Ndërlidhjet

Ka mundësi që dikush prej tyre e ka shkaktuar incidentin


Bajram Rexhepi
Bajram Rexhepi

“Alternativa se dikush prej tyre (protestuesve) e ka gjuajtur atë, nuk hiqet si mundësi”, thotë Bajram Rexhepi.


Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, thotë se nuk përjashtohet mundësia që dikush nga të pranishmit në protestë, e ka shkaktuar eksplodimin e së premtes në veri të Mitrovicës, ku u vra një person dhe 11 të tjerë u plagosën.

“Kjo ka qenë një informatë fillestare. Tash janë duke u bërë hetimet, është duke u bërë intervistimi. Alternativa se dikush prej tyre e ka gjuajtur atë, nuk hiqet si mundësi, mirëpo i presim rezultatet e hetimeve e tash janë duke u bërë ato, pra janë duke u bërë intervistimet
”, thotë për Radion Evropa e Lirë Bajram Rexhepi.
Si alternativë se dikush prej tyre e ka gjuajtur atë, nuk hiqet si mundësi, mirëpo i presim rezultatet e hetimeve...


Në këtë kuadër, ministri Rexhepi thotë se Policia e Kosovës është duke i bërë hetimet dhe, siç shprehet ai, pritet që “së shpejti të ketë rezultate konkrete.

Rexhepi thekson se “politikisht nuk është interes i shqiptarëve që të mos funksionojë zyra”, por dihet se, “kush ka interes politik”, prandaj edhe si mundësi ekziston që dikush prej protestuesve mund të ketë gjuajtur.

“Ajo nuk hiqet si opsion, për arsye se edhe politikisht interesi ynë nuk ka qenë incidenti. Për ne është me rëndësi të funksionojë zyra në kuadër të strategjisë së Qeverisë, ku është interesi, e jo të bëhen incidente, përkundrazi. Për incidente dihet kush ka interes politikisht, prandaj ekziston si opsion që dikush prej tyre ka gjuajtur”,
thekson ministri Rexhepi.

Nga ana tjetër, pas incidentit të së premtes në veri të Mitrovicës, situata në Lagjen e Boshnjakëve, tashmë është e qetë, thonë autoritetet e rendit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, thotë se hetimet për rastin e së premtes janë duke vazhduar, ndërsa konfirmon se janë shtuar patrullimet e policisë në lagjet e banuara me popullatë të përzier.

Policia e Kosovës
“Nuk është shënuar asnjë incident gjatë natës së mbrëmshme, mendoj në incidente të karakterit madhor ose incidente, të cilat rrezikojnë sigurinë në çfarëdo forme”.

“Ka pasur një nivel të ngritjes së masave të sigurisë - një koordinim i mirë i veprimeve të policisë së Kosovës dhe komponentës së policisë së EULEX-it dhe KFOR-it. Është me rëndësi që nuk ka pasur me incidente”,
deklaron Hoti.

Hoti gjithashtu bën të ditur se gjendja shëndetësore e të lënduarve në incidentin e së premtes në Mitrovicë, është e mirë.


“Në bazë të informatave që kemi nga mjekët kujdestarë të Qendrës spitalore në veri të Mitrovicës, mësohet se shëndeti dhe gjendja e personave të lënduar gjatë atij shpërthimi, vlerësohet të jetë e mirë dhe të gjithë janë jashtë rrezikut për jetë”
, shprehet Hoti.

Incidenti në veri të Mitrovicë u shkaktua pasi që institucionet e Kosovës kishin hapur një zyrë për regjistrim civil.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovë, Memli Krasniqi, shpjegon për rëndësinë e hapjes e kësaj zyre.

“Kjo është një zyrë që do t’iu mundësojë qytetarëve të Kosovës në veri të vendit, që të marrin shërbime të domosdoshme dhe të nevojshme në mënyrë shumë më efikase dhe më të shpejtë”.

“Gjithashtu, do t'i kenë më afër shërbimet e institucioneve të Republikës së Kosovës, sesa që i kanë pasur deri më tash. Dhe, në këtë drejtim mendojmë se është një hap i mirë drejt integrimit të plotë institucional të veriut të vendit”
, shpjegon Krasniqi.

Dhe, derisa përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës e cilësojnë hapjen e zyrës si një hap të rëndësishëm, politikanë serbë në veri e kundërshtojnë një gjë të tillë.

Marko Jakshiq, njëri nga përfaqësuesit e serbëve në veri, thotë se banorët e veriut të Mitrovicës nuk kanë nevojë për zyra të tilla.
...hapja e një zyre si ajo, është një mënyrë e provokimit për serbët, dhe serbët u kundërpërgjigjën ndaj një provokimi të tillë...


“Serbët e kanë shtetin e vet. Shteti i tyre është Serbia. Mendoj se një zyrë e tillë nuk u nevojitet serbëve. Serbët i kanë dokumentet e veta, i kanë letërnjoftimet dhe pasaportat nga shteti i tyre”.

“Prandaj, mendoj se hapja e një zyre si ajo, është një mënyrë e provokimit për serbët, dhe serbët u kundërpërgjigjën ndaj një provokimi të tillë me protestë, e cila, për fat të keq, përfundoi tragjikisht. Kjo ngjarje duhet të jetë një mesazh për Prishtinën se nuk duhet të luajë me njerëzit”,
shprehet Jakshiq.

Deklaratat e tilla, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, i hedh poshtë. Ai thotë se hapja e zyrës për Regjistrim Civil në Lagjen e Boshnjakëve, nuk është provokim për askënd dhe kundër askujt.
Kjo është zyrë për të gjithë ata qytetarë, që duan t’i kenë dokumentacionet e Kosovës dhe ata nuk janë të paktë.


“Në radhë të parë, ata duhet ta kuptojnë se kjo zyrë nuk është hapur kundër dikujt, në kuptimin e asaj se nuk është një zyrë, e cila në mënyrë të dhunshme kërkon që njerëzit të shkojnë dhe të marrin dokumentet e Kosovës”.

“Kjo është zyrë për të gjithë ata qytetarë, të cilët duan t’i kenë dokumentacionet e Kosovës, dhe ata nuk janë të paktë. Madje, siç e dini edhe nga komuniteti serb, vetëm në gjashtë muajt e parë në veri ka pasur rreth 1000 kërkesa për t’u pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës”,
thotë Krasniqi.

Ndryshe incidentin e së premtes në veri të Mitrovicës, e kanë dënuar të gjithë faktorët vendorë dhe ndërkombëtarë në Kosovë.
XS
SM
MD
LG