Ndërlidhjet

Bler: Pavarësia e Kosovës, vendim i drejtë


Toni Bler gjatë vizitës në Kosovë
Toni Bler gjatë vizitës në Kosovë

Pavarësia e Kosovës ishte vendim i drejtë dhe ajo duhet të vazhdojë, tha në ditën e dytë të vizitës së tij në Prishtinë, ish-kryeministri britanik, Toni Bler. Derisa siguroi kosovarët se Evropa do ta ndihmojë integrimin e këtij shteti në Bashkimin Evropian, Bler u kërkoi atyre që të vendosin sundimin e rendit dhe ligjit dhe ta luftojnë korrupsionin, nëse duan ta hapin derën e BE-së.


Pavarësia e Kosovës ishte një vendim i drejtë, tha të premten para Parlamentit të Kosovës, ish-kryeministri britanik, Toni Bler. Këto komente, Bler i bëri në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë.

Duke i rikujtuar vendimet e vështira para më shumë se 11 vjetëve, që sollën intervenimin e NATO-s dhe lirinë e Kosovës, ai foli me admirim edhe për ish-presidentin amerikan, Bill Klinton, dhe vendosmërinë e tij që të ndalet spastrimi etnik në Kosovë dhe brutaliteti i regjimit të Milosheviqit ndaj popullatës civile.

Bler tha se bashkë me Klintonin besonin qysh atëherë se pavarësia e Kosovës ishte e drejtë dhe se edhe sot besojnë se kjo pavarësi duhet të vazhdojë.

Ai rikujtoi para ligjvënësve kosovarë një takim që kishte zhvilluar me presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova, në vitin 1998.

“Para se të largohej, presidenti Rugova më tha se po kërkonte vetëm një gjë nga unë: ‘Mos e lini popullin tim të vuajë më. Ndiej për të atë që do të ndieje edhe për popullin tënd dhe ndihmo’”
, citoi fjalët e presidentit të ndjerë Rugova, ish-kryeministri Bler.

“Unë i premtova, ia dhashë fjalën time se Britania e Madhe do të ndihmojë”, u shpreh Bler para Parlamentit, duke thënë se, " Tash, kur kanë kaluar 11 vjet, ende ka shumë sfida, por sot jeni shtet dhe keni 69 njohje nga shtete të ndryshme”.

“Kjo është koha kur ju duhet të vendosni për shtetin tuaj. Jo vetëm për kufijtë, por për ekonominë, vlerat e tij”,
theksoi Bler.

Miqve kosovarë, ish-kryeministri britanik u tërhoqi edhe një vërejtje serioze.

“Rendi dhe ligji nuk janë në shkallën e duhur në Kosovë”
, tha Bler.

Ndërsa Kosova aspiron integrimet evropiane, ai tërhoqi vërejtjen se kjo rrugë nuk është aq e lehtë.

“Bashkimi Evropian nuk është një klub ku mund të futeni lehtë. Standardet gjithnjë po rriten dhe se hyrja në BE do t’ju marrë kohë dhe duhet t’i respektoni rregullat. Këto rregulla nënkuptojnë rendin dhe ligjin”, tha Toni Bler.

Për këtë qëllim, ai ftoi institucionet të bashkëpunojnë me EULEX-in në mënyrë që të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni.

“Bashkimi Evropian, do të ju përkrahë në angazhimet tuaja për luftimin e korrupsionit. Nëse doni të anëtarësoheni në Bashkimin Evropian, atëherë luftimi i korrupsionit dhe vendosja e sundimit të ligjit është kusht i domosdoshëm”,
nënvizoi Bler.

Ai shtoi, po ashtu, se miqtë ndërkombëtarë që e kanë përkrahur Kosovën deri më sot, do ta ndihmojnë atë edhe në proceset integruese.

“Rezoluta e Parlamentit Evropian me referencën për liberalizimin e vizave, tregon se ju keni përkrahje të madhe në Evropë”.

Nëntë fëmijë kosovarë mbajnë emrin e ish-kryeministrit britanik Toni Bler

“Ndërtoni institucionet, zbatoni ligjin hapeni dhe zhvillojeni ekonominë dhe dera për ju në BE është e hapur”,
pohoi Bler.

Më pas, ish-kryeministri britanik bashkë me zonjën Bler, janë emocionuar mjaft shumë kur te masa e tubuar para Teatrit Kombëtar në Prishtinë kanë takuar shumë fëmijë që mbanin emrin Toni apo Toni Bler.

Pas njoftimit me “Toni Blerët” e vegjël kosovar, ish-kryeministri britanik edhe njëherë i premtoi popullit të Kosovës se angazhimi i tij për të ardhmen e këtij vendi nuk do të mungojë asnjëherë.

“Kam dy porosi për ju sot. E para është se kur ne u bashkuam në solidaritet para 11 vjetësh, e bëmë atë që ishte e drejtë. Nuk jam penduar atëherë, nuk pendohem as sot dhe se tash është e mrekullueshme ta shoh popullin e Kosovës në shtetin e vet”
, tha Bler.

Kurse, porosia e dytë, nënvizoi ai, është që ky shtet i krijuar me aq shumë vuajtje të zë vendin e vet meritor në Bashkimin Evropian.

Në orët e paradites, universiteti i Prishtinës shpalli ish-kryeministrin Toni Bler, “Doctor Honoris Causa”.

Dje, presidenti Fatmir Sejdiu i ndau atij “Medaljen e Artë të Lirisë”, kurse kryeministri Hashim Thaçi i dhuroi një kopje e “Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës”.

Gjatë gjithë kohës, Bler është pritur me nderimet më të larta shtetërore dhe me sloganin - lider, mik dhe hero i Kosovës.
XS
SM
MD
LG