Ndërlidhjet

logo-print

Guardian: “Spiunët rusë – komploti thellohet”


Takimi i kerëve të Rusisë pas arrestimit të spiunëve rusë.

Takimi i kerëve të Rusisë pas arrestimit të spiunëve rusë.

“Guardian”

Gazetat ruse janë të mbushura me lajme rreth sagës së spiunëve rusë, të arrestuar në Shtetet e Bashkuara. Të gjithë bien dakord se, padyshim, që do të ketë spiunë rusë në SHBA, ashtu siç ka spiunë amerikanë në Rusi.

Shumica gjithashtu bien dakord se shërbimet amerikane të zbulimit kishin nevojë që skandali të ndodhte pikërisht tani, menjëherë pas takimit të dy presidentëve, të cilët folën për fillimin e ri në raportet mes dy vendeve.

Natyrisht, dikush në CIA apo në FBI, agjencitë amerikane të zbulimit, del jashtë loje nga një hap i tillë. Të gjithë janë pa fjalë nga mungesa e profesionalizmit. Por, konsensusi duket se përfundon në këtë pikë.

Shtrohet pyetja - profesionalizmi i kujt? Sipas Minsitrisë së Jashtme ruse, të gjithë të arrestuarit janë “qytetarë rusë”, që “nuk kanë bërë asgjë kundër interesave të SHBA-ve”.

Deri tani, ky ka qenë qëndrimi zyrtar. Komentatorët rusë flasin për mungesën e profesionalizmit të shërbimeve amerikane të zbulimit, që e kanë gatuar kaq keq këtë histori, sa akuzat tingëllojnë kundërthënëse.

Shërbimi rus i zbulimit.
Përfaqësuesit e komunitetit të agjentëve rusë, asnjë prej të cilëve nuk është aktiv, për gazetat ruse thonë se disa nga akuzat janë thjesht qesharake, e duken si të nxjerra nga ndonjë roman i vjetëruar spiunazhi. Për shembull, kujt i duhet apo kush përdor alfabetin Mors sot?

Por, ka edhe shumë komente që lidhen me mungesën e profesionalizmit në mesin e shërbimeve ruse të zbulimit. Këto të fundit janë përfshirë në shumë skandale në të shkuarën e afërt.

Vrasja e Aleksandër Litvinjenkos në Londër dhe e udhëheqësit çeçen, Slim Jamadajev, në Dubai, ishin bërë kaq pa kujdes sa hetimet u drejtuan menjëherë te shërbimet sekrete ruse.

Ngjashëm është edhe rasti me katër agjentët rusë, të kapur në Gjeorgji. Ata, hapur, shpërndanin para për opozitën, pa marrë asnjë masë mbrojtëse.

Takimet dhe telefonatat, ata i organizonin përmes telefonave të tyre të zakonshëm mobilë dhe bisedat me palët bëheshin krejt hapur në hotelin ku qëndronin. Shumë pyesin se çfarë ka ndodhur e ku kanë mbetur agjentët e maskuar të KGB-së së kohës së Stalinit?

Julia Latinina, një gazetare e njohur për qëndrimet liberale, mendon se korrupsioni që ka hyrë në të gjitha poret e shoqërisë ruse, nuk ka kursyer as Shërbimin e Zbulimit.

Ajo fajëson për dështimet nxitimin për t’u dekoruar, për karrierë apo për para. Sa më i gjerë rrethi i agjentëve, aq më i madh do të jetë edhe operacioni, që do të thotë edhe vende më të mira pune e më shumë dekorata.

Shumëkush do të habitej me detyrat e pakuptimta që shpesh iu jepen agjentëve rusë, thotë një komentator tjetër. Nëse jeni në ambasadën ruse në Uashington dhe dërgoni një paketë informacionesh mbi poliitkën e jashtme amerikane, të mbledhura në internet, askush nuk do t’ju vërë veshin.

Por, nëse dërgoni të njëjtat informacione me shënimin ‘të ardhura nga një agjent’ dhe me mbishkrimin ‘shumë sekret’, padyshim që do të merrni një post më të mirë.

Me gjithë këto shpjegime, pyetja mbetet: Kush përfiton nga skandali?

Ata që mbështesin luftën në administratën amerikane, do të përgjigjeshin në Rusi. Por, të tjerë dyshojnë për një komplot më të thellë, nga i cili, në të vërtetë, do të përfitonte ai grup në Rusi që mbështet variantet e luftës. Ata nuk e pëlqejnë politikën e fillimit të ri, të nisur nga presidentët.

Tek e fundit, SHBA-të vazhdojnë të renditen në dokumentet më të reja të sigurisë ruse, si kundërshtari kryesor dhe burimi kyç i kërcënimeve të sigurisë për Rusinë.

Në këto kushte, shumë komentatorë në Rusi pyesin: a nuk është e mundur që pasi kanë dështuar të kapin agjentët amerikanë në Rusi, pasi nuk arritën të bllokonin procesin e fillimit të ri mes dy vendeve, kryespiunët rusë vendosën t’u dorëzojnë kolegëve të tyre amerikanë disa që duken si spiunë, por që në realitet nuk janë fare profesionistë të fushës.

Ndryshe, si mund të shpjegohen instruksionet e çuditshme që iu janë dhënë!? Mos skandali i fundit është përpjekje e shërbimeve ruse të heqin vëmendjen e amerikanëve nga diçka më e madhe, që po përpiqen të arrijnë në territorin e SHBA-ve? Po kështu, a mund të jetë rastësi se asnjë nga të akuzuarit nuk ka lidhje me industrinë e teknologjisë në SHBA?

Kjo është ajo për të cilën më së shumti ka nevojë Rusia. Është e gabuar të thuhet, siç pretendojnë disa, se është bërë e panevojshme të vidhen sekrete të tilla, pasi Rusia është aq pas nga pikëpamja teknologjike, sa nuk do të ishte në gjendje as t’i përdorte.

Të përdorshme apo jo janë pikërisht këto sekrete që rrisin dyshimet e Rusisë dhe në thelb të çështjes mund të jetë diçka që ka lidhje me këto çështje.

Mund të jetë ndryshe vetëm, siç thotë një agjent veteran rus, nëse ata duhet të shkonin deri në krye të strukturave amerikane, deri në vetë Departamentitn e Shtetit. Padyshim, kjo është nostalgji e KGB-së së kohës së Stalinit. (i.b.)
XS
SM
MD
LG