Ndërlidhjet

logo-print

Buxheti i Kosovës vendoset në kufij


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese


Mbi 65 për qind e të ardhurave nga taksat mblidhet në kufi. Kjo shifër, sipas ekspertëve për çështje ekonomike, tregon se në Kosovë mungojnë mekanizmat e brendshëm për mbledhjen e të hyrave për buxhetin e Kosovës.

Ata vlerësojnë se buxheti i Kosovës duhet të mbushet brenda territorit të Kosovës, ndërsa dogana duhet të jetë vetëm lehtësues i këtyre veprimeve.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Isa Tahiri, konsideron se sikur mbledhja e tatimeve të bëhej brenda territorit të Kosovës, atëherë niveli i të ardhurave do të ishte më i kënaqshëm.
“Grumbullimi i mjeteve financiare që duhet të hyjnë në buxhetin e Kosovës, përmes grumbullimit të atyre të ardhurave nga ana tatimore, nuk është i kënaqshëm”.

“Qeveria duhet të bëjë vendosjen e arkave fiskale në të gjitha bizneset dhe pas vendosjes së arkave fiskale, qarkullimi do të jetë më real sesa që është prezantuar deri më tash”,
shprehet Tahiri.

Edhe në raportin e progresit për Kosovën të vitit të kaluar është thënë se doganat e Kosovës janë një institucion i fuqishëm që është duke funksionuar mirë, por që është theksuar se assesi nuk mund të mbetet barrë e doganave, mbushja e buxhetit të Kosovës.

Pika kufitare në Jarinë

Brenda dhjetë vjetëve, Doganat e Kosovës thuhet se kanë kontribuar në buxhetin e vendit me mbi 4 miliardë euro. Ky institucion vlerësohet të jetë kontribuuesi kryesor i buxhetit të shtetit, i cili grumbullon për arkën e shtetit tri tatime kryesore: tatimin mbi vlerën e shtuar në import, taksën doganore dhe akcizën.

Drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, kohë më parë ka theksuar se doganat nuk duhet të mbetet i vetmi mekanizëm për mbledhjen e taksave.

“Përderisa Kosova vazhdon të mbetet një vend me import të lartë, gjithsesi se taksat do të vijnë nga importi, por ne shpresojmë se ky raport do të vijë duke u përmirësuar dhe është duke u përmirësuar me Administratën Tatimore që të zgjerohet baza tatimore në brendi, të ngritet efikasiteti i Administratës Tatimore dhe njëkohësisht të ketë zhvillim ekonomik brenda”, thotë Huruglica.

Sidoqoftë, në kohën kur Kosova ka nënshkruar marrëveshjen e CEFTA-s, ideja ka qenë që të hiqen të gjitha taksat doganore për vendet e rajonit, dhe kjo realisht do të nënkuptonte se duhet të krijohen mekanizma të brendshëm, të cilët do të mundësonin që buxheti i Kosovës të mos varet vetëm nga të hyrat në pikat doganore, por grumbullimi i taksave të bëhet brenda territorit të Kosovës.

Eksperti i ekonomisë, Musa Limani, shpreh mendimin se krijimi i rregullave të mirëfillta, përforcimi i Administratës Tatimore dhe forcimi i aparatit shtetërore brenda territorit të Kosovës, janë forma që duhet të bëhen së shpejt.

“Vetë fakti që në kufi, diku mbi 70 për qind të mjeteve buxhetore sigurohen nga doganat dhe TVSH-ja, tregon se Kosova nuk ka ekonomi të brendshme dhe kjo shkakton problem në qëndrueshmërinë e buxhetit të Kosovës”,
vlerëson Limani.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG