Ndërlidhjet

logo-print

Rezoluta për Kosovën e miratuar, ditë më parë, në Parlamentin Evropian vlerësohet të jetë një mbështetje e fuqishme diplomatike për Prishtinën zyrtare dhe sinjal i rëndësishëm për Kosovën në prag të prezantimit të mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare e Drejtësisë. Analistët për çështje politike dhe njohësit e zhvillimeve ndërkombëtare në Kosovë thonë se Rezoluta, ndonëse juridikisht joobliguese, duhet të shfrytëzohet politikisht nga autoritetet kosovare.


Kërkesa e Parlamentit Evropian për njohjen e shtetësisë së Kosovës drejtuar Spanjës, Greqisë, Qipros, Sllovakisë e Rumanisë, vlerësohet të jetë sinjal i rëndësishëm që, ndonëse nuk i obligon këto shtete për të hedhur hapin për njohje, dëshmon perspektiven evropiane të Kosovës.

Analistja Verena Knaus thotë se Rezoluta për Kosovën, e miratuar të enjten në legjislativin evropian, është një mbështetje e rëndësishme për procesin integrues të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe thekson nevojën që, edhe për shkak të mungesës së pesë njohjeve nga ky mekanizëm, BE-ja të ketë konsensus sa i përket proceseve të ndryshme, siç është ai i liberalizimit të vizave për Kosovën.
Verena Knaus


“Është e vërtetë që Parlamenti Evropian nuk ka fuqi ekzekutive, ose të drejtpërdrejtë mbi këto pesë shtete anëtare”.

“Por, kjo ka dërguar një sinjal të fuqishëm dhe të rëndësishëm te qeveritë e këtyre vendeve, gjithashtu edhe te Komisioni dhe institucionet përgjegjëse evropiane që perspektiva e Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe se e ardhmja e Kosovës varet nga konsensusi”,
thotë Knaus.


Pavarësisht faktit që i mungon karakteri obligues, Rezoluta e miratuar me 455 vota për, 155 kundër dhe 28 abstenime nga ligjvënësit evropianë, sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, thekson se dokumenti në fjalë qartëson të ardhmen politike të Kosovës.

“Në kuptimin politik, ose në kuptimin e trysnisë ndaj qeverive të vendeve përkatëse, mendoj se është një sinjal shumë i fuqishëm dhe që jep krejtësisht dritën jeshile në kuptimin që Kosova nuk ka rrugë tjetër, përpos integrimit në BE dhe mbetet në përkushtimin e këtyre vendeve që ta hapin rrugën sa më shpejt që të jetë e mundur”,
vlerëson Hoti.
...është një sinjal shumë i fuqishëm dhe që jep krejtësisht dritën jeshile në kuptimin që Kosova nuk ka rrugë tjetër, përpos integrimit në BE...


Hoti thekson se Rezoluta e Parlamentit Evropian për Kosovën vjen në një kohë shumë të përshtatshme të agjendës diplomatike të vendit.

Kosova dhe Serbia janë në pritje të mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe, edhe pse, siç tha Hoti, janë të pakta gjasat që Rezoluta të merret parasysh në finalizimin e këtij dokumenti, ajo flet në favor të stabilitetit që ka sjellë me vete pavarësia e Kosovës.

“Pala serbe në procesin gjyqësor ka dhënë shumë argumente që pavarësia e Kosovës ose shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës, krijon destabilitet dhe thirrjet, në këtë moment, të Parlamentit Evropian mendoj se janë të mirëseardhura”
, shprehet Hoti.

Prishtinës zyrtare, ndërkaq, i mbetet të vazhdojë veprimet e veta në drejtim të përmbushjes së kritereve karshi integrimit në Bashkimin Evropian, vlerëson analistja Knaus.

“Mendoj se mesazhi për Qeverinë e Kosovës është: Po, ka miq në Evropë, është Parlamenti Evropian, ka një perspektivë, punoni me Parlamentin, por realizoni me të vërtetë reformat
”, thekson Knaus.

Ndryshimi eventual i qasjes së pesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian karshi Kosovës, thuhet se do të varet më shumë nga zhvillimet e brendshme politike të shteteve në fjalë.
XS
SM
MD
LG