Ndërlidhjet

logo-print

Stavridis, Thaçi: Gjendja e sigurisë në Kosovë është stabile


Komandanti i lartë i NATO-s, Xhejms Stavridis, sot në Prishtinë, është takuar me zyrtarët më të lartë të Kosovës, presidentin Fatmir Sejdiu dhe me kryeministrin Hashim Thaçi.

Gjendja e sigurisë në Kosovë është stabile, kanë vlerësuar në një takim të përbashkët komandanti suprem i Forcave të Përbashkëta për Evropën i NATO-s, admirali Xhejms Stavridis dhe kryeministri Hashim Thaçi.

Në një komunikatë për media nga kabineti i kryeministrit, thuhet se temë bosht e takimit ishte gjendja aktuale politike dhe e sigurisë në Kosovë, progresi i arritur në Kosovë dhe thellimi i bashkëpunimit me NATO-n.

“Reduktimi i trupave të KFOR-it në Kosovë dëshmon se gjendja e sigurisë çdo ditë e më tepër është stabile dhe se institucionet e Kosovës janë të gatshme të marrin përgjegjësitë që iu takojnë për sigurinë e vendit”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Në komunikatë thuhet, se kryeministri Thaçi ka shprehur “mirënjohjen e lartë për kontributin substancial, që ka dhënë Aleanca Veriatlantike e NATO-s, në ngritjen dhe fuqizimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, një forcë që është duke u zhvilluar gjithnjë e më shumë sipas standardeve më të larta të NATO-s”.

Nga ana tjetër, në njoftimin nga presidenca e Kosovës, thuhet se Fatmir Sejdiu dhe Xhejms Stavridis, kanë diskutuar për zhvillimet në Kosovë dhe bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës me NATO-n.

XS
SM
MD
LG