Ndërlidhjet

Asnjë i arrestuar pas sulmeve në Mitrovicë


Paqeruajtësit në Mitrovicë

Paqeruajtësit në Mitrovicë

Asnjë i arrestuar deri më tash në lidhje me dy incidentet e rënda që ndodhën në veri të Mitrovicës në ditët e fundit. Policia thotë se ende nuk ka asgjë konkrete rreth të dyshuarve për këto sulme.


Sulmi i së premtes me granatë dore gjatë protestës së serbëve kundër hapjes së Zyrës së Qeverisë së Kosovës në Lagjen e Boshnjakëve, la të vrarë mjekun boshnjak Mesud Xhehoviq.

Ndërsa, sulmi i djeshëm i një personi të armatosur plagosi në këmbë deputetin e Kuvendit të Kosovës, Petar Miletiq, i cili po vazhdon kurimin në spitalin në veri të Mitrovicës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, thotë se policia po heton në mënyrë intensive për t’i ndriçuar të dy rastet.

“Të dyja rastet konsiderohen incidente shumë të rënda, që marrin dimensione të ndryshme, përtej asaj policore. Por sigurisht që deri në këtë moment policia nuk ka diçka konkrete në aspektin e personave të dyshuar”.


Policia e Kosovës

“Po punojmë intensivisht në këtë drejtim, por ende nuk kemi arritur që konkretisht të vijmë deri te ndonjë informacion rreth personave të dyshuar si sulmues apo si akterë të këtyre akteve kriminale”, thotë Hoti.

Policia demanton njoftimin se një gazetar i agjencisë serbe të lajmeve Tanjug është sulmuar me armë zjarri. Hoti thotë se veturën e gazetarit mund ta ketë qëlluar ndonjë plumb bredhës, por, sipas tij, ai nuk ka qenë cak i sulmit.

“Vetë ankuesi nuk është në gjendje të precizojë lokacionin se ku ka ndodhur apo në çfarë forme ka ndodhur, sepse ka bërë lëvizje të ndryshme nga Mitrovica në Graçanicë, dhe anasjelltas deri në një rrugë në veri të Mitrovicës, ku edhe ka vërejtur tavanin e automjetit të tij si të dëmtuar nga një plumb”.

“Policia beson se mund të jetë një plumb bredhës ose plumb ‘qorr’, i shkrepur në një lokacion krejtësisht të ndryshëm, por që praktikisht nuk ka pasur qëllim dëmtimin ose lëndimin e gazetarit në fjalë”,
shprehet Hoti.

Sidoqoftë, analistët politikë shprehin shqetësime për këto incidente që po ndodhin në veri.

Agron Bajrami thotë se për shkak të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që pritet ta japë këtë muaj, situata e sigurisë edhe mund të eskalojë. Ai thotë se rol të madh në këtë çështje po luan vetë Beogradi.
Gjasat janë shumë të mëdha që të ketë eskalime, sepse për aq sa eskalimi i situatës shkon në favor të dikujt, për aq është e mundshme që ai të ndodhë...


“Gjasat janë shumë të mëdha që të ketë eskalime, sepse për aq sa eskalimi i situatës shkon në favor të dikujt, për aq është e mundshme që ai të ndodhë, sepse eskalimet nuk ndodhin vetvetiu, nuk janë incidente që thjesht ndodhin”.

“Unë besoj se janë të planifikuara dhe të organizuara nga qendra të caktuara. Ne kemi pasur shumë informata kohëve të fundit për shtimin e aktiviteteve të MPB-së së Serbisë në pjesën veriore dhe kjo nuk do mend që nuk është e rastësishme se incidente të tilla ndodhin pas informacioneve për shtimin e këtij aktiviteti”
, vlerëson Bajrami.

Analisti Bajrami kritikon institucionet e sigurisë, që sipas tij vazhdojnë të mos e kryejnë punën e tyre në pjesën veriore të Kosovës, ku pushteti vazhdon të kontrollohet nga strukturat paralele.

Incidentet e fundit, sipas Bajramit, shkojnë në favor të atyre që Kosovën duan ta shohin jostabile.

Është fjala për Serbinë dhe strukturat paralele në veri, të cilat kanë shumë nevojë të shohin incidente të tilla që e kthejnë Kosovën në krye të lajmeve dhe e kthejnë Kosovën në tavolinën e diskutimeve urgjente në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”.

“Andaj, situata e fundit në veri mendoj se i shkon për shtati, është në favor të atyre forcave, të cilat ende mendojnë dhe besojnë se mund të rihapet çështja e diskutimeve rreth statusit të Kosovës dhe rreth rregullimit të brendshëm të territorit të Kosovës”,
thotë Bajrami.

Në anën tjetër, shefi i Partisë Liberale Serbe, Sllobodan Petroviq, shpreh shqetësimin për plagosjen e anëtarit të partisë së tij, duke sqaruar se me hyrjen në institucione, kjo parti është ndjerë e kërcënuar.


Sllobodan Petroviq

“Ne jemi të goditur, nuk është goditur vetëm Miletiqi, por edhe ne si parti, por edhe njerëzit që promovojnë tolerancë dhe bashkëjetesë në këtë territor”
, shprehet Petroviq.

Situata e sigurisë në veriun e banuar me shumicë serbë, sipas autoriteteve të sigurisë, vazhdon të jetë e qetë, por e brishtë. Tensionet ndëretnike janë të shpeshta në qytetin, të cilin ura e lumit Ibër e ndan në pjesën shqiptare dhe serbe.


Integrimi i qytetit me gjithë strategjinë e paraqitur në këtë fillimvit nga Qeveria e Kosovës vazhdon të ngecë.
XS
SM
MD
LG