Ndërlidhjet

logo-print

Miletiq: S'e kam ditur se rrezikoj jetën


Deputeti i Partisë Liberale Serbe, Petar Miletiq, i plagosur një ditë më parë, ka thënë se me hyrjen në institucionet e Kosovës, e ka ditur se është duke rrezikuar, por jo edhe jetën e tij. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Miletiq ka dhënë detaje të sulmit ndaj tij.

“Dje në mëngjes (të hënën), në orën tetë, kur jam nisur për në punë, i jam afruar automobilit që ta hap dhe dikush, të cilin nuk e kam parë, më ka kaluar kah shpina dhe ka qëlluar në mua me 4-5 plumba. Kjo ka ndodhur përballë ndërtesës në të cilën banoj, në rrugën Tanaska Rajica”, ka thënë Miletiq, duke shtuar se sulmuesi nuk ka folur, por ka ikur pas sulmit.

Ai ka thënë se nuk e di se kush mund të ketë qenë sulmuesi.

“Nuk mund të përmend askënd, asnjë opsion... Më vjen rëndë të besoj se dikush ka qëlluar në mua për shkak se i përkas një opsioni tjetër politik. Unë dyshoj në disa njerëz, por më vjen rëndë të flas, sepse nuk dua të gaboj. E dyta, këtu janë hetimet që duhet të tregojnë rezultatet dhe, e treta, unë duhet të vazhdoj të jetoj këtu”, është shprehur Miletiq.

Ai ka thënë se drejtimi që ka ndërmarrë në politikë, për të edhe më tutje mbetet i drejtë dhe nuk do ta ndërronte.

“E vetmja mundësi është që të tërhiqem nga politika dhe kjo, jo për shkak të jetës sime, por për shkak të fëmijëve”, ka theksuar Miletiq.

Sulmin ndaj Miletiqit e kanë dënuar ashpër autorietet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë. Deri më tash nuk ka asnjë të arestuar.
XS
SM
MD
LG