Ndërlidhjet

logo-print

Mosnjohjen e termit "kosovar" nga presidenti Tadiq, analistët kosovarë e shohin si përpjekje për ndarjen e shtetit më të ri në botë.


Refuzimi i njohjes së termit "kosovar" nga ana e presidentit serb, Boris Tadiq, për analistët ka prapavijë politike.

Duke replikuar me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Skënder Hysenin, presidenti serb në seancën e së martës të Këshillit të Sigurimit tha se ai nuk e njeh “të ashtuquajturin identitet kosovar”.

Jam i sigurt, tha Tadiq, që nëse të ashtuquajturit kosovarë jetojnë si një identitet i ri në pjesët tjera të Kosovës, ata nuk janë pjesë e mjediseve me shumicë serbe.

Analisti Migjen Kelmendi sheh përtej kësaj deklarate. Ai thotë se me këtë refuzim që i bën identitetit kosovar, presidenti serb vë në pah idetë e politikës zyrtare të Beogradit për zhbërjen e shtetit më të ri në botë.

Migjen Kelmendi

“Nga vetë fakti se mohohet kosovari, njëkohësisht mohohet Kosova si shtet, ajo që i dhemb Serbisë sot është Kosova si shtet, e jo Shqipëria e madhe, jo Shqipëria etnike. Madje, pretendim i këtij establishmenti nacionalist në Beograd është Shqipëria etnike”.

“Kjo, sepse përmes Shqipërisë etnike, Serbia, më në fund, do t’i rrumbullakësonte ambiciet e veta për Serbinë etnike - për ta bashkuar atë me Republikën Serbe që i ka mbetur atje dhe ta shkëpusë një pjesë të Kosovës, në mënyrë që ta evitojë atë, që ata e konsiderojnë rrezikun më të madh për këtë shtet, e ai është ekzistenca e një shteti të ri, i determinuar si (shtet) qytetar, i barabartë dhe të gjitha etnitë e kombet jetojnë në paqe”
, shprehet Kelmendi.

Refuzimi i njohjes së shtetit të ri të Kosovës dhe termit kosovar, nga ana e Beogradit zyratr, sipas analistit Halil Matoshit, është rrjedhojë e, siç e quan ai, nacionalizmit serb.

Halil Matoshi

“Politika zyrtare e Beogradit dëshiron që ta ndajë Kosovën në vija etnike, d.m.th. që të fitojë territore nga Kosova dhe nëse ndahet Kosova, praktikisht me këtë mëtohet që të shkatërrohet edhe ideja e shtetit të Kosovës, sepse Kosova e ndarë realisht nuk mund të ekzistojë si një shtet i pavarur”
, thotë Matoshi.

Beogradi zyrtar nuk e njeh shtetin e Kosovës, megjithëse tashmë është njohur nga 69 shtete, shumica nga to vendet më të fuqishme në botë si Shtet e Bashkuara të Amerikës dhe 22 vendet e Bashkimit Evropian. Në këtë kuadër, Migjen Kelmendi thekson se refuzimi i Serbisë që të njohë çdo gjë, që ka të bëjë me shtetin e ri kosovar, është kthim në të kaluarën konfliktuoze.


“Sot Kosova, si shtet qytetar, është një fakt i së drejtës ndërkombëtare, i skenës ndërkombëtare dhe përpjekja për të mos e njohur, është përpjekje për t’u kthyer te konflikti, te metodat e tejkaluara anakronike për zgjidhjen e problemeve dhe një përpjekje retrograde drejt qasjes së Kosovës”.

“Kosova e ka një dalje dhe ajo dalje, ai cak, siç e tha edhe presidenti i Evropës, është Unioni Evropian. Dhe, do të ishte mirë që Kosova të jetë shembull edhe për Serbinë se është e mundur që një shtet të ndërtohet mbi vlera, e jo mbi gjak dhe etni, si dhe është e mundur që Kosova të ketë sukses
”, thekson Kelmendi.

Refuzimit të presidentit serb, Boris Tadiq, në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së se nuk ka identitet kosovar, por ka shqiptarë, serbë dhe komunitete tjera, ministri i Jashtëm Hyseni i është kundërvënë, duke thënë se kosovarë janë të gjithë qytetarët, pa dallim etnie.

Analisti Halil Matoshi tvlerëson se një qëndrim i tillë i Tadiqit, tregon frikën që, sipas tij, po e tregon Beogradi ndaj pranimit të realitetit të ri kosovar nga ana e serbëve lokalë.

“Pranimi i shtetit të Kosovës dhe pranimi i njëfarë kosovarizimi nga ana e serbëve të Kosovës, ia merr të gjitha argumentet qeverisë imperialistë të Beogradit. Kështu që Tadiqi tash, praktikisht, e ka kthyer krejt tehun e luftës politike për frikësimin e serbëve të Kosovës, që pas një kohe mos ta pranojnë shtetin e ri”
, vlerëson Matoshi.

Në kohët e fundit kanë qarkulluar idetë për ndarjen e Kosovës, apo edhe për shkëmbimin e territoreve. Prishtina zyrtare ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike çdo diskutim për këtë çështje, ndërkohë, që publikisht edhe Beogradi ka thënë se është kundër ndarjes.

Por, analistët politikë, theksojnë se qasja e Beogradit karshi Kosovës, si dhe deklarimet e fundit të Tadiqit në Këshillin e Sigurimit, vërtetojnë se Beogradi mëton ndarjen.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG