Ndërlidhjet

Tadiqi shantazhon bashkësinë ndërkombëtare


Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, në Këshillin e Sigurimit
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, në Këshillin e Sigurimit

Seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila u mbajt dje me kërkesën e Serbisë, pas incidentit në Mitrovicë, më 2 korrik, nxori në pah tentimin e Beogradit që strategjinë e saj lidhur me Kosovën, ta realizojë përmes Kombeve të Bashkuara, vlerësojnë analistë të çështjeve politike në Kosovë.

Fjalimin e kryetarit të Serbisë, Boris Tadiq, analistët e vlerësojnë si kërcënim për bashkësinë ndërkombëtare për angazhimin e saj në Kosovë.

Analisti Behlul Beqaj thotë se deklarata e kryetarit serb, Tadiq, në Këshillin e Sigurimit, ka qenë tejet ekstreme.

Behlul Beqaj

“Paraqitja e presidentit Tadiq, tregon se, sipas të gjitha gjasave, dhuna e cila ishte në rritja ditëve të fundit, në pjesën veriore të Mitrovicës, mund të ketë lidhje me qëndrimet dhe synimet politike të Beogradit”.

"Prandaj, jo rastësisht presidenti Tadiq ka dhënë një deklaratë, e cila është mjaft ekstreme, në kuptimin e mundësisë së rishqyrtimit të politikës së Serbisë karshi bashkësisë ndërkombëtare. Kjo, deshëm apo jo, duhet të pranohet edhe si një kërcënim për atë që po bën bashkësia ndërkombëtare”, thotë Beqaj.



Ndërkaq, analisti Driton Lajçi vlerëson se me thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit dhe me paraqitjen e saj në këtë seancë, Serbia po tenton që të krijojë, siç i quan ai, kinse argumente të favorshme për veten në raport me Kosovën.

Kjo, sipas Lajçit, po ndodh në një kohën të shkurtër që ka mbetur deri në shpalljen e një mendimi të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Lajçi vlerëson se kryetari serb, Tadiq, përmes deklaratës së tij ka bërë përpjekje për ta shantazhuar bashkësinë ndërkombëtare.

Driton Lajçi

“Është indirekt një shantazh, një presion që i bëri bashkësisë ndërkombëtare, që të mos vazhdojnë ta legjitimojnë pavarësinë e Kosovës, sepse ai nuk është faktor i stabilitetit, por është faktor i destabilitetit dhe kështu po dëmtohen serbët dhe po dëmtohet Serbia”.

“Do të thotë, paraqitej në rolin e viktimës dhe avokatit të viktimës, si dhe i gatshëm që të ndërmarrë hapa. Vlen të përmendet, sidomos, deklarata apo fjalimi i përfaqësuesit të Bashkimit Evropian, zotit Kermabo, i cili në mënyrë të saktë, qartë e identifikoi problematikun e gjithë këtyre zhvillimeve, kur tha se elemente ekstreme serbe, kërcënojnë dhe shantazhojnë përfaqësuesit ndërkombëtarë në veriun e Kosovës”,
vlerëson Lajçi.

Ndryshe, të dy këta analistë shprehin mendim të njëjtë se Qeveria e Kosovës duhet ta rishqyrtojë politikën e saj, siç e quajnë ata, të dështuar, në pjesën veriore të Kosovës.

Analisti Beqaj thekson:

“Në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare (Qeveria e Kosovës), duhet t’i qaset në mënyrë shumë më reale zgjidhjes së problemit në veri të Mitrovicës. Ndërkaq, presidenti Tadiq, mund të shpresojë se nga e gjithë kjo që është krijuar ditëve të fundit në veriun e Mitrovicës, mund të nxjerrë ndonjë profit për politikën e tij”.

“Por, realiteti shumë shpejt do ta demantojë, nëse akordohen synimet dhe përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare dhe Kosovës që në atë pjesë, sikurse edhe në tërë Kosovën, por edhe në Serbi dhe në Bashkësinë Evropiane, të sundojë ligji”.


Mendim të ngjashëm shpreh edhe analisti Lajçi. Ai thotë se autoritetet e Prishtinës duhet të kenë një strategji saktësisht të qartë lidhur me veriun e Mitrovicës. Kjo strategji, sipas tij, duhet të hartohet dhe realizohet në bashkëpunim me misionin EULEX.

“EULEX-i është çelësi i suksesit të Qeverisë së Kosovës. Tash për tash, është e pamundur që të depërtohet matanë lumit Ibër, pa prezencën e EULEX-it, duke marrë parasysh situatën e komplikuar, në të cilën gjendet”.

“Prandaj, një strategji e përbashkët, e përkrahur dhe e hartuar me EULEX-i dhe me përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare, do të mund të bënte një hap të vogël, por të rëndësishëm. Të jemi realist në këtë rast”
, përfundon analisti Lajçi.
XS
SM
MD
LG