Ndërlidhjet

logo-print

Policia shpërndan aktivistët e "Vetëvendosjes" në Gjilan


Policia e Kosovës ka ndërhyrë në Gjilan, për të shpërndarë një grup të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kishin bllokuar hyrjen e Kuvendit Komunal, ku pritej që këshilltarët komunalë të votonin për ndryshimin e statutit të Komunës.

Policia e Kosovës njoftoi se gjatë ndërhyrjes ka ndaluar rreth 20 aktivistë. Ndërkaq, përfaqësues të "Vetëvendosjes" thanë se gjatë aksionit të policisë janë lënduar disa aktivistë, njëri nga ta më rëndë.

Të lënduar, sipas zëdhënësit të Policisë, Ismet Hashani, janë edhe dy pjesëtarë të Policisë.

Lëvizja Vetëvendosje bllokoi hyrjen e Kuvendit Komunal për të pamundësuar mbajtjen e seancës ku do të shqyrtohej statuti i Komunës, pasi një pjesë e territorit të Komunës i është bashkuar komunave me shumicë serbe, Parteshit dhe Novobërdës, në kuadër të planit për decentralizimin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG