Ndërlidhjet

Qehaja: Siguria në veri nuk po përmirësohet


Ramadan Qehaja
Ramadan Qehaja

“Me institucionet tona vendore të sigurisë, para së gjithash, me Policinë e Kosovës, Forcën Sigurisë së Kosovës dhe duke e operacionalizuar edhe SHIK-un, duhet të fillojmë të mbështetemi në forcat tona vetanake”, thotë Ramadan Qehaja, ekspert për çështje ushtarake dhe të sigurisë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Qehaja, para pak ditësh në Mitrovicë kanë ndodhur disa shpërthime ku për pasojë kishte të vrarë dhe disa të plagosur. Si e shihni ju situatën në atë pjesë të Kosovës?

RAMADAN QEHAJA

Pa hyrë në detaje të këtij rasti, kujtoj se situata në veri të vendit, në veri të lumit Ibër, është aq fragjile, aq e paqëndrueshme sa që në çdo moment mund të vijë deri te përkeqësimi i situatës, jo vetëm të sigurisë, por edhe asaj politike me reperkusion të tërësishëm në Kosovë, e ndoshta edhe në rajon.

Prandaj, ndërmarrja e masave urgjente për përmirësimin e situatës së sigurisë atje, me forca dhe mjete të duhura, krahas atyre politike dhe diplomatike, është më se e nevojshme.

RADIO EVROPA E LIRË

Në përgjithësi, si e vlerësoni situatën e sigurisë dhe e ka ndonjë rrezik Kosova në këtë aspekt?

RAMADAN QEHAJA

Unë mendoj se veriu (përsëri po kthehem te veriu dhe te Serbia zyrtare), në bazë të disa parametrave, disa lëvizjeve të fundit politike, diplomatike, por edhe me planin e sigurisë, disa përforcime që janë ndërmarrë atje me forcat destruktive të MUP-it serb, të shërbimit sekret serb etj., shihet se vërtet situata nuk është duke u përmirësuar.

Kemi një përkeqësim të saj në atë pjesë të territorit, por kjo ka refleksione edhe këtu në brendi të territorit të Kosovës. Pakënaqësia e popullatës është shumë e madhe, ne jemi duke u marrë gjithnjë me çështjen e veriut, nuk kemi kohë të merremi me varfërinë, e me çështje tjera që po na ndodhin këtu në Kosovë, siç është korrupsioni, krimi i organizuar e kështu me radhë.

Prandaj, në mënyrë zinxhirore kjo situatë në veri ka ndikim të drejtpërdrejtë në situatën e përgjithshme në tërë territorin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Qehaja, sa ka mundësi të destabilizohet situata në Kosovë nga hapja e temave, siç ishte ajo për këmbimin e territoreve?

RAMADAN QEHAJA

Siç po e shihni edhe vetë, po vjen ai momenti kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë duhet ta thotë fjalën e vet lidhur me pavarësinë e Kosovës, ashtu është duke u rritur, të shprehem ashtu, edhe nervoziteti i palës serbe, sepse ata do të tentojnë ta bëjnë sipas mendimit tim, interpretimin e vendimit, verdiktit të Gjykatës, për nevoja të veta.

Prandaj, mendoj se situata nuk do të qetësohet, por serbët do të tentojnë që këtë situatë ta përkthejnë në kushtet e veta, ta shpjegojnë se ata kanë të drejtë dhe kryesisht shkojnë në atë që veriun duhet ta ndajnë. E, ky është qëllimi i tyre. Mirëpo, unë mendoj se nuk vjen në konsiderim asnjëherë në asnjë moment fillimi i bisedave për ndarjen e Kosovës, apo për ndërrim të territoreve, sepse kjo vërtet do të ishte një situatë shumë e komplikuar dhe shumë e rrezikshme edhe për rajonin.

RADIO EVROPA E LIRË

Përfaqësues të NATO-s kanë paralajmëruar për reduktim të mundshëm të trupave të KFOR-it në Kosovë. Sipas zyrtarëve të lartë të NATO-s, numri prej dhjetë mijë trupash mund të zvogëlohet në pesë mijë sosh. Si e shihni ju këtë reduktim?

RAMADAN QEHAJA

Reduktimi nuk duhet të ndodhë më. Këta dhjetë mijë trupa duhet të mbeten patjetër në Kosovë, aq më tepër që kemi një tendencë të përkeqësimit të situatës së sigurisë.

Në anën tjetër, duhet bërë çmos që ne, me institucionet tona vendore të sigurisë, para së gjithash me Policinë e Kosovës, por nëse doni edhe me Forcën e Sigurisë së Kosovës, me aq njerëz sa ka, duke i armatosur ata me armë të lehta dhe duke e operacionailuar edhe Shërbimin e Inteligjencës së Kosovës, duhet të fillojmë të mbështetemi në forcat tona vetanake dhe në këtë mënyrë ne të kontribuojmë për vetveten, por kurrsesi unë nuk jam për atë që këta dhjetë mijë trupa të KFOR-it të zvogëlohen për një periudhë të ardhshme.

Unë nuk e di për cilën periudhë, por sado kudo do të ishte një rrezik i madh sepse atëherë dobësohet fuqia vepruese edhe e KFOR-it, por edhe e institucioneve tona ndaj akterëve, të cilët do të dëshironin ta destabilizonin situatën e sigurisë në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Qehaja, si e shihni funksionimin e Policisë së Kosovës dhe, siç thuhet, vonesën e funksionalizimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës?

RAMADAN QEHAJA

Ne, tash për tash, Policinë e Kosovës e kemi si një forcë, jo vetëm për rend, por edhe për siguri të tërësishme në Kosovë, sepse ajo është mobile, d.m.th. e gatshme për veprim.

Mirëpo, unë them se ka dobësi subjektive në Polici, dhe kujtoj se fillimi i eliminimit të dobësive të brendshme, sidomos të aspektit operacional të Policisë, ende nuk është duke u parë - nuk janë duke u ndërmarrë masa të përshpejtuara që policia të ngrejë gatishmërinë vepruese në çdo aspekt, qoftë në aspektin e luftimit të krimit të organizuar dhe të korrupsionit, qoftë në aspektin e kryerjes së detyrave tjera që kanë të bëjnë me rend.

Prandaj, ne nuk jemi të kënaqur me ritmin e ngritjes së gatishmërisë vepruese të Policisë së Kosovës. Për Forcën e Sigurisë së Kosovës duhet t’ju them se jemi në një ngecje, pse ndodh kjo, unë nuk e di, se nuk mund të presim të kalojnë pesë vjet e ne të themi që e kemi operacionalizuar FSK-në.

Por, duhet të shikojmë konform situatës së krijuar në vend që kjo forcë, në mënyrë të përshpejtuar, të marrë armatimin e vet, të funksionalizohet, të ngrejë gatishmërinë vepruese dhe të fillojë t’i marrë disa kompetenca nga KFOR-i. Këtu s’ka diskutim, nuk guxon të ketë hezitim në këtë drejtim, qoftë nga vendorët, qoftë nga organet e KFOR-it.
XS
SM
MD
LG