Ndërlidhjet

Zhvillimet e deritashme në Kampionatin Botëror të Futbollit “Afrika e Jugut” kanë qenë befasuese, vlerësojnë trajnerë kosovarë të futbollit. Sipas tyre, kombëtaret nga Evropa, të cilat janë plasuar në gjysmë-finale, kanë treguar se janë kolektivitete të suksesshme dhe më stabile sesa përfaqësueset nga Amerika Jugore. Këta trajnerë flasin edhe për mundësitë e garave të mëtutjeshme.


Takimet e deritashme në Kampionatin Botëror të futbollit, i cili aktualisht është duke u mbajtur në Afrikën e Jugut, kanë treguar se loja e futbollit gjithnjë e më shumë po bëhet e paparashikueshme, vlerësojnë trajnerët e futbollit në Kosovë, duke pasur parasysh zhvillimin e garave deri në përfundimin e çerekfinales së këtij kampionati.

Genc Hoxha, trajner i klubit futbollistik “Besa” nga Gjakova dhe një prej trajnerëve të kombëtares së Kosovës, thotë se zhvillimet e deritashme në Kampionatin e Futbollit në Afrikën e Jugut, rezultuan me eliminimin e kombëtareve që kanë qenë favorite të këtij kampionati, siç janë Italia, Franca, Anglia, Argjentina dhe Brazili.

Në skenë dolën ekipet me kolektivitet, me karakter të fortë, si Gjermania dhe Holanda. Sa i përket Spanjës, të gjithë ne e kemi paraparë se do të jetë një ndër favoritët, bazuar në përbërjen e tyre dhe lojërat e fundit”.

“Do të thotë, dolën në pah ekipet, të cilat më së miri u gjetën deri më tash dhe në fund, jemi para dy ndeshjeve gjysmëfinale me ekipet që treguan sukses më së shumti”,
vlerëson Hoxha.

Edhe Gani Sejdiu, trajner i klubit futbollistik “Trepça” nga Mitrovica, thotë se takimet në çerekfinale të Kampionatit Botëror të Futbollit befasuan futbolldashësit, të cilët kanë pritur që në gjysmëfinale të plasohen kombëtaret e Brazilit dhe Argjentinës.

Edhe kancelarja gjermane Angela Merkel ka përcjellë ndeshjen e kombëtares së Gjermanisë

“Në bazë të asaj që kam analizuar, nga ndeshjet çerek-finale, sidomos Brazili me Holandën dhe Argjentina me Gjermaninë, doli në pah se, megjithatë, përfaqësueset e Evropës janë më stabile dhe gjithmonë janë më të vendosura për ta arritur një qëllim”.

“Ajo çka është parë në këto ndeshjet çerek-finale, është se ekipet evropiane ndaj atyre latino-amerikane, siç janë Brazili e Argjentina, treguan se megjithatë, kolektiviteti, disiplina dhe kultura sportive gjithmonë në pjesët finale janë determinuese për sukses”,
thotë Sejdiu.

Ndërkaq, sipas këtyre trajnerëve të futbollit, plasimet e mëtutjeshme nga gjysmëfinalja e kampionatit të Afrikës së Jugut, është vështirë të parashikohen, duke pasur parasysh kualitetin e treguar deri më tash nga kombëtaret e Gjermanisë, Spanjës, Holandës dhe Uruguajit.

Trajneri Genc Hoxha pret që takimet në mes të Holandës dhe Uruguajit, si dhe Gjermanisë dhe Spanjës do të jenë ballafaqime të forta.

Do të jenë dy ballafaqime shumë të forta, me ekipe që kanë treguar lojëra dhe rezultate të mira, deri në këtë fazë. Do të jetë shumë interesant takimi ndërmjet Spanjës dhe Gjermanisë, dy ekipe jashtëzakonisht të forta”.

“Ndërsa, edhe në anën tjetër Holanda me Uruguajin, do të jetë një takim ku është shumë vështirë të parashikohet fituesi. Unë mendoj se Spanja me Holandën do të jenë në finale”,
shprehet Hoxha.

Ngjashëm vlerëson edhe Gani Sejdiu:

“Jam i bindur se Holanda do të shkojë në finale, sepse ndonëse është me Uruguajin, ajo është favorite. Uruguaji do të jetë me mungesa të shumta në atë përballje, kështu që, unë Holandën e shoh në finale”.

“Ndërsa, sa i përket takimit Gjemania-Spanja, ai është një takim shumë i paparashikueshëm. Nëse e kalon Gjermaninë, Spanja do të jetë kampion bote. Megjithatë, është më cilësore se Holanda”.


Sidoqoftë, ndeshja gjysmëfinale në mes të Holandës dhe Uruguajit do të zhvillohet më 6 korrik, ndërkaq, ajo në mes të Gjermanisë dhe Spanjës më 7 korrik. Fituesit e këtyre takimeve do të takohen në ndeshjen finale më 11 korrik.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG