Ndërlidhjet

Senati konfirmoi gjeneralin Petraeus komandant në Afganistan



Senati i Shteteve të Bashkuara sot e konfirmoi zgjedhjen e presidentit Barak Obama për komandant të trupave amerikane dhe të NATO-s në Afganistan.

Gjenerali Dejvid Petraues vjen në vend të gjeneralit Stenli MekKristal, i cili u shkarkua javën e kaluar pasi i kishte kritikuar zyrtarët më të lartë amerikanë në një artikull në revistën “Rolling Stone”.

Të martën, Petraues e paralajmëroi Komitetin për Forcat e Armatosura në Senat se situata e sigurisë në Afganistan është e ndjeshme.

Gjenerali, i cili më herët e pat drejtuar luftën në Irak, tha se ai do t’u përmbahet rregullave të angazhimit, të cilat u kritikuan mjaft për shkak të rritjes së numrit të viktimave në radhët e civilëve në Afganistan.

Sot gjatë një vizite në Uashington, sekretari britanik i Mbrojtjes, Liam Foks, e quajti gjeneralin Petraues "udhëheqës me dhunti", dhe paralajmëroi për viktima të mëtejme të koalicionit në Afganistan.

XS
SM
MD
LG