Ndërlidhjet

Belgjika, kryesuese e BE-së – zgjerimi mbetet synim


Belgjika ka marrë kryesimin e Bashkimit Evropian dhe ka sinjalizuar se do të mbështesë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit perëndimor dhe të Turqisë në BE.

I pyetur se cili do të jetë qëndrimi i Belgjikës si kryesuese e BE-së pas mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, shefi i diplomacisë belge, Steven Vanakere, ka thënë se kjo çështje është e një rëndësie të madhe.

“Ne do të krijojmë klimë, që përmes marrëveshjeve të ministrave të jashtëm të BE-së dhe përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Ketrin Eshton, të manifestohet më shumë logjika e të folurit më një zë”, ka thënë Vanakere.

Por, në Bruksel, një nga temat qendrore ka qenë zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit perëndimor.

Në këtë kontekst, komisionari për zgjerim, Shtefën Fyle, ka tentuar të përgënjeshtrojë bindjet se, për shkak të krizës së brendshme ekonomike, ka kundërshtime lidhur me zgjerimin.

Fyle ka thënë se asgjë nuk dëshmon se zgjerimet e deritashme kanë frenuar përparimin ekonomik të “vendeve të vjetra” anëtare të Bashkimit Evropian.

“Përkundrazi, hyrja e vendeve të reja në radhët e BE-së hap mundësi të reja”, ka thënë Fyle.

Komisionari për zgjerim, Shtefën Fyle, ka konkluduar se zgjerimi i mëtejmë mbetet politikë e përcaktuar qartë ndër prioritetet e kryesisë belge të BE-së.
XS
SM
MD
LG