Ndërlidhjet

Kush nuk po jep informacione për të pagjeturit?


Fotografitë e personave të pagjetur (Foto arkiv)
Fotografitë e personave të pagjetur (Foto arkiv)

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, së fundi kanë konstatuar se çështja e zgjidhjes së personave të pagjetur po ngec për faktin se siç konsiderojnë ata, edhe Qeveria e Serbisë, po ashtu edhe ajo e Kosovës, nuk po japin informacione të duhura për këta persona.

Por, zyrtarët e institucioneve të Kosovës dhe ata të Beogradit ia hedhin fajin njëra palë tjetrës për mosgatishmëri të dhënies së informacioneve.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj, thotë se Qeveria e Serbisë është ajo e cila nuk po i jep informacionet që i ka për personat e pagjetur.

Ndërsa, siç shprehet Manaj, ata që nuk kanë informacion, nuk kanë çka të japin.

“Informacionet nuk mund t’i japë ai që nuk i ka. Qeveria e Kosovës ka kaq informacione - informacione të tjera nuk ka, ndërsa është qartë e kuptueshme se qeveria serbe i ka të gjitha informacione për numrin më të madh të njerëzve, për fatin e të cilëve nuk dihet tash e 11 vjet”,
thotë Manaj.

Por, ndryshe shprehet kryetari i komisionit të Qeverisë së Serbisë për personat e pagjetur, Velko Odaloviq. Ai thotë se përmes mekanizmit të Grupit Punues, në kuadër të dialogut në mes të Beogradit dhe Prishtinës, delegacioni i Beogradit ka dhënë disa qindra dokumente dhe informata lidhur me personat e pagjetur.

“Ajo që absolutisht është e saktë, është se të gjitha dokumentet, të cilat i kemi poseduar, i kemi parashtruar në mbledhjet e Grupit Punues, përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe delegacionit të Prishtinës”.


“Pjesa më e madhe e atyre informatave është verifikuar edhe në bazë të zgjidhjes së mjaft rasteve”,
thotë Odalloviq, duke shtuar se që nga momenti kur Grupi Punues është duke funksionuar, tash e katër vjet, janë zgjidhur mbi 1500 raste të personave të pagjetur nga hapësira e Kosovës.

Nënat e personave të pagjetur (Foto nga arkivi)

“Po e përsëris se pjesa më e madhe e rasteve që janë zgjidhur, janë duke iu falënderuar informatave që ne kemi dhënë ose përmes veprimeve të drejtpërdrejta, siç kanë qenë gjetjet e varrezave masive në rrethinën e Beogradit, do të thotë në Batajnicë, Petrovo-Selo dhe Peruqa”.

“Pra, ta akuzosh Beogradin se nuk po bashkëpunon, është thjesht e pasaktë dhe nuk po e kuptoj se si dikush që i ka gjithë këto informacione, mund ta bëjë këtë”
, shprehet Odalloviq .

Odalloviq shtoi se një pjesë e madhe e dokumenteve të KFOR-it ende nuk është dorëzuar, por ajo që, sipas tij, mbetet brengosëse, është se nuk ka informata dhe të dhëna, të cilat do të duhej t’i parashtrojë pala nga ana e Prishtinës lidhur me informacionet, që eventualisht mund të gjenden në arkivat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Manaj thotë se Beogradi zyrtar, çështjen e të zhdukurve që është një çështje krejtësisht humane, e ka shndërruar në çështje politike.

“Fatkeqësisht del e konfirmuar bindja se qeveria serbe problemin e të zhdukurve të luftës së viti 1998/’99, e ka krijuar edhe me motive politike dhe e mban më tutje me synime dhe motive politike”
, thekson Manaj.

Njëjtë pohon edhe kryesuesi i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve, Haki Kosumi.

Sipas Kosumit, Qeveria e Serbisë nuk jep informacione për të pagjeturit nga Kosova, pasi që, siç thotë ai, Beogradi dëshiron ta fshehë krimin e organizuar.

“Ato të dhëna i mbajnë dhe i ruajnë me xhelozi. Është obligim i tyre t’i ruajnë ato, ngase në këtë mënyrë ata mundohen ta fshehin krimin e bërë këtu dhe normalisht që mundohen t’i ikin përgjegjësisë, me të cilën do të duhej të ngarkoheshin”,
deklaron Kosumi.

Megjithatë, Kosumi kërkon që përfaqësuesit e qeverisë, në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, t’i shtojnë përpjekjet për identifikimin dhe zbardhjen e personave që mungojnë.

Kosumi thekson se nuk mjafton vetëm të thuhet se janë duke u bërë përpjekje në këtë drejtim.

“Vërtet, nuk është duke u bërë sa duhet dhe nuk mjafton të thuhet se do të bëhet, po bëhet, por duhet shumë më tepër veprim për të arritur rezultate, për të arritur tejkalimin e kësaj gjendjeje të rëndë, në të cilën jeton një pjesë e madhe e qytetarëve të Republikës së Kosovës”
, përfundon Kosumi.

Sipas të dhënave të Komitetit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, aktualisht në Kosovë figurojnë 1860 persona të pagjetur, shumica prej tyre kosovarë, por edhe të nacionaliteteve të tjera.
XS
SM
MD
LG