Ndërlidhjet

Kontestet pronësore pengojnë zhvillimin


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese


Pjesëmarrësit e konferencës “Të drejtat pronësore në tranzicion; Sfidat për zhvillim në të ardhmen e Kosovës së paskonfliktit”, theksuan se zbatimi rrënjësor i të drejtave pronësore në gjithë Kosovën vazhdon të mbetet problem.

Sipas tyre, kjo gjendje mund të shërbejë si prizëm, përmes të cilit mund kuptohen disa nga problemet strukturore që ka shoqëria në Kosovë dhe që e pengojnë progresin e saj ekonomik dhe demokratik.

Shefi i Misionit të OSBE-së, Verner Almhofer, tha se bazuar në përvojën e mekanizmave ndërkombëtarë në Kosovë është vërejtur se çështjet e pazgjidhura pronësore e pengojnë zhvillimin ekonomik të vendit.

Verner Almhofer

Almhofer theksoi nevojën për një përkushtim më të gjerë institucional në këtë drejtim.

“Duhet të bëhen më shumë përpjekje për t’i zgjidhur këto sfida të mbetura, siç është zaptimi ilegal, kthimi i pronës dhe kthimi i personave të zhvendosur nëpër shtëpitë e tyre”,
theksoi Almhofer.

Ndërsa, drejtori i Departamentit për të drejtat e njeriut dhe komuniteteve në OSCE, James Rodehaver, tha se organizata e tij i ka identifikuar pesë fusha, të cilat duhet të merren parasysh për zgjidhjen e problemeve në çështjet pronësore, gjë që, sipas tij, do t’i hapte rrugë zhvillimit ekonomik dhe rritjes së investimeve.

“Këto pesë fusha janë shpronësimi i pasurisë private me qëllim të zhvillimit të infrastrukturës, problemi i zaptimit ilegal të tokave dhe ndërtimeve, privatizimi i pronës shoqërore, sistemi i regjistrimit të tokave dhe pronësisë si dhe mbrojtja e trashëgimisë fetare e kulturore e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”,
u shpreh Rodehaver.

Rodehaver shtoi se zgjidhja e këtyre problemeve është e rëndësishme për t’i parandaluar konfliktet sociale dhe shkeljen e të drejtave të njeriut.

Ndërkohë, çështjet pronësore, sipas drejtorit të projektit për drejta të njeriut dhe biznes në Universitetin e ESSEX-it, Sheldon Leader, mund të ndikojnë në planifikimin teknik për shkak se ekuilibri, siç tha ai, kërkohet ndërmjet kostos së projektit të infrastrukturës dhe nevojës për të respektuar interesat dhe të drejtat themelore të komuniteteve që mund të preken nga zhvillimi i një infrastrukture të tillë.

Këto ngrenë perspektivën e çështjeve teknike dhe është e vërtetë se duhet të merremi me to. Nganjëherë janë të mërzitshme, por lidhen me pyetje të mëdha politike e sociale, të cilat do të përpiqemi t’i zgjidhim”.

“Mbi këto pyetje dhe kosto teknike, mbetet nevoja thelbësore për të vënë një balancë ndërmjet faktorëve që do ta mbajnë rajonin të qetë dhe dinamikës, të cilën gjeneratat e ardhshme do ta ofrojnë”,
tha Leader.

Pjesëmarrësit në këtë konferencë ndër të tjera, theksuan se gjendja jo e kënaqshme e të drejtave pronësore në Kosovë vazhdon të paraqesë potencial për të shkaktuar konflikte, jo vetëm ndërmjet shumicës dominuese shqiptare dhe komuniteteve të tjera, por edhe mes të vetë pjesëtarëve të komunitetit shumicë.

Kryeshefi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Murat Meha, shpjegoi se duhet të bëhen disa ndryshime në ligjet aktuale, në mënyrë që secili pronar të ketë mundësi ta regjistrojë pronën në emrin e vet.
Pronat në Kosovë kanë një diskrepancë në mes të pronarëve aktualë dhe gjendjes në terren...


“Pronat në Kosovë kanë një diskrepancë në mes të pronarëve aktualë dhe gjendjes në terren, sepse azhurnimet e tyre nuk kanë mundur të mbahen në nivelin e duhur dhe në mungesë të dokumentacionit kadastral, i cili është zhdukur apo është marrë gjatë periudhës së luftës”
, sqaroi Meha.

Ndryshe, ligjet që janë në fuqi mundësojnë regjistrimin e pronës, bazuar në dokumentacioni aktual dhe ai dokumentacion mundëson që secila pronë të jetë në funksion të tregut të lirë, në funksion të pronarit dhe në funksion të zhvillimit ekonomik.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG