Ndërlidhjet

Prishtina: Serbia doli humbëse


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Autoritetet në Prishtinë e vlerësuan të suksesshme për Kosovën seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga Serbia në Këshillin e Sigurimit, ku u debatuan zhvillimet e fundit në Mitrovicë. Përfaqësuesit kosovar thanë se Beogradi dështoi ta prezantojë Kosovën si një vend jo stabil dhe se argumentet e Prishtinës, sipas tyre, vërtetuan se prapa tensioneve atje qëndron pikërisht shteti serb.


Përfaqësuesit politikë në Prishtinë vlerësuan se Beogradi nuk arriti që të fitojë pikë politike nga tensionet e javës së fundit në Mitrovicë, për të cilat dyshohet se i ka nxitur vetë Serbia.

Seancën e Këshillit të Sigurimit të thirrur nga presidenti serb, Boris Tadiq, Prishtina zyrtare e sheh si një fitore të argumenteve të palës kosovare.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha gjatë mbledhjes së Qeverisë se prezantimi i Kosovës në Këshillin e Sigurimit ishte i suksesshëm dhe demantoi politikën destruktive të Beogradit karshi zhvillimeve të fundit në Mitrovicë.
Hashim Thaçi


“Është në interes për të gjithë, siç u theksua edhe në Nju-Jork, që Beogradi të largohet dhe distancohet nga inspirimi i dhunës dhe njerëzve të dhunës në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës, sepse për ne ka qenë dhe është e papranueshme gjendja që ekziston atje”
.

“Të njëjtën kohë, pavarësisht nga opinioni i GJND-së që do të shpallet në të ardhmen e afërt për statusin e Kosovës, integriteti territorial i Kosovës ka qenë, është dhe do të mbetet i paprekshëm, i pacenueshëm”, theksoi Thaçi.


Tensionet në Mitrovicë u shtuan pas hapjes së zyrës për shërbime civile atje nga Qeveria e Kosovës. Kryeministri Thaçi ritheksoi se kjo zyrë do ta vazhdojë punën dhe shumë shpejt, sipas tij, do të rihapet edhe gjykata në veri dhe do të rifunksionalizohen doganat në pikat kufitare me Serbinë.

Në anën tjetër, opozita shprehi mendimin se Qeveria i ngatërroi hapat kur vendosi të hapë zyrën për shërbime civile.

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, tha se një zyrë e tillë, si edhe shumë funksione tjera shtetërore në veri, janë më se të domosdoshme, por, nënvizoi ai, së pari duhet të vendoset sundimi i rendit dhe ligjit, e më pas të fillojë funksionimi i shërbimeve civile.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

“Ajo që ka dalë në pah, ishte e vërteta që është ndërhyrja e Republikës së Serbisë në Republikën e Kosovës dhe çështjet e saj të brendshme, si dhe manipulimi me ndjenjat politike dhe emocionale etnike të serbëve lokalë në Kosovë”.

“Ne vlerësojmë se problemi i veriut është problem i sundimit të ligjit dhe jo problem i ofrimit të shërbimeve për qytetarët, sado që këto shërbime janë një hap i mirë i përmirësimit të jetës atje, por në rend të parë është sundimi i ligjit”,
tha Ramadani.



Për zhvillimet e fundit në Mitrovicë janë duke u vazhduar dhe hetimet për ndriçimin e rrethanave që çuan deri tek incidenti që la pas një të vdekur dhe dhjetë të plagosur.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se institucionet do t’i vazhdojnë angazhimet për të vënë rendin dhe ligjin në pjesën veriore.

Rexhepi theksoi se thirrja e KS-së nga Serbia nuk është bërë për të prezantuar gjendjen reale në terren, por me qëllimin e vetëm që të dërgojë mesazhe politike para vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se kinse Kosova nuk është stabile.

Bajram Rexhepi

“E kanë pasur në strategjinë e tyre që të dërgohen mesazhe politike para opinionit të GJND-së dhe Kosova të prezantohet si vend jo stabil dhe eventualisht ato synimet e tyre që pas opinionit të GJND-së të hapen bisedimet për status”.

“Ai debat më tepër ka qenë debat vetëm për të diskutuar dhe ka qenë një dështim i iniciativës së tyre, për arsye se edhe ato vende që neve nuk na kanë njohur, në një mënyrë e kanë dënuar incidentin dhe realisht kanë dalë humbës në këtë mbledhje të Këshillit të Sigurimit”
, theksoi Rexhepi.

Ministri i Brendshëm, Rexhepi i paralajmëroi pjesëtarët serbë në radhët e Policisë së Kosovës në veri, që ta përfillin hierarkinë e institucioneve të Republikës së Kosovës, ose në të kundërtën, ai tha se ata do të përballen me pasoja.

Për incidentet e fundit në Mitrovicë, Prishtina zyrtare ka fajësuar politikën e Beogradit si nxitëse të tensioneve, përderisa Beogradi është përpjekur që përmes alarmimit të Këshillit të Sigurimit ta paraqesë gjendjen në Kosovë si të paqëndrueshme.
XS
SM
MD
LG