Ndërlidhjet

Reduktimet e KFOR-it, varësisht situatës së sigurisë


Paqeruajtës të KFOR-it

Paqeruajtës të KFOR-it

Numri i trupave të KFOR-it në Kosovë do të përcaktohet varësisht vlerësimeve të situatës politike dhe asaj të sigurisë, është thënë sot në një debat të organizuar nga Klubi për Politikë të Jashtme, me temën "Shkurtimet e KFOR-it dhe ndikimi në gjendjen në Kosovë". Komandanti i KFOR-it, Barkus Bentler, ka deklaruar se këto shkurtime nuk paraqesin ndonjë rrezik për sigurinë në Kosovë.



Shkurtimi i trupave të KFOR-it nuk paraqet rrezik për paqen dhe sigurinë në Kosovë, ka deklaruar komandanti i kësaj force shumëkombëshe, Markus Bentler.

Pikëpamje të ngjashme kanë prezantuar edhe përfaqësues të Qeverisë, përderisa ekspertë të fushave të sigurisë i kanë sugjeruar NATO-s që të mos shpejtojë me shkurtime të reja të trupave në Kosovë.

Deklarata të tilla u bënë gjatë një debati të organizuar nga Klubi për Politikë të Jashtme, me temën “Shkurtimi i trupave të KFOR-it dhe ndikimi në gjendjen e sigurisë në Kosovë”.

Gjenerali gjerman, Bentler, tha se për 11 vjet, KFOR-i ka arritur të garantojë paqe e siguri në Kosovë, përderisa sfidat mbesin ende në veri të vendit.

Ndërsa trupat e KFOR-it po reduktojnë numrin në Kosovë, misioni i EULEX-it ka bërë të ditur se në asnjë mënyrë nuk mund të konkludohet se forca e NATO-s mund të zëvendësohet me misionin për sundim të ligjit të BE-së – EULEX.

“Roli i EULEX-it është që të ndihmojë Kosovën në menaxhimin e procesit të ndryshimeve që po ndodhin. Marrim si shembull sundimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit - këto nuk janë çështje ushtarake, por i përkasin policisë“, tha Roj Riv, zëvendësshef i misionit të EULEX-it.

Por, shtoi ai, për shkak të gjendjes në veri, EULEX-i, në atë pjesë, ka edhe kompetenca ekzekutive, marrë parasysh pamundësinë e institucioneve të Kosovës që të shtrijnë sundimin e rendit dhe ligjit atje.

Reduktimi i trupave të KFOR-it u vlerësua si një shenjë pozitive për gjendjen në Kosovë nga ana e zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi.

“Roli i KFOR-it në Kosovë ka qenë dhe mbetet ekzistencial edhe sot e kësaj dite, por direkt, do të thosha, ka ndikuar edhe në qetësimin e rajonit në tërësi”.

“Ndoshta, fillimi i reduktimit të forcave të KFOR-it nuk ka qenë mirë i sqaruar përballë opinionit publik, por, më pastaj, është paraparë si reduktim në përputhje me përmirësimin e gjendjes së sigurisë dhe rritjen e kapaciteteve tona në sferën e sigurisë”,
tha Kuçi.

Më pas, në debat është ndërlidhur edhe kryetari i Klubit për Politikë të Jashtme, Veton Surroi.

Ai parashikoi një periudhë prej 5 vjetësh deri kur, sipas tij, nga Kosova mund të largohet edhe ushtari i fundit i KFOR-it. Deri atëherë, ai tha se nuk pret që Kosova të jetë pjesë e NATO-s, por pret që të paktën të qartësohen raportet me Serbinë dhe perspektiva e Kosovës në BE dhe në NATO.

“Vendosja e një procesi të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, duhet ta gjejë fundin e vet ligjor me një traktat miqësie të ndërsjellë, para largimit të trupave të NATO-s. Dhe, duhet të vendoset një proces kontraktual integrues midis Kosovës dhe BE-së”, theksoi Surroi.

Diç më skeptik në lidhje me reduktimin e trupave të NATO-s ishte eksperti i çështjeve ushtarake, Ramadan Qehaja

Ai tha se, përderisa Serbia e thotë haptas se ka pretendime ndaj Kosovës, kjo paraqet një kërcënim për paqen dhe sigurinë në rajon dhe ftoi NATO-n të mos nxitojë me shkurtime të tjera.

“Të pritet ndonjë sulm ushtarak klasik nga Serbia, kuptohet se është vështirë e besueshme, mirëpo shfrytëzimi i i të arriturave teknike bashkëkohore dhe infiltrimi i forcave dhe mjeteve në drejtime dhe rajone të ndryshme, sidomos në veri të vendit, për shkak të porozitetit të kufirit, nuk mund të përjashtohen”, tha Qehaja.

Aktualisht në Kosovë llogaritet se ka rreth 10 mijë trupa të KFOR-it. Varësisht gjendjes së sigurisë dhe asaj politike, zyrtarët e NATO-s kanë paralajmëruar edhe reduktime të tjera.

Sidoqoftë, nga të njëjtit zyrtarë është thënë se nuk do të merren vendime që do të rrezikonin paqen dhe stabilitetin në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG