Ndërlidhjet

Bler: Kosova të jetë shtet i suksesshëm


Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Toni Bler , është pritur nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Garda e Ceremoniale e FSK-së
Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Toni Bler , është pritur nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Garda e Ceremoniale e FSK-së

Pas pavarësisë, sfidat e Kosovës janë ndërtimi i institucioneve demokratike dhe perspektiva evropiane, tha në Prishtinë, ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Toni Bler. Këto komente, Bler i bëri pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.


Me të arritur në Prishtinë, ish-kryeministri britanik është pritur me nderime të larta shtetërore nga Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Bler tha se për 11 vjet që kur ai kishte qëndruar në Kosovë, kishte parë ndryshime të mëdha. Ai tha, po ashtu, se nuk ka pushuar asnjëherë që të përkrahë Kosovën që të zë vendin e saj në familjen evropiane.

Ndërkaq, mesazhi për shtetin më të ri, ishte që të ndërtojë një shtet të suksesshëm, demokratik dhe me ekonomi të zhvilluar.

“Statusi i Kosovës tash është i zgjidhur dhe çështja më e rëndësishme tash është që të sigurohemi se po ndërtohet një shtet i suksesshëm. Kjo është një sfidë dhe se statusi nuk është vetëm çështje e legalitetit, por edhe e kushteve ekonomike të jetesës që garanton për qytetarët që jetojnë në të”
, tha Toni Bler.

Ai theksoi se fakti që sot Kosova është e pavarur, e bën atë të kënaqur me politikën që ka udhëhequr në fund të viteve ’90.

“Do të ishte një gjë tmerrshme nëse perëndimi do të lejonte vazhdimin e spastrimit etnik që ndodhte atë kohë”,
theksoi Bler, duke rikujtuar se, politikat e tilla shtypëse si ajo e Millosheviqit, çdo herë kanë dështuar.

Kurse, fakti që pesë vende të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur atë, sipas Toni Blerit, nuk nënkupton që statusi i Kosovës është i pazgjidhur


Fatmir Sejdiu
Duke përmbushur dhe vendimin e presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i ndau zotit Bler “Medaljen e artë të lirisë”.

Kjo medalje, u ndahet personaliteteve politike që kanë kontribuar shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, tha presidenti Sejdiu.

Ai e siguroi mysafirin nga Britania e Madhe se Kosova është shtet i qëndrueshëm dhe se tash, kur ka vendosur raporte me vendet tjera në fqinjësi, është e gatshme që një gjë të tillë ta bëjë edhe me Serbinë.


“Të gjitha vendet që e kanë njohur Kosovën, e kanë njohur si shtet sovran dhe të pavarur dhe Kosova ka dëshmuar qëndrueshmërinë e saj si shtet. Ne dëshirojmë absolutisht të kemi marrëdhënie të mira edhe me Serbinë dhe popullin serb, dhe po ashtu them se ka shumë çështje, apo shume tema që mund të bisedohen, këto janë në interes të shteteve sovrane"
, deklaroi Sejdiu.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi, i dorëzoi ish-kryeministrit Bler një kopje të “Deklaratës së Pavërsisë së Kosovës”.

Dosja e Deklaratës së Pavarësisë (Foto arkiv)

Thaçi tha se ish-kryeministri Toni Bler dhe ish-presidenti Bill Klinton paraqesin dy personalitete që tashmë janë bërë pjesë e historisë, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Zoti, Toni Bler, kryeministër, Ju së bashku me mikun tjetër, Presidentin Bill Klinton, bartni pishtarin ndërkombëtar për lirinë e Kosovës. Prandaj, ne ju nderojmë edhe si lider, si hero i Kosovës, si institucione dhe si popull i Kosovës. Kontributi juaj ka qenë, është dhe do të mbetet historik”,
tha Thaçi.


Nesër, Toni Bler do t’i drejtohet me një fjalim edhe Kuvendit të Kosovës në një seancë plenare, e cila është thirrur për nder të tij. Më pas ish-kryeministri Toni Bler, ngjashëm sikurse edhe në vitin 1999, do t’u drejtohet edhe qytetarëve me një fjalim në qendër të Prishtinës.

Gjatë kësaj vizite, ish-kryeministrit Toni Bler, Universiteti i Prishtinës do t’ia dorëzojë çmimin “Doctor Honoris Causa”.

Po ashtu, është paralajmëruar se Bler mund të vizitojë edhe disa lokalitete të banuara me popullatë serbe.

Përndryshe, kjo do të jetë vizita e dytë e ish-kryeministrit Toni Bler në Kosovë që nga përfundimi i luftës më 1999. Por, njëherësh, është edhe vizita e tij e parë në Kosovën e pavarur.
XS
SM
MD
LG