Ndërlidhjet

Dënohet sulmi ndaj deputetit Miletiq


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Autoritetet kosovare kanë dënuar ashpër plagosjen e deputetit Petar Miletiq, nënkryetar i Partisë së Pavarur Liberale Serbe. Deputeti Miletiq është plagosur mëngjesin e së hënës në veri të Mitrovicës, teksa po dilte nga banesa e tij.


Sipas njoftimeve të policisë, ai është plagosur të hënën në veri të Mitrovicës, derisa po dilte nga banesa e tij. Nga katër plumbat e shtënë në drejtim të tij, policia ka njoftuar se vetëm njëri e kishte goditur atë në këmbë.

Deputetët e kanë cilësuar këtë si një atentat ndaj kolegut të tyre, që vjen në kohën kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë po përgatit publikimin e mendimit në lidhje me ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka akuzuar politikën e Beogradit për implikime në rastet e fundit të zhvillimeve në Mitrovicë.

“Konsideroj se këto zhvillime po ndodhin në prag të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për statusin politik të Kosovës dhe të gjitha këto ngjarje janë të iniciuara, të nxitura e ndoshta edhe të kryera, edhe pse këtë duhet ta vërtetojnë hetimet që do të bëhen, nga politika serbe e Beogradit”,
ka thënë Krasniqi.

Petar Miletiq
Presidenti Fatmir Sejdiu, përmes një deklarate me shkrim, e ka dënuar këtë sulm duke e cilësuar si akt të shëmtuar kriminal, të drejtuar kundër paqes, stabilitetit, bashkëjetesës dhe të ardhmes së përbashkët të gjithë qytetarëve të vendit.

Kurse, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se zhvillimet e fundit në veri të Mitrovicës, po ndodhin pas hapjes së zyrës për shërbime civile të Qeverisë së Kosovës në atë pjesë.

Por, ai është zotuar se Qeveria nuk do të zmbrapset dhe shumë shpejt do të hapë edhe gjykatën në veri, si dhe ka paralajmëruar masa kundër krimit të organizuar në atë pjesë.


“Kontrabandistët nuk do të jenë të qetë, siç kanë qenë në këto 11 vjetët e fundit, ju siguroj dhe garantoj në këtë drejtim. Nuk do të vazhdohet të lejohet që ajo pjesë e Kosovës të mbetet çerdhe e kriminelëve të luftës që kanë kryer krime ndaj popullatës shqiptare, apo qendër e kontrabandistëve dhe kriminelëve tjerë që janë të strehuar aty dhe ndiqen nga drejtësia kosovare. Do të vazhdojmë me kontrollin e plotë të doganave”,
ka deklaruar Thaçi.

Sulmi ndaj deputetit Miletiq është dënuar edhe nga partitë opozitare. Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini ka thënë se Kuvendi duhet të reagojë kur sulmohet një përfaqësues i zgjedhur.

“Është atakuar një ulëse e Kuvendit të Kosovës, do të thotë një përfaqësues i popullit të Kosovës dhe pa marrë parasysh se çfarë grupi etnik i përket, mendojmë se Kuvendi duhet të sillet edhe më me rigorozitet dhe më me kujdes, për shkak se një përfaqësues i popullit të Kosovës është sulmuar, është plagosur”,
ka theksuar Gjini.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka njoftuar se “deputeti, Miletiq, është plagosur sot në veri të këtij qyteti rreth orës 8 të mëngjesit, duke dalë nga banesa e tij”.

Hoti ka shpjeguar se në drejtim të Miletiqit ishte shtënë me katër plumba, por nga ta, vetëm njëri e kishte qëlluar atë në këmbë.

Drejtori i Qendrës Spitalore në veri të Mitrovicës, Milan Jakovleviq, ka thënë se Miletiq po mbahet nën përkujdesje intensive, por ai ndodhet jashtë rrezikut.

“Kishte një intervenim kirurgjik dhe më pas është kthyer nën mbikëqyrje intensive për shërbim. Gjendja e tij është stabile dhe është jashtë rrezikut për jetë”
, ka thënë Jakovleviq.
XS
SM
MD
LG