Ndërlidhjet

logo-print

Miletiq: S’e kam ditur se rrezikoja jetën


Petar Miletiq (Foto nga arkivi)

Petar Miletiq (Foto nga arkivi)

Branka Mihajloviq, Radio Evropa e Lirë


"E kam ditur se rrezikoja prestigjin, njollosjen time dhe të familjes, por jo se dikush do të gjuajë (me plumba) ndaj meje", thotë Petar Miletiq, që të hënën u qëllua me plumba në pjesën veriore të Mitrovicës.

Petar Miletiq është deputet në Kuvendin e Kosovës dhe sekretar i përgjithshëm i Partisë së Pavarur Liberale, që bashkëpunon me institucionet kosovare.


RADIO EVROPA E LIRË

Si ndiheni tash?

PETAR MILETIQ
Më mirë, po marr veten.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund ta përshkruani atë që ka ndodhur?

PETAR MILETIQ
Të hënën, rreth orës 8 të mëngjesit, jam nisur të shkoj në punë. Duke u afruar te automjeti, hetova dikë që nuk e kam parë, që më kishte dal pas shpine dhe që shtiu në mua 4-5 plumba.

Kjo ka ndodhur para ndërtesës, në të cilën jetoj, në rrugën Tanas Rajiq.

RADIO EVROPA E LIRË
A foli sulmuesi?

PETAR MILETIQ
Jo. Ai gjuajti, ndërsa unë arrita të ik pas automjetit. Ai pastaj iku. Nuk e kam parë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të konkludohet se sulmuesi nuk ka dashur t’ju vrasë, por vetëm t’ju plagosë, sepse nga afërsia është shtënë në këmbë?

PETAR MILETIQ
Nuk dua të spekuloj, sepse po të shkonte plumbi një centimetër majtas ose djathtas, do të mund të godiste arterien dhe epilogu do të ishte i njëjtë, si të kishte shtënë në kokë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pavarësisht sa e keni vështirë, a keni menduar këto ditë se për kë mund të jeni pengesë?

PETAR MILETIQ
Këto ditë, sa jam i shtrirë nën kujdesin intensiv, kuptohet që kam menduar edhe për këtë. Nuk mund të përmend askënd, asnjë opsion.

Jam njeri që kurrë nuk ka apostrofuar askënd, as në aktivitetin tim politik dhe as në jetën private. E kam vështirë të besoj që dikush gjuan kundër meje, sepse i takon një opsioni tjetër politik.

Unë dyshoj në disa njerëz, por e kam vështirë ta them, sepse nuk dua të gaboj. Pastaj, këtu është hetimi që duhet të japë rezultatin dhe, në fund, unë duhet të vazhdoj të jetoj këtu.

RADIO EVROPA E LIRË
A ju është dukur i rrezikshëm pranimi i pozicionit të deputetit dhe hyrja në Kuvendin e Kosovës?

PETAR MILETIQ
Po, e kam ditur se jam duke rrezikuar, por nuk e kam ditur se jam duke rrezikuar jetën. E kam ditur se po rrezikoj prestigjin tim, njollosjen e emrit dhe mbiemrit, të personalitetit tim, familjes sime, por nuk kam supozuar se dikush do të gjuajë ndaj meje.

Unë këtë rrezik kam dashur ta marr, sepse kam menduar se në institucionet e Kosovës mund të bëhet diç e dobishme për serbët.

Ky ka qenë një nga shkaqet kryesore përse e kam pranuar këtë pozicion. Kam mundur të jetoj edhe pa të, por kam menduar se ka kuptim të jesh atje (në Kuvendin e Kosovës).

Mjerisht, dikush mendon se nuk ka kuptim dhe jo vetëm që nuk ka kuptim, porse duhet penguar edhe fizikisht ata që duan ta bëjnë një gjë të tillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kjo që ka ndodhur, a mund t’ju luhasë në përcaktimin e juaj politik?

PETAR MILETIQ
Jo, jo. Nuk mundet. Të vetmen gjë që mund ta bëjë është që të vendos të mos merrem me politikë. Drejtimi që kam marrë në politikë, mendoj se është i drejtë dhe unë nuk do ta ndryshoj.

Është e mundur që të heq dorë nga politika dhe këtë jo për shkak të jetës sime, por jetës së fëmijëve të mi.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë ju kanë porositur miqtë?

PETAR MILETIQ
Ata nuk mund të vijnë këtu, sepse jam nën kujdesin intensiv, por kam marrë shumë ftesa telefonike, mesazhe mbështetëse përmes sms. Ato kanë ardhur nga njerëzit e viseve të ndryshme.

RADIO EVROPA E LIRË
A janë paraqitur shqiptarët, serbët...?

PETAR MILETIQ
Edhe shqiptarët, edhe serbët, kroatët, boshnjakët... nga brendia, nga enklavat, nga veriu.

RADIO EVROPA E LIRË
A druani nga shkallëzimi i mëtejmë i dhunës apo mendoni se kjo mund të evitohet?

PETAR MILETIQ
Në Kosovë, kurrë nuk mund të jeni të sigurt se situata do të jetë stabile. Këtë ua kam thënë shumë herë edhe përfaqësuesve ndërkombëtarë, por edhe autoriteteve kosovare.

Sa është situatë e qetë dhe për 24 orë ajo ndryshon. Kurrë nuk mund të thoni: tash do të jetë qetë ose tash do të ketë dhunë. Këtë është vështirë ta vlerësosh.

RADIO EVROPA E LIRË
A keni kontakte me Beogradin, me zyrtarët ose ndonjë opsion politik?

PETAR MILETIQ
Kam kontakte private, zyrtare jo.

RADIO EVROPA E LIRË
A keni pasur çfarëdo kontakti me Beogradin zyrtar, me Ministrinë e Serbisë për Kosovën?

PETAR MILETIQ

Ka shumë kohë që unë i njoh njerëzit që udhëheqin Ministrinë e Serbisë për Kosovën, që nga koha kur kam punuar si gazetar.

Pra, kam pasur kontakte me ta, por vështirë që ato mund të quhen kontakte zyrtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju dëshirojmë shërim të shpejtë dhe faleminderit që intervistën e parë pas plagosjes e keni dhënë për Radion Evropa e Lirë...

PETAR MILETIQ
Dëshiroj që në fund edhe përmes jush të falënderoj personelin e spitalit në Mitrovicë - ata po kujdesen shumë për mua.

Lexoni edhe këtë:
Dënohet sulmi ndaj deputetit Miletiq
XS
SM
MD
LG