Ndërlidhjet

Freizer: Për këmbim territoresh, debatohet fshehtas

  • RFE /RL

Sabine Freizer

Sabine Freizer

“Për çështjen e rirregullimit territorial, tash sa vite, diskutohet pas dyerve të mbyllura”, thotë Sabine Freizer, drejtoreshë e GNK-së për Evropën.



RADIO EVROPA E LIRË

Kohëve të fundit, mediat në Prishtinë dhe Beograd kanë aktualizuar konceptet e ndarjes, përkatësisht të këmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kush po i lanson këto ide dhe pse?

SABINE FREIZER
Rreth çështjes së rirregullimit territorial ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, tash sa vjet, diskutohet pas dyerve të mbyllura. Këto diskutime janë të pranishme veçanërisht në Serbi, por fshihen nga opinioni.

Kohëve të fundit, duket se ka interes më të madh, veçanërisht në Beograd, që kjo çështje të hapet dhe që për të të bisedohet kur të fillojnë bisedimet teknike me përfaqësuesit e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Shtypi në Prishtinë, duke iu referuar diplomatëve perëndimorë, ka pohuar se udhëheqja e Serbisë dëshiron që pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të hapë çështjen e këmbimit të territoreve – veriu i Kosovës për komunën e Preshevës. A keni ju njohuri për këtë aspekt?

SABINE FREIZER

Është e sigurt se ekzistojnë qarqe në Serbi që mendojnë në këtë drejtim, por nuk besoj se ata paraqesin shumicën ose dominojnë në qeverinë aktuale.

Në mesin e atyre që kanë këto ide, ka propozime të ndryshme – disa angazhohen që Serbia të marrë veriun e Kosovës si kompensim për njohjen e Kosovës nga ana e Beogradit. Disa të tjerë angazhohen që të bëhet këmbim i territoreve, gjatë të cilit Serbia do të merrte veriun, ndërsa Kosovës do t’i jepej një pjesë e Luginës së Preshevës.

Pra, qarkullojnë skenarë të ndryshëm, për të cilët diskutohet në Beograd dhe ndoshta më pak në Prishtinë, por këto janë vetëm ide të hedhura që qarkullojnë dhe jo ndonjë plan i rrumbullakuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtari serb, Oliver Ivanoviq, u ka deklaruar mediave lokale se Perëndimi, pas disa vitesh, mund të propozojë ndarjen e Kosovës, pasi të ketë kuptuar se çështja e statusit të Kosovës nuk ka zgjidhje. Si e komentoni këtë deklaratë?

SABINE FREIZER
Mund të jetë manovrim politik që topi të bartet nga oborri vetjak në Perëndim dhe kështu të hapet më lehtë hapësira për rrëfimin e ndarjes së Kosovës.

Mbase, kështu arrihet efekti i bartjes së vëmendjes në Perëndim, që më lehtë të thuhet: shihni, Perëndimi ka pranuar idenë e ndarjes dhe tash është radha që edhe ne (Kosova dhe Serbia) ta hapim këtë çështje.

Siç dihet, më herët në Serbi nuk ka pasur disponim për konceptin e rirregullimit territorial, sepse kjo do të thotë se Serbia praktikisht njeh Kosovën si shtet të pavarur.

Ndoshta tash kemi të bëjmë me evoluim në qëndrimet e Beogradit, pra me pajtimin me faktin se Kosova ka shkuar përgjithmonë dhe se ka ardhur koha që të hapet çështja e rirregullimit territorial.

RADIO EVROPA E LIRË
Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe faktorë të tjerë të jashtëm insistojnë që Kosova dhe Serbia të fillojnë bisedimet për çështjet praktike. Si të bëhet kjo?

SABINE FREIZER
Askush nuk kërkon nga Serbia që nesër të njohë Kosovën si shtet të pavarur, por ajo duhet të ballafaqohet me bashkëbiseduesit nga Kosova, me të cilët duhet të bisedojë dhe të bëjë marrëveshje.

Në praktikën ndërkombëtare ka raste, në të cilat dy palët bisedojnë, arrijnë marrëveshje, pa njohur njëra-tjetrën si shtet të pavarur.

Është rasti i Kinës që ka bërë marrëveshje me Tajvanin, pavarësisht faktit që nuk e njeh si shtet të pavarur. Edhe në Qipro, pala turke dhe greke nuk kanë problem të ulen të bisedojnë, ndonëse nuk njihen reciprokisht.

Pra, kjo tregon se Kosova dhe Serbia mund dhe duhet të ulen në tryezën e bisedimeve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG