Ndërlidhjet

Buxheti (s') ndahet në baza rajonale


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Në seancën e së hënës të Kuvendit Kosovës, është miratuar në parim projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e buxhetit për vitin 2010. Edhe pse ky projektligj është përkrahur nga pozita, deputetë të opozitës kanë akuzuar Qeverinë, pasi, sipas tyre, ndarja e buxhetit po ndodh në baza rajonale.


Rishikimi i buxhetit për vitin 2010 pason arritjen e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, për përshtatjen e politikave ekonomike dhe buxhetore, duke përcaktuar në këtë mënyrë, rritjet dhe kursimet e nevojshme të shpenzimeve për pjesën e mbetur të vitit, ka thënë ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala.

Lidhur me rishikimin e buxhetit, ministri Shala ka thënë se, në krahasim me atë fillestar, buxheti ka arritur një ngritje të të hyrave për 7.5 për qind, ngritje kjo që, sipas tij, do të dedikohet për investime kapitale, e konkretisht në projektin për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdarë, projekt për të cilin tashmë janë ndarë mbi 83 milionë euro.

“Projektet tjera të rëndësishme në këtë rishikim janë edhe prodhimi i pasaportave biometrike për qytetarët e Republikës së Kosovës, prej 2.5 milionë eurosh, prej të cilave 1.8 milion euro janë investime kapitale dhe 7 milionë euro në mallra dhe shërbime”.

“Gjithashtu financim shtesë është bërë në sektorin e shpenzimeve operative, kategoria e pagave në shumë prej 16.3 milionë euro
”, ka bërë të ditur Shala.

Në emër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Osmani ka paraqitur disa vërejtje në ndryshimin e buxhetit.

“Të gjitha mjetet që janë ndarë për autostradë, kapin shumën afër 1 miliard, ndërsa në bazë të asaj që kemi parë në media bëhet fjalë për një kontratë prej 700 milionë eurosh, plus-minus”.

“Shtrohet pyetja, kjo shumë, nëse përshpejtohet në kilometra do të na dalë 8.5 milionë euro kilometri. A kemi të bëjmë këtu me një rrugë që do të shtrohet me mermer apo një rrugë me standarde tjera”,
është shprehur Osmani.
Ligjvënësit kosovarë


Në anën tjetër, deputetë të opozitës kanë vlerësuar se buxheti i Kosovës po ndahet në baza rajonale. Me këtë qëllim Adrian Gjini, deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se ky buxhet po diskriminon qytetarë në pjesë të ndryshme të Kosovës.

Sipas Gjinit, ky buxhet nuk do të ndikojë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe do të rrisë shkallën e varfërisë në vend.

“Mirëpo, tash çka ndodh, për kokë banori për një komunë, prej nga vijnë këta që nuk bëjnë ndarje krahinore - ndahen 45 herë më shumë ndarje buxhetore se në një komunë, nga e cila këta nuk vijnë”.

“Dyzetepesë herë do të thotë 4500 për qind më shumë buxhet në komunat nga vijnë vetë. Këto janë ndarje krahinore dhe me ndarje krahinore, realisht e shkatërrojnë solidaritetin në mes njerëzve në shtet”
, ka theksuar Gjini.

Projektbuxheti për vitin 2010, nuk reflekton prioritetet e vendit dhe nuk garanton zhvillim ekonomik, ka pohuar edhe deputeti nga Aleanca Kosova e Re, Ibrahim Makolli. Ai tha se projektet kapitale po financohen në baza partiake.

“Thjesht, vazhdojnë të përqendrohen në komunat ku qeveris një parti politike, në këtë rast Partia Demokratike. Ne nuk jemi kundër ndërtimit të rrugëve, por thjesht do të duhej të kishte një ndarje proporcionale të buxhetit në varësi të nevojave që ka”
, ka vlerësuar Makolli.

Ndërsa, sipas Lulëzim Zenelit, nga Lidhja Demokratike e Dardanisë, rishikimi i buxhetit është në kundërshtim të plotë me kornizën afatmesme të shpenzimeve buxhetore.

“Kjo nuk mund të quhet sukses, por mund të quhet politikë ad-hoc, e cila nuk merr për bazë vizionin dhe strategjinë, nëse mund të them kësisoj, që ka planifikuar kjo qeverisje. Qytetarët e Kosovës duhet ta dinë me këtë rast se nuk ka tendencë të ofrohen shërbime më të mira”,
është shprehur Zeneli

Ndryshe, buxheti i Kosovës për vitin 2010 arrin vlerën 1 miliard e 461 milionë euro.
XS
SM
MD
LG