Ndërlidhjet

Një mëngjes korriku që zgjati 40 vjet


Kënga "Mëngjes korriku" ishte krijuar nga kitaristi Ken Henslei, derisa po udhëtonte me autobus, për t'u bërë himn për miliona dashamirës të muzikës rok...
Kënga "Mëngjes korriku" ishte krijuar nga kitaristi Ken Henslei, derisa po udhëtonte me autobus, për t'u bërë himn për miliona dashamirës të muzikës rok...

Kur Ken Henslei, kitaristi i grupit britanik të rokut “Uriah Hip”, mori kitarën për të vrarë kohën gjatë udhëtimit me autobus një ditë korriku të vitit 1971, as nuk e mendonte se ajo që do të vinte më pas, do t’ia ndryshonte jetën.

Kënga që doli nga improvizimi në autobus nuk i mbijetoi thjesht kohës, por u shndërrua në himn për miliona dashamirës të muzikës rok përtej perdes së hekurt.

“Kënga ‘Mëngjes korriku’ më kujtohet shumë mirë. Mora në dorë kitarën akustike dhe po sillesha vërdallë. Ishte vërtet mëngjes korriku dhe unë nisa të shkruaja: ‘Atje isha në një mëngjes korriku’. Kështu vazhdova të luaja në kitarë e të shkruaja”.

“Natyrisht, nuk doja të shkruaja atje isha në një mëngjes korriku ulur në autobus pasi nuk ishte romantike. Kështu pjesa tjetër e këngës ishte fryt i imagjinatës sime”,
kujton Hanslei.

Pas kësaj iu desh vetëm një ditë punë në studio atij dhe shokëve të grupit që ta regjistronin këngën. Në album ata futën regjistrimin e parë të bërë në studio.

Dalja në treg e këngës “Julz morning” dhe albumit “Look at yourself” në vitin 1971 shënon një pikë të rëndësishme në krijimet e grupit rok “Uriah Hip”.

Grupi në atë kohë ishte i njohur në Britani dhe në Evropë, por ky album i vuri edhe në hartën muzikore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Por, habia më e madhe ishte fakti që albumi fitoi famë edhe pas perdes së hekurt.

Rok-grupi "Uriah Hip”

Artemi Trocki, kritik i njohur i muzikës rok në Rusi, e krahason grupin “Uriah Hip” me “Deep Purple”, kënga e të cilëve “Smoke on the ëater” ishte bërë kult në ish-Bashkimin Sovjetik.

Të dyja këto grupe, thotë ai, tingëllonin krejtësisht ndryshe në vitet ’70 e ’80, kur rusët kishin shumë pak qasje te muzika perëndimore.

“Ata kishin një zë impresionues, kitara ishte virtuoze, tastierat dhe harmonia e vokaleve i jepnin një tingëllimë të jashtëzakonshme në atë kohë”
, tregon Trocki.

Ai shton se muzika e këtij grupi nuk ishte e huaj për rusët.

“Sado e çuditshme që dukej, ‘Uriah Hip’ luante një muzikë rok shumë melankolike. Është kjo lloj harmonie e lehtë që është e afërt për rusët”,
thekson Trociki.

Grupet vendase nisën të imitojnë “Uriah Hipin”. Një prej këngëtarëve rok të të kohës, Sergei Skaçkov, kujton:

“Ka pasur klube ku nuk ishte e detyrueshme të kërkojë miratimin e programit nga partia. Ishte për të qeshur teksa shikoje njerëzit që përlesheshin në përpjekje për të kërcyer atë muzikë”,
thotë Skaçkov.

Por, duket se adhuruesit e grupit anglez të rokut “Uriah Hip” nuk ishin vetëm në Rusi. Në Bullgari duket se ata ishin më të shumtë. Thuajse për katër dekada adhuruesit e muzikës së “Uriah Hipit” në Bullgari çdo mëngjes të 1 korrikut janë mbledhur në bregdetin e Detit të Zi duke kënduar “Julz morning”.

“Është magjepsëse se si për 35 vjet kaq shumë njerëz në Bullgari e kanë pritur lindjen e diellit më 1 korrik pikërisht duke kënduar këngën ‘Julz morning’
” , sjell ndërmend për Radion Evropa e Lirë, Georgi Marholev, këngëtar roku nga Bullgaria.

Henslei, nga ana tjetër, thotë se as në ëndrrat e tij më të guximshme nuk e kishte menduar se kënga e krijuar në autobus do të mbijetonte për gjenerata të tëra pas perdes së hekurt.(i.b.)
XS
SM
MD
LG