Ndërlidhjet

logo-print

Presidenca belge, nuk priten risi

  • Augustin Palokaj

Mbretëria e Belgjikës ka marrë përsipër kryesimin rotativ të BE-së për gjashtë muajt e ardhshëm.

Mbretëria e Belgjikës prej sot ka marrë përsipër kryesimin rotativ të Bashkimit Evropian për gjashtë muajt e ardhshëm, pra deri në fund të këtij viti.

Siç kanë paralajmëruar edhe kryeministri i Belgjikës, Leterme, por edhe ministrat e Qeverisë së Belgjikës, fakti se kjo qeveri është teknike dhe janë zhvilluar zgjedhjet në Belgjikë, nuk do ta pengojë zhvillimin normal të presidencës së radhës së BE-së.

Leterme ka thënë se kushdo që të jetë në krye të Qeverisë së Belgjikës, në këta gjashtë muaj, Belgjika do ta kryejë profesionalisht detyrën e saj si kryesuese e radhës e Bashkimit Evropian.

Sa i përket procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, Belgjika ka paralajmëruar se do të vazhdojë ky proces edhe me vendet kandidate, siç janë Kroacia dhe Turqia, por dyert do të mbeten të hapura edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat do t’i përmbushin kriteret, qoftë për të nisur negociatat, apo për t’u afruar më shumë në procesin e tyre të integrimeve në BE.

Mirëpo, siç kanë paralajmëruar nga Qeveria e Belgjikës, kjo presidencë nuk do të marrë për obligim për kurrfarë afatesh në procesin e zgjerimit të BE-së.
Gjithçka do të varet nga përparimi në përmbushjen e kritereve nga vetë këto vende.

Ballkani Perëndimor do të vazhdojë të jetë në suazat e prioriteteve edhe gjatë presidencës së Belgjikës, edhe pse, siç kanë paralajmëruar shumë ministra belgë, me këtë çështje do të merren edhe institucionet e reja në Bashkimin Evropian, që janë krijuar në bazë të Traktatit të Lisbonës.

Sipas zyrtarëve belgë, Kosova do të jetë po ashtu temë ballkanike, me të cilën do të merren me shumë kujdes, pasi që pritet që gjatë presidencës belge të dalë edhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth legalitetit të statusit të Kosovës.

Mirëpo, siç thonë në kryesuesin e radhës së Belgjikës, kësaj (Belgjikës) nuk i takon të flasë në emër të të gjitha shteteve, sa i përket kësaj çështjeje, pasi që BE-ja tashmë ka përfaqësuesen e lartë, e cila duhet të ndihmojë që Bashkimi Evropian në politikën e jashtme të flasë për një zë.

Po ashtu, sa i përket vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit, siç janë Shqipëria, Mali i Zi dhe disa vende tjera, Belgjika ka thënë se do të pritet se çfarë mendimi do të japë Komisioni lidhur me aspiratat e tyre për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG