Ndërlidhjet

logo-print

Thaçi: Serbia vazhdon me mentalitetin e Millosheviqit



Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se presidenti serb, Boris Tadiq, duhet ta njohë Kosovën, nëse do që Serbia të bëhet pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian.

“Çdo njohje është e rëndësishme, por ajo nga Serbia do të ishte posaçërisht e rëndësishme, për t’i dhënë fund kapitullit të errët mes dy vendeve dhe të përqendrohemi në integrimin në NATO dhe BE”, ka thënë Thaçi për javoren beogradase “Nin”.

Ai tha se Serbia nuk po sillet në përputhje me standardet ndërkombëtare për zhvillimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, porse po vazhdon me mentalitetin e Sllobodan Millosheviqit.

I pyetur se çfarë pret nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, kryeministri Thaçi tha se shpreson për një vendim real në përputhje me realitetin e Kosovës, që i hap mundësinë integrimit në NATO e BE dhe bisedimeve për çështje teknike me Serbinë.

Thaçi tha gjithashtu se disa zyrtarë të lartë të Qeverisë serbe i kanë konfirmuar personalisht se Beogradi një ditë do të njohë Kosovën.

Këtë deklaratë të zotit Thaçi, drejtori politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, Borko Stefanoviq, për mediat serbe e ka quajtur “marrëzi”, duke thënë se “është i sigurt që asnjëri nga autoritetet qeveritare nuk do të shkelte Kushtetutën dhe ligjet”.
XS
SM
MD
LG