Ndërlidhjet

logo-print

Shpërthim në Mitrovicë, një i vrarë


Mitrovicë (Foto nga arkivi)

Mitrovicë (Foto nga arkivi)

Presidenti dhe kryeministri i Kosovës kanë dënuar shpërthimin në veri të Mitrovicës, me ç’rast humbi jetën mjeku boshnjak, Mesud Gjekoviq, dhe u lënduan 11 persona të përkatësisë etnike serbe.

Shpërthimi ndodhi ndërsa mbi një mijë serbë po protestonin kundër hapjes së Zyrës për Regjistrim Civil në Lagjen e Boshnjakëve.

Përmes një komunikate për media, presidenti Fatmir Sejdiu kërkoi nga organet vendore dhe ndërkombëtare të rendit që ta ndriçojnë këtë rast dhe fajtorët t’i nxjerrin para drejtësisë.
Vlerësojmë se aktet e dhunshme si ky i sotmi, janë tërësisht të papranueshme.

“Institucionet e Republikës së Kosovës janë thellësisht të përkushtuara për krijimin e një mjedisi paqësor, stabil dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit, pa dallim etnie e besimi. Prandaj, vlerësojmë se aktet e dhunshme si ky i sotmi, janë tërësisht të papranueshme”, tha presidenti Sejdiu.

Kryeministri i Kosovës i shprehu ngushëllime familjes së të ndjerit, ndërsa kërkoi nga organet e rendit që t'i ndriçojnë rrethanat e rastit. Ai ftoi qytetarët që të përmbahen nga veprimet e dhunshme, ndërsa siguroi se institucionet janë të përkushtuara për rend dhe ligj.
Situatën nuk mund ta përcaktojnë grupet ekstremiste apo radikale, por ligjshmëria.

“Situatën nuk mund ta përcaktojnë grupet ekstremiste apo radikale, por ligjshmëria. Dhe, në këtë drejtim, jemi të vendosur makismalisht dhe nuk do të ketë kthim mbrapa për asnjë milimetër”, tha Thaçi.

Në përgjigje të kritikave të liderëve të Beogardit, të cilët e kanë quajtur shpërthimin provokim për Serbinë, Thaçi kërkoi distancimin e këtyre liderëve nga grupet radikale.

“Mesazhi im për presidentin e Serbisë është që të distancohet nga grupet ekstremiste dhe radikale, si dhe të mbështeturit e tyre”, tha Thaçi.

Policia e Kosovës njoftoi se, aktualisht, situata e sigurisë në veriun e Mitrovicës është e qetë. Ndërkohë, zëvendësdrejtori i polcisë për rajonin e Mitrovicës, Ergin Mediq, shpjegoi rrethanat e shpërthimit të sotëm.

“Sot, në orën 9:45, në veri të Mitrovicës ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm, në rrugën Luja Braja. Si pasojë e shëprthimit, 12 persona kanë marrë lëndime trupore dhe fatkeqësisht njëri nga ta ka ndërruar jetë. Të tjerët janë dërguar në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës".


"Situata e sigurisë në Mitrovicë është stabile dhe nën kontrollin e Policisë së Kosovës dhe të njësive speciale të EULEX-it. Domethënë, aktualisht është qetë dhe nuk ka kurrfarë incidenti. Hetimet në lidhje me këtë janë duke vazhduar”, tha Ergin Mediq.

Drejtori i Qendrës Shëndetësore në veri të Mitrovicës, Milan Jakovleviq, tha se, me gjithë përpjekjet, mjekët nuk kanë mundur t’i shëptojnë jetën kolegut të tyre, Gjekoviq, banor i Lagjes së Boshnjakëve.

Njëmbëdhjetë janë të lënduar lehtë, ndërsa fatkeqësisht një mjek, Mesud Gjekoviq, ka pasur lëndime të rënda trupore, lëndime në krahëror, në zemër, mushkëri... dy orë pas plagosjes, ai ka ndërruar jetë. Të tjerët janë në gjendje stabile”, tha Jakovleviq.

Policia beson se mjeti shpërthyes mund të ketë qenë një granatë dore e llojit ende të pakonfirmuar, e cila ka shpërthyer nën rrethana ende të panjohura.

Zëdhënësi Hoti shpjegoi se hetimet po zhvillohen nga Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it.

“Absolutisht, deri në këto momente, nuk kemi informacione për ndonjë kryes të mundshëm të këtij akti, apo për përkatësinë etnike të personave të lënduar”, tha ai.

Shpërthimi që mori jetën e një personi, ka pasuar një protestë të mbi një mijë serbëve, që u tubuan në orën 8:30, për të kundërshtuar hapjen e Zyrës së Regjistrimit Civil nga ana e Qeverisë së Kosovës, në Lagjen multietnike të Boshnjakëve.

Rreth tre mijë serbë, sipas Policisë së Kosovës, kanë mbajtur edhe një protestë tjetër pas shpërthimit, në pjesën veriore të qytetit, por ajo ka kaluar pa incidente.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës e cilësoi si një hap të rëndësishëm fillimin e punës së Zyrës për Regjistrim Civil në Lagjen e Boshnjakëve. Ai siguroi se zyra është në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie.

Kryeministri Thaçi paralajmëroi funksionalizimin e shpejtë edhe të gjykatave, që gjenden në pjesën veriore të qytetit të ndarë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG