Ndërlidhjet

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mund të japë një mendim neutral në lidhje me kërkesën për interpretimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kanë vlerësuar profesorë të së Drejtës Ndërkombëtare gjatë një konference lidhur me strategjitë dhe politikat që duhet të ndërtojë Kosova pas GJND-së. Aty u tha se Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë betejën politike edhe pas verdiktit që do të japë kjo Gjykatë.


Prishtina dhe Beogradi do ta vazhdojnë betejën për dhe kundër njohjeve të reja të shtetit të Kosovës edhe pas mendimit këshillëdhënës që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të japë lidhur me pavarësinë, u tha në një debat për veprimet dhe implikimet që do t’i japë mendimi i GJND-së për Kosovën.

Profesori Stefan Talmon nga Universiteti i Oksfordit, tha se e drejta ndërkombëtare nuk ka se çfarë të thotë në lidhje me vendimet e njëanshme për pavarësi, siç është rasti i Kosovës. Andaj, sipas tij, çfarëdo që të jetë mendimi këshillëdhënës, nuk do të ketë fitues.

“Debati politik dhe beteja për njohjen e Kosovës, do të vazhdojë edhe pas GJND-së”, tha profesori Stefan Talmon, duke parashikuar mundësinë që GJND-ja të dalë me një opinion neutral, i cili nuk do të ishte ekskluzivisht as vetëm në anën e Kosovës, e as vetëm në anën e Serbisë.
“Debati politik dhe beteja për njohjen e Kosovës, do të vazhdojë edhe pas GJND-së.


Ai tha se në interpretimet e tilla gjyqësore, merren parasysh pyetjet që i parashtrohen Gjykatës. Në këtë rast, Serbia, si inicuese, ka shtruar pyetjen se a ishte në harmoni me të drejtën ndërkombëtare shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Duke e marrë si shembull rastin e Namibisë, Talmon theksoi se do të jetë me rëndësi për Gjykatën edhe ajo se çfarë nuk shtrohet si pyetje aty.

“Gjykata nuk është pyetur se cilat janë pasojat legale për shtetet nga vendimi i njëanshëm i institucioneve të Kosovës për pavarësi, si dhe nuk është pyetur se a i ka arritur Kosova si shtet, standardet e së drejtës ndërkombëtare”, theksoi Talmon.

Ndërkohë, profesori Mark Veller nga Universiteti i Kembrixhit, tha se fakti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës si rast i veçantë, apo “sui generis” mund të merret parasysh duke e ditur historinë e heqjes së autonomisë së Kosovës dhe shtypjes së popullatës nga ana e regjimit serb.
...autonomia e Kosovës është abroguar në mënyrë të njëanshme...


“Argumenti i rastit të veçantë apo 'sui generis', bazohet në shumë fakte. E para është se autonomia e Kosovës është abroguar në mënyrë të njëanshme”, u shpreh Veller.

Pastaj, shtoi Veller, subjektiviteti i saj si pjesë e ish-federatës, ishte zhdukur, si dhe kishim një shtypje të popullatës për 10 vjet, çka solli deri te vendosja e Kosovës nën administrimin e Kombeve të Bashkuara.

Veller rikujtoi edhe negociatat e Vjenës dhe dështimin e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë çka në fund çoi deri te shpallja e njëanshme e pavarësisë.

Qeveria e Kosovës

Në anën tjetër, për Qeverinë e Kosovës, mendimi i GJND-së nuk do të prodhojë ndonjë situatë dramatike në lidhje me statusin e Kosovës.

Zëvendësministrja e Jashtme, Vlora Çitaku, tha se pritjet e Kosovës janë që pas GJND-së implikimet të jenë kryesisht në kontekstin ndërkombëtar që kanë të bëjnë me njohjet e reja.

“Opinioni i GJND-së do të ketë implikime, mirëpo ato më shumë do të ndërlidhen në kontekstin ndërkombëtar, gjegjësisht në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, në përshpejtimin e dinamikës së njohjeve, mirëpo asgjë nuk do të vijë me automatizëm dhe për më tepër asgjë në kontekstin e brendshëm nuk do të ndryshojë substancialisht”, tha Çitaku.

Sipas paralajmërimeve, interpretimi i GJND-së në lidhje me atë se ishte apo jo shpallja e pavarësisë së Kosovës në harmoni me të drejtën ndërkombëtare pritet të ndodhë diku në fund të korrikut. Autoritetet në Serbi kanë paralajmëruar një ofensivë diplomatike pas GJND-së, që, sipas tyre, do të shpie në negociata të reja për Kosovën.

Përderisa Prishtina dhe përkrahësit ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës vlerësojnë se ky mendim sado i rëndësishëm, mund të ndikojë vetëm në dinamikën e njohjeve të reja dhe anëtarësimit të Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë, por nuk do të ketë efekte sa i përket statusit të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG