Ndërlidhjet

Buçkovski: Ndarja e Kosovës, dëshirë e Serbisë


Vllado Buçkovski
Vllado Buçkovski
Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Tahir Hani, potencon se çdo imponim i zgjidhjeve që nuk është konform rrethanave reale në Ballkan, do të ketë reflektim edhe jashtë Kosovës.

Ai thekson se për çdo vendim janë institucionet legale të Kosovës ato që duhet të vendosin. Në të kundërten, Ballkanit, sipas tij, “do t`i ndizej fitili i barutit”.

“Ne respektojmë të gjitha vendimet e faktorit politik shqiptar në Kosovë, pra institucioneve legjitime dhe personaliteteve të zgjedhura legjitimisht në Kosovë. Idetë e tilla janë të tejkaluara dhe ne si BDI mendojmë se realizimi i këtyre ideve, do të ketë refleksione negative në Maqedoni dhe rajon”, thekson Hani.

Të njëjtin mendim shpreh dhe kolegu i tij nga opozita shqiptare. Abedin Zymberi, nga Demokracia e Re, thotë se “çdo shkëmbim i territoreve, që planifikojnë qarqe të ndryshme, do të shkaktojë probleme të mëdha në rajon e më gjerë”.

“Këmbimi i teritoreve, siç ka planifikuar pala serbe, është shumë i rrezikshëm për Ballkanin, veçanërisht për Maqedoninë. Vetë tentimi për shkëputjen e territoreve nga Kosova, do të na sjellë në një situatë, ku do të lindin dhe shumë probleme të tjera”.

“Serbia s’ka ç`kërkon nga Kosova, pos që ajo duhet t’ia kthejë pjesët që ia ka marrë. Serbia gjithmonë ka qënë okupatore e trojeve shqipatre”,
thotë Zymberi.

Nga ana tjetër, ish-kryeministri i Maqedonisë, Vllado Buçkovski, thotë se Maqedonia mund të shërbejë si monedhë për kusuritje, në rast të realizimit të idesë për shkëmbim të territoreve.

Andaj, vlerëson ai, vetëm anëtarësimi i shpejtë i Maqedonisë në NATO mund t’i parandalojë efektet negative të skenarëve të këtillë.

“Një ide e tillë negativisht do të reflektohet në Maqedoni. Maqedonia mund të shërbejë si monedhë për kusuritje në një variant të tillë eventual, i cili nuk duhet të përjashtohet, edhe pse, për momentin, është vetëm një dëshirë e Serbisë”, thotë Buçkovski.

Për këtë arsye, shton ai, kryeministri Nikolla Gruevski duhet të jetë i vetëdijshëm se në këtë moment, prioritet i Maqedonisë është anëtarësimi në NATO, që të parandalohen të gjithë skenarët e mundshëm.

“Qeveria e Maqedonisë duhet t’i ketë parasysh të gjitha kalkulimet, para se të sillet vendimi i Gjykatës se Hagës, sa i përket parashtresës së Beogradit për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës, duke përpunuar të gjithë skenarët e mundshëm, ngase zaret janë hedhur”, shprehet Vllado Buçkovski, ish-kryeministër i Maqedonisë.
XS
SM
MD
LG