Ndërlidhjet

Hyseni në KS për Mitrovicën


Këshilli i Sigurimit (Foto arkiv)
Këshilli i Sigurimit (Foto arkiv)

Ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, udhëton për në Nju-Jork, ku do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të KS-së.


Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, udhëton të hënën për në Nju-Jork, për të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit.

“Përmes një letre drejtuar kryesuesit të radhës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ministri Hyseni ka kërkuar që të marrë pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit, lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, për të shprehur pikëpamjet e Republikës së Kosovës. Mbledhja e Këshillit është caktuar për të martën”, thuhet në një njoftim të lëshuar nga Ministria e Jashtme.

Seanca e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, është thirrur nga Serbia pas zhvillimeve të fundit në veri të Mitrovicës, ku gjatë një incidenti humbi jetën një person dhe disa të tjerë u plagosën.

Për në Nju-Jork pritet të udhëtojë edhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, i cili e ka kërkuar këtë sesion të jashtëzakonshëm.
“Serbia edhe njëherë po ballafaqohet me sfida të mëdha në Kosovë. Qytetarët tanë në Kosovë janë sulmuar”, ka deklaruar Tadiq.

Ambasadori i Nigerisë në Kombet e Bashkuara, Joy Ogvu, që është kryesues i Këshillit të Sigurimit për këtë muaj, ka thënë se Këshilli i Sigurimit do të njoftohet për incidentin, të martën më 6 korrik. (z.g.)

XS
SM
MD
LG