Ndërlidhjet

Limaj: Nuk do të jap dorëheqje


Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, përsëriti se nuk do të japë dorëheqje, për shkak të hetimeve për korrupsion, që po zhvillohen në ministrinë që ai drejton nga ana e EULEX-it.

Limaj tha se është i gatshëm që të përballet me çfarëdo hetimi kundrejt tij, por sugjeroi që me këto hetime të merren prokurorët e Kosovës.

Në një konferencë për gazetarë, ku paraqiti raportin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, ministri Limaj tha se do të vazhdojë të punojë për të mirën e këtij vendi dhe se gjyqtarët më të mirë të punës së tij, siç tha ai, do të jenë qytetarët e Kosovës.

"Ata ma vlerësojnë punën time dhe të Ministrisë që drejtoj", u shpreh Limaj.

Ministri Limaj theksoi se raporti i Auditorit të Përgjithshëm në këtë ministri, për vitin 2009, nuk ka gjetur thuajse asnjë parregullsi financiare.

"Në një vend tjetër, do të duhej që ministria, e cila ka punuar në këtë mënyrë, të merrte mirënjohje", u shpreh ai.

Dy muaj më parë, EULEX-i bastisi zyrat e Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit nën dyshimet për korrupsion.

Kryeprokurori i EULEX-it, Johanes Van Wreesvijk, ka pohuar se bëhet fjalë për hetime në tenderët për ndërtimin e rrugëve, ndërsa keqpërdorimet, sipas tij, kapin shumën prej disa miliona eurove. Deri më tash, askush nuk është arrestuar në lidhje me këto dyshime.
XS
SM
MD
LG