Ndërlidhjet

Mbyllet këtë vit demarkacioni me Malin e Zi?


Hartë e publikuar nga Lëvizja "Vetëvendosje"
Hartë e publikuar nga Lëvizja "Vetëvendosje"

Autoritetet kosovare thonë se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi pritet të përfundojë brenda këtij viti. Prishtina nuk sheh probleme rreth zgjidhjes së kësaj çështjeje të hapur, por banorët e brezit kufitar pretendojnë se viteve të fundit janë dëmtuar, meqë, sipas tyre, një pjesë e pronave ka kaluar përtej kufirit me Malin e Zi.


Demarkacioni kufitar midis Kosovës dhe Malit të Zi, sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, pritet të përfundojë brenda këtij viti. Përfaqësuesit qeveritarë thonë se demarkacioni do të bëhet në bazë të dokumenteve përkatëse të të dyja vendeve.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se çështja e demarkacionit me shtetin malazez nuk do të paraqesë problem, ndërkohë që banorët e brezit kufitar tashmë janë ankuar se një pjesë e pronave të tyre ka kaluar përtej kufirit.

Kuçi thotë për Radion Evropa e Lirë, se Qeveria e Kosovës është duke punuar dhe është duke bërë përpjekje të vazhdueshme edhe për demarkacionin e vijës kufitare me Malin e Zi.
Hajredin Kuçi


“Zgjidhja e vijës kufitare, apo e demarkacionit, do të bëhet në bazën e fletëve poseduese që i kanë edhe komunat e brezit kufitar dhe ato të Malit të Zi dhe shpresojmë që të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur”.

“Premtimet janë që do të bëhet brenda këtij viti. Unë, jam i bindur që nuk ka konteste në mes të dy vendeve, por ka vetëm çështje që duhet të dizajnohen ato vija të demarkacionit në kuptimin fizik”
, deklaron Kuçi.

Zëvendëskryeministri Kuçi nuk saktëson se për sa hektarë bëhet fjalë. Ai sqaron se do të respektohen të gjitha dokumentet e rregullta dhe fletëposedimet, të cilat kanë ekzistuar para luftës së vitit 1999.

Kuçi gjithashtu i siguron banorët e fushatave të brezit kufitar me Malin e Zi se nuk do t’i humbin tokat e tyre, pavarësisht nëse mbesin këndej apo andej kufirit.

“Natyrisht se procedurat janë krejt normale, janë procedura që kërkohen në çdo vend demokratik. Ajo më e rëndësishmja është që qytetarët t’i shfrytëzojnë pronat dhe tokat e tyre”.

“Vija e demarkacionit është vijë e politikës. Ndërsa, shfrytëzimi i tyre ka qenë një kërkesë e tyre dhe ua kemi mundësuar. Unë u premtoj të gjithë atyre që kanë fletët poseduese për pronat e tyre se nuk do t’i humbin anjëherë (pronat)”
, thekson Kuçi.

Nga ana tjetër, kryetari i komunës së Pejës, Ali Berisha, konsideron se demarkacioni me shtetin e Malit të Zi duhet të përfundojë sa më parë.

Pamje nga Peja

Sipas Berishës, komisionet ndërshtetërore do të duhej fillojnë punën për demarkacionin dhe gjithashtu, siç thotë ai, duhet të këtë një mbikëqyrje ndërkombëtare.

“Besoj që duhet të formohen komisione ndërshtetërore, me një përfaqësim edhe ndërkombëtar të mbikëqyrjes dhe realisht edhe ndarja të bëhet ashtu si është edhe më së miri për të dy shtetet”.

“Problemi qëndron tek ajo se popullata kryesisht mendon se ka lëvizur kufiri, ka lëvizur në drejtim të Kosovës. Popullata ka vërejtje se është bërë lëvizja e kufirit dhe është në dëm të Kosovës
”, thotë Berisha.


Ndryshe, kohë më parë në Podgoricë, ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, dhe ai i Malit të Zi, Ivan Brajoviq, kanë rënë dakord që çështja e demarkacionit të përfundojë brenda vitit 2010.

Ministri Brajoviq pati thënë se "Kufijtë administrativë të ish-Jugosllavisë janë transformuar tashmë në kufij shtetërorë”.

Dy ministrat patën thënë se është gjetur edhe një zgjidhje e përkohshme për barinjtë e Kosovës që kërkojnë të drejtën për t’i përdorur kullotat e tyre në territorin e Malit të Zi.

Ndërkaq, përfaqësuesi i katër fshatrave të anës së Drinit, Sadri Zekaj, thotë se shteti i Malit të Zi ka shtyrë për disa kilometra pikën kufitare në territorin e Kosovës. Sipas Zekajt, banorët janë këmbëngulës që të mos heqin dorë nga ajo që e konsiderojnë pronë të tyre.

“Nuk mund të flas për hektarë këtu se ka me mijëra e mijëra. Prej Grykës së Rugovës, Plavës e deri te Kulla, për në Mal të Zi, prej nga pastaj shkohet për Rozhajë, nuk dihet se sa kilometra është, por brendia që e ka luajtur kufirin në Kullë është 6 kilometra. Ka luajtur edhe nga Rugova në disa vende”
, tregon Zekaj.
...populli nuk e ka ndërmend të lëshojë pe; kufiri duhet vënë aty ku ka qenë gjithmonë...


Zekaj thotë se pika kufitare duhet të kthehet në pikën e saj të paraluftës.

“Kufiri duhet të kthehet në Kullë, siç ka qenë gjithmonë. Atje i kemi edhe varrezat edhe populli nuk e ka ndërmend të lëshojë pe; kufiri duhet vënë aty ku ka qenë gjithmonë”.

“Para luftës, kur na ka zënë pylltari duke bërë ndonjë dëm, është dashur të shkojmë në Pejë ta paguajmë edhe dënimin, edhe tatimin, edhe vuajtjen e burgut. Si lindi tash ajo që në dy vjetët e fundit t’i largojnë njerëzit nga stanet e tyre?! Për këtë jemi shumë të mllefosur”
, shprehet Zekaj.

Ende pa nisur bisedimet për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, përfaqësuesit e Lëvizjes “Vetëvendosje!”, patën thënë se Kosovës do t’i merren të paktën 6,600 hektarë tokë.

Në Planin e Ahtisarit, çështja e kufirit me vendet fqinje, përveç me Maqedoninë, parashihet të zgjidhet duke marrë parasysh “vijën kufitare të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ashtu siç kanë qenë këto vija kufitare më 31 dhjetor, 1988”.
XS
SM
MD
LG