Ndërlidhjet

Zyrtarët kosovarë - jo këmbimit të territoreve


Ramush Haradinaj (L) dhe Hashim Thaçi
Ramush Haradinaj (L) dhe Hashim Thaçi

Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj sërish kundërshtuan idetë për ndarje të Kosovës apo shkëmbim territoresh me Serbinë.


Ideja e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të jetë shumë e pakëndshme për Kosovën, vlerësuan udhëheqës dhe përfaqësues të lartë politikë në Prishtinë.

Sipas tyre, këto ide burimin e kanë në Serbi, duke pasur parasysh se ky vend nuk mund të shpresojë më në kthimin e Kosovës në kufijtë e dikurshëm, kështu që tash synon kthimin e, të paktën, një pjese, përkatësisht veriut të saj.

Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit Driton Tali se çka do të bisedojnë Prishtina dhe Beogradi gjatë bisedimeve të vjeshtës dhe a do të ketë reciprocitet në raportet ndërmjet statusit të veriut të Kosovës dhe Luginës së Preshevës, kryeministri Thaçi tha se kjo është çështje e mbyllur dhe se bisedimet, sipas tij, do të përfshijnë vetëm nivelin teknik dhe jo atë të negociatave politike.

“Mund të ketë bisedime për çështje praktike edhe me autoritetet e Serbisë, por dua t’ju sqaroj të gjithë juve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës se të gjitha idetë që po prezantohen aty-këtu dhe që krijojnë një huti në opinionin publik, se në asnjë rrethanë nuk do të ketë negociata siç pretendon dikush”,
tha Thaçi.

Ndërkohë, deputeti i pavarur, Driton Tali, insistoi duke përsëritur pyetjen dhe duke thënë se vetë mediat e afërta me Qeverinë Thaçi kanë shkruar se kryeministri i Kosovës dhe ai i Serbisë do t’u prijnë bisedimeve.
Nëse Beogradi kërkon edhe më shumë autonomi për qytetarët serbë në Kosovë... a do të insistoni ju në reciprocitet që të njëjtat të drejta t’i gëzojnë edhe shqiptarët në Serbinë jugore...


Andaj, shtroi pyetjen se sa mund të jenë teknike bisedimet, të cilat do të drejtoheshin në nivel të kryeministrave.

“Nëse Beogradi kërkon edhe më shumë autonomi për qytetarët serbë në Kosovë, me theks të posaçëm tek ata që jetojnë në veri të Kosovës, a do të insistoni ju në reciprocitet që të njëjtat të drejta t’i gëzojnë edhe shqiptarët në Serbinë jugore”,
shtroi pyetjen Tali.


Ngritja e temave të tilla në Parlament, sipas Thaçit, i kontribuon avancimit të ideve të Serbisë për ndarje e shkëmbim territoresh. Kosova, vijoi ai, e ka zgjidhur statusin e saj njëherë e përgjithmonë dhe nuk ka bisedime tjera për statusin apo territorin e saj.
...për Kosovën nuk do të ketë ndarje dhe këtu duhet të përmbyllet ky kapitull, edhe së diskutuari, njëherë e përgjithmonë...


“Idetë që mund të prezantohen aty-këtu, e që mund të përkthehen edhe këtu (në Parlament), nuk janë serioze, nuk janë të përgjegjshme dhe nuk i ndihmojnë askujt, sepse për Kosovën nuk do të ketë ndarje dhe këtu duhet të përmbyllet ky kapitull, edhe së diskutuari, njëherë e përgjithmonë”.

“Nuk është mirë dhe nuk i bëjmë nder, besoni, askujt, nëse hapim tema të tilla diskutimi në Parlament”,
u shpreh Thaçi.

Për temën e bisedimeve të ardhshme Kosovë-Serbi dhe idetë e shkëmbimit të veriut me Luginën e Preshevës, u deklarua edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai tha se Beogradi nuk mund të shpresojë më në kthimin e Kosovës, kështu që synon të shkëpusë të paktën një pjesë të territorit të saj.

Ramush Haradinaj

“Temën e ka nxitur Beogradi. Beogradi i ka dy situata. Kuptohet një e ka për nevoja të brendshme politike, e të dytën e ka aftësimin e vet për BE-në. Në të dyja këto situata është në interes të Beogradit që të ketë bisedime
”, tha Haradinaj.

Haradinaj shtoi se, pavarësisht ideve që mund të jenë në lidhje me bisedimet e ardhshme me Serbinë, Prishtina zyrtare nëse tregohet e vëmendshme nuk ka nevojë të lëshohet në asnjë proces negociues për tema që nuk janë në interesin e saj.


Ndryshe, bisedimet Prishtinë - Beograd janë paralajmëruar se do të pasojnë disa muaj pas mendimit këshillëdhënës që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të japë në lidhje me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.



* * * * *

Nëse në Serbi ekziston ideja për shkëmbimin e territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë, si zgjidhje e problemeve, qeveritarët në Beograd duhet të kenë parasysh se një gjë e tillë nga popullata serbe nuk do të shikohet si shkëmbim territoresh, por si fillim i rishpërbërjes së vetë shtetit të Serbisë, vlerësuan politikanët serbë të Kosovës.

Politikanët serbë reaguan lidhur me idenë e Beogradit për shkëmbimin e territoreve, e cila ditëve të fundit është përfolur në mediat lokale të Kosovës dhe është kundërshtuar nga zyrtarët e institucioneve të larta të Kosovës.

Rada Trajkoviq, politikane serbe nga Graçanica, tha se do të ishte e pakuptueshme që një projekt të tillë ta ofronte Beogradi, i cili, sipas saj, është i papërgatitur, duke pasur parasysh disa pikëpyetje.

Rada Trajkoviq
“A është përgatitur dhe a e di se si dhe ku do t’i pranojë serbët nga enklavat, të cilët nuk do të kenë ardhmëri në diçka që nënkupton kufij në mes të serbëve dhe shqiptarëve”.

“E dyta, a i ka pyetur Beogradi banorët shqiptarë të Preshevës dhe Bujanocit, se a dëshirojnë të jenë pjesë të asaj që nuk është Serbi? Ndoshta (Beogradin) do ta befasonte një referendum, përmes të cilit ata shqiptarë do të dëshironin të ishin pjesë e Serbisë”.

“Ata që e mendojnë idenë e shkëmbimit të territoreve janë duke u sjellë në mënyrë të papërgjegjshme ndaj shqiptarëve në Preshevë dhe Bujanoc, por edhe ndaj serbëve në enklava. A jemi ose nuk jemi ne edhe ata partnerë të natyrshëm, që t’i lusim të gjithë që të na lejojnë të jetojmë aty ku dëshirojmë të jetojmë”,
tha Trajkoviq.

Duke e quajtur idenë për shkëmbimin e territoreve ide të çmendur dhe që duhet të harrohet sa më parë, ajo tha se promovuesit e kësaj ideje duhet të largohen nga skena politike.

Në anën tjetër, Dragisha Kërstoviq, politikan serb në veriun e Kosovës, e vlerësoi si ide të keqe shkëmbimin e territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë, ide të cilën, sipas tij, po e ushqen Beogradi zyrtar.

“E kam dëgjuar Oliver Ivanoviqin, i cili para disa ditësh ka deklaruar se do të ishte mirë që bashkësia ndërkombëtare të dalë me një propozim për ndarjen e Kosovës, për arsye pragmatike. Unë nuk jam i sigurt se çka ka nënkuptuar me këtë dhe sa mund të jetë një propozim i tillë i qëndrueshëm, i mundshëm dhe i pranueshëm”.
Mua më duket se ideja për një shkëmbim eventual të territoreve, nuk është e mirë...



“Mua më duket se ideja për një shkëmbim eventual të territoreve nuk është e mirë”
, tha Kërstoviq, duke shtuar se një gjë e tillë do të hapte rrugën që Serbia dhe Kosova ta ndërrojnë konceptin e tyre të shteteve, nga ai qytetar në atë nacional.

Një gjë e tillë, sipas Kërstoviqit, do të krijonte pasoja shumë të mëdha për serbët që jetojnë në enklava nëpër Kosovë.

“Kjo çështje dihet dhe për këtë gjë nuk nevojitet të jesh shumë i mençur politikisht. Përfundimisht, kjo do të ishte zgjidhja më e keqe për atë pjesë të popullatës”,
theksoi Kërstoviq.

Ndërkaq, edhe Trajkoviq pohon se shkëmbimi eventual i territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të hapte rrugën e krijimit të shteteve nacionale.

“Kjo është një qasje për zgjidhjen e problemit në mënyrën si janë zgjidhur ato në shekullin XIX në Evropë. Ne të gjithë e kemi tërësisht të qartë se diçka e tillë nuk është projekt i shekullit XIX. Ky është një projekt reaksionar me përbërje të tilla mono-etnike”.

“Kjo, në fakt, është uverturë për ndarjen e mëtutjeshme të Serbisë. Ju po e shihni se sa po përmendet kjo ndarje e territorit në Beograd dhe edhe zotin Zukurliq po bëhet gjithnjë e më i zëshëm. Kjo nënkupton që çështjet territoriale, sipas këtij principi, do të hapen edhe në vendet tjera, për shembull, në Sanxhak dhe kjo është më se e qartë”
, përfundoi Trajkoviq.
XS
SM
MD
LG