para se të hyhet në këto bisedime, Kosova dhe Qeveria aktuale duhet t’i zgjidhin disa çështje të brendshme.

“Në Rambuje ose në Vjenë, pozicioni negociues i Kosovës ka qenë shumë i fuqishëm, për shkak se kërkesat e Kosovës kanë qenë shumë racionale, të perceptuara në sy të bashkësisë ndërkombëtare. Do të thotë, kemi folur për një pavarësi, e cila ka qenë e pashmangshme".

"Sot, Kosova perceptohet si një shtet, i cili mund të vendosë vetë për disa çështje, mirëpo duhet t’i zgjidhë disa çështje të brendshme. Kjo është ajo në të cilën Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës insiston - që pozicioni negociues i Kosovës të rregullohet brenda. Me këtë sistem të qeverisjes që e kemi në Kosovë, nuk do të nxjerrim diçka thelbësore nga këto negociata”,
thotë Gjini.

Përfaqësues të opozitës dhe analistë kanë rekomanduar Qeverinë dhe institucionet tjera që të përcaktojnë qartë pozicionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë. Ardian Gjini shprehet:

“Nuk guxohet të bisedohet për statusin e Kosovës. Besoj se nuk ka insistim edhe nga qarqet ndërkombëtare diplomatike për këtë çështje. As për territore - mendoj se do të ishte gabim fatal nëse kushdo në Kosovë fillon të mendojë për këtë çështje”.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG