Ndërlidhjet

logo-print

Hyseni: Ballkani - jo peng i Serbisë


Skënder Hyseni (Foto nga arkivi)

Skënder Hyseni (Foto nga arkivi)

“Serbia nuk mund ta mbajë peng avancimin drejt BE-së të të gjithë rajonit për një kohë të gjatë dhe unë besoj se do të vijë dita shpejt kur edhe do t’i thuhet Serbisë qartë”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni. Ministri Hyseni, që ka marrë pjesë në takimin ministror të Kartës së Adriatikut A-5, thotë se me këtë pjesëmarrje, Kosovës po i jepet perspektivë e prekshme euro-atlantike. Kryediplomati kosovar do të marrë pjesë edhe në samitin e Kroacisë 2010.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti ministër, përmes jush, Kosova ka marrë pjesë për herë të parë në cilësinë e vëzhgueses në takimin e Kartës së Adriatikut, A-5. Me këtë pjesëmarrje, çfarë sinjale po jepen për Kosovën?

SKËNDER HYSENI

Me këtë pjesëmarrje dhe me ftesën për të marrë pjesë për herë të parë, Kosovës po i jepet njëfarë perspektive e prekshme euro-atlantike.

Ju e dini që Karta e Adriatikut, e themeluar shtatë vjet më parë, me nismën e sekretarit të atëhershëm të Shtetit, Kolin Pauell, dhe me nënshkrimin që atëherë patën dhënë tre ministra të Jashtëm të vendeve të Ballkanit, si: Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, kjo ishte menduar si një strukturë rajonale që do të përshpejtonte dhe lehtësonte integrimet e Ballkanit Perëndimor në NATO.

Me këtë, Kosovës po i ofrohet njëfarë perspektive e prekshme, më e kapshme, euro-atlantike. Natyrisht, unë e kam shfaqur qëllimin e Kosovës për t’u bërë anëtare e plotë e kësaj strukture sa më parë që të jetë e mundur.

Po, ajo që ka rëndësi është se ky proces tashmë ka filluar dhe Kosova patjetër që do të jetë vazhdimisht pjesëmarrëse aktive e kësaj strukture.

RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Hyseni, siç e thatë edhe ju, keni shprehur dëshirën që sa më shpejt Kosova të jetë pjesë e kësaj strukture. Por, cilat janë gjasat reale duke pasur parasysh se Forca e Sigurisë e Kosovës është ende në fillet e saj?

SKËNDER HYSENI

Kemi parasysh që Karta e Adriatikut, përkatësisht Karta SHBA-Adriatik, është një strukturë, e cila në rend të parë synon të krijojë, të ofrojë një mundësi, një forum për ofrim pikëpamjesh, për aksione të përbashkëta, për veprime të përbashkëta në planin e mbrojtjes dhe sigurisë globale.

Por, në anën tjetër, Forca e Sigurisë së Kosovës me shpejtësi të madhe po kthehet në një forcë të trajnuar sipas standardeve më të larta të NATO-s.

Dhe, me aq mundësi sa ka Kosova, në kohën e duhur do të fillojë të marrë pjesë në operacione të ndryshme paqeruajtëse në botë, pse jo shumë shpejt edhe në Afganistan.

Kosova do të ofrojë atë që ka, mundësitë që ka, natyrisht i takon komandës supreme, në këtë rast në Afganistan, nëse do ta konsiderojë të nevojshme që të shfrytëzojë edhe atë që mund të ofrojë Kosova.

Por, deri atëherë ne duhet të jemi realistë, ka ende disa pengesa politike që paraqiten para Kosovës në rrafshin e integrimeve të strukturave të ndryshme edhe këtu. Sido që të jetë, unë kam besim që të gjitha këto pengesa dhe paqartësi do të eliminohen në kohën e duhur.

RADIO EVROPA E LIRË

Zoti ministër, ju po ashtu do të merrni pjesë edhe në samitin tradicional në Dubrovnik që organizohet nga Kroacia. Çfarë prisni, në fakt, nga ky samit?

SKËNDER HYSENI

Samiti i Kroacisë 2010, ka dy-tri sesione plenare tematike. Ministrat e Jashtëm, ku do të flas edhe unë, do të përqendrohen në vizionin e ardhshëm të Evropës juglindore, përkatësisht vizionin e ardhshëm të Ballkanit Perëndimor për integrimet evropiane dhe euro-atlantike, përgjithësisht.

Është një samit tradicional, i cili sjell në të njëjtin vend përfaqësues të rajonit, përgjithësisht, dhe përfaqësues nga bota. Është një rast i mirë për të pasur takime të ndryshme bilaterale, për të këmbyer mendime dhe ide dhe gjithsesi ngjarje dhe rast i mirë për promovimin e mëtejmë të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË

Edhe këtë herë është raportuar se Serbia e bojkoton samitin për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës. Nëse vazhdohet me këtë trend, si mund të arrihet bashkëpunimi rajonal i duhur për integrimet evropiane, gjë që është edhe një nga temat e samitit?

SKËNDER HYSENI
Nuk mund të arrihet. Nga ana e Serbisë, nuk mund të arrihet asnjë lloj bashkëpunimi rajonal, nëse Serbia nuk merr pjesë dhe në vazhdimësi refuzon pjesëmarrjen në nismat rajonale.

Unë nuk do të komentoj më shumë, sepse nuk më takon mua t’i them arsyet pse Serbia bojkoton dhe gjithsesi është për keqardhje që ajo vazhdon të mbetet rob i një politike krejtësisht të gabuar, një politike e cila në vend të ofrimit dhe mirëkuptimit, advokon dhe çon mesazhe të përçarjes dhe të mospajtimeve të mëtejme të thella dhe kjo është për keqardhje - kaq mund të them.

RADIO EVROPA E LIRË

Megjithatë, sa ndikon për vendet tjera të rajonit ky bojkotim...

SKËNDER HYSENI

Nuk do të mund të ndikojë, sepse gjithsesi janë afatgjate, sepse nuk mund të mbetet i gjithë rajoni ose gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, peng i qëndrimeve të një vendi, në këtë rast i Republikës së Serbisë.

Serbia nuk mund ta mbajë peng avancimin drejt Bashkimit Evropian të të gjithë rajonit për një kohë të gjatë dhe unë besoj se do të vijë dita shpejt kur edhe do t’i thuhet Serbisë qartë.
XS
SM
MD
LG