Ndërlidhjet

Serbët tërheqin nënshkrimet në "rastin Sejdiu"


Presidenti Fatmir Sejdiu

Presidenti Fatmir Sejdiu


Tre deputetë serbë kanë tërhequr nënshkrimet nga kërkesa tashmë e dërguar në Gjykatën Kushtetuese, për të vërtetuar nëse presidenti Sejdiu po e shkel Kushtetutën e Kosovës, duke mbajtur dy poste: atë të presidentit dhe postin e ngrirë të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kërkesa qe inicuar nga deputeti i pavarur Naim Rrustemi, i cili ka thënë se nuk ka konfirmim zyrtar për këtë tërheqje.

Por, vetë njëri nga deputetët serbë, Mihajlo Shqepanoviq, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se bashkë me dy kolegët tjerë serbë, Dragisha Miriq dhe Vlladimir Todorooviq, i kanë tërhequr nënshkrimet.

Ne, edhe si Grup Parlamentar, kemi marrë vendim që këto nënshkrime t’i tërheqim, pasi që nuk duam si serbë, në këto momente, të mbajmë anë. Nëse nuk ka konsensus në mes të partive politike shqiptare për një çështje kaq të rëndësishme, nëse duhet ose jo të dërgohet dikush në gjyq, menduam se është ende herët që ne, si serbë, të jemi ata që vendosim për këtë çështje”, ka thënë Shqepanoviq.

Tërheqja e nënshkrimeve, sipas deputetit Naim Rrustemi, do ta komplikojë situatën.

“Tërheqja, për mua dhe Gjykatën Kushtetuese, hap shumë dilema. Sipas fjalëve të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, në prani të deputetëve në Kuvendin e Kosovës, javën e kaluar, kur unë i jam drejtuar se çka do të thotë nëse dikush tërhiqet pas presioneve të mëdha, ai është deklaruar se, megjithatë, Gjykata Kushtetuese mban të drejtën që të vazhdojë dhe të procedojë me lëndën dhe të tregojë nëse presidenti bën shkelje serioze të Kushtetutës, sepse apriori dihet se deputetët janë të vëmendshëm aty ku e vendosin nënshkrimin. Para se të nënshrkuajnë, kam këkruar nga ta që, në rast se nuk janë të bindur, të mos nënshkruajnë dhe më pas të tërhiqen”, tha Rrustemi.

Deputeti Rrustemi ka hedhur dyshimin se të tre deputetët serbë janë tërhequr për shkak të presionit që mund të këtë ardhur nga Presidenca.

“Disa herë u jam drejtuar se nëse keni ndërmend të tërhiqeni, mos nënshkruani. Pse e kanë bërë atë, vetëm ata mund ta dinë. Por, normalisht kjo i bie se presidenti i Kosovës ka bërë përpjekje makismale që të gjejë dikënd që të tërheqë nënshkrimet, dhe ata i kanë tërhequr”, ka theksuar Rrustemi.

Por, një gjë të tillë e ka mohuar Shqepanoviq.

Presion nuk ka pasur, dhe do të ishte gabim i madh nëse dikush do të tentonte të niste diçka në bazë të presionit. Ne jemi tërhequr dhe me këtë kemi treguar se ndoshta ka ardhur koha që edhe serbët të mund ta ndërrojnë presidentin e Kosoëvs”, ka deklaruar Shqepanoviq.

Neni 23 i Ligjit për Gjykatën Kushtetuese saktëson se Gjykata Kushtetuese do të vendosë për çështjet që i janë referuar në mënyrë ligjore nga ana e
palëve të autorizuara, pavarësisht tërheqjes së palës nga procedura.

Në anën tjetër, partia opozitare, Lidhja Demokratike e Dardanisë, në një konferencë për gazetarë ka thënë se presidenti po e shkel Kushtetutën.

Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Sejdë Tolaj, ka thënë se zoti Sejdiu nuk po i përfill nenet përkatëse të Kushtetutës, sepse, sipas Tolajt, nuk po e përfaqëson unitetin e popullit.

Vetë presidenti Fatmir Sejdiu kishte thënë ditë më parë, se nuk ka dëshmi që vërtetojnë se ai po e shkel Kushtetutën.

Është e drejtë e deputetëve të japin mendimin e tyre, absolutisht... është në Gjykatën Kushtetuese të japë vlerësimin e vet. Unë them se ushtroj funksionalisht rolin, pozitën e presidentit të vendit dhe e kam të pezulluar që të ushtroj atë që më vihet barrë, rolin e kryetarit të LDK-së, në kuptimin efektiv, absolutisht. Prandaj, nuk mund të ketë asnjë dëshmi të drejtpërdrejtë që më vë barrë në këtë aspekt”, ka thënë presidenti Sejdiu.

Në Kushtetutën e Kosovës shkruan se “presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikë së Kosovës” dhe se ai “nuk mund të mbajë asnjë funksion tjetër publik”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG