Ndërlidhjet

Në Kosovë, 6000 përdorues droge


Në Kosovë, sipas zyrtarëve policorë, vlerësohet të jenë rreth 6 mijë përdorues të substancave narkotike. Kjo shifër, sipas tyre, është shqetësuese, marrë parasysh se numri përdoruesve po rritet çdo ditë e më shumë.

Luljeta, 25-vjeçare, ka qenë përdoruese e narkotikëve. Ajo thotë se është shëruar plotësisht.

“Kam qenë përdoruese e drogave. Kam filluar me marihuanë, kam vazhduar edhe me substanca të tjera. Por, pas përkrahjes së familjes dhe shumë peripecish, kam arritur të shërohem nga drogat. Fatkeqësisht, përdoren shumë nga të rinjtë në Kosovë”, thotë ajo.

Brahim Sadriu, zëdhënës në Policinë e Kosovës, thotë se mosha mesatare e shfrytëzuesve të narkotikëve është nga 15 deri në 35 vjeç.

“Sipas vlerësimeve të policisë, llogaritet të jenë rreth 6 mijë përdorues të drogave në Kosovë. Më së shumti përdoret marihuana, mirëpo ka tendenca të shkohet kah substancat e forta narkotike, si: heroina, kokaina... Mosha më e atakuar nga kjo dukuri sillet nga 15 deri në 35 vjeç dhe mbi 90 për qind janë të gjinisë mashkullore”,
shpjegon Sadriu.

Në anën tjetër, Safet Blakaj, udhëheqës i qendrës rehabilituese “Labirinthi”, thotë se numri i përdoruesve të substancave narkotike është duke u rritur me shpejtësi të madhe.

Gjatë ditës, këtë qendër e frekuentojnë rreth 18 përdorues të narkotikëve, të cilët kërkojnë ndihmë, por thuhet se janë të rrallë ata që i braktisin ato substanca.

“Nëse flitet për suksesshmërinë e përgjithme, atëherë kjo përqindje është e ulët”, thotë Blakaj.

Sabrie Kamberi, zyrtare në Policinë e Kosovës, bën të ditur se për luftimin dhe parandalimin e kësaj dukurie, në kuadër të policisë ekziston drejtoria e trafikimit me narkotikë.

Ajo tregon se vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti është bërë konfiskimi i 20 kg të narkotikëve të llojit heroninë dhe 56 kg të llojit marihuanë, si dhe janë arrestuar disa persona.

“Gjatë vitit 2010, pos konfiskimit të llojeve të narkotikëve, ka pasur 159 raste të raportuara, me të cilat është marrë policia, ndërsa numri i të dyshuarve është 250”, thotë Kamberi.

Së fundi, autoritetet kosovare kanë pranuar se Kosova, nga një vend transit për narkotikët, ka kaluar edhe në treg të këtyre substancave.
XS
SM
MD
LG