Ndërlidhjet

logo-print

Autoritetet vendore dhe ndërkombëtare pohojnë se situata në veri është qetësuar, por ekspertët e sigurisë thonë të kundërtën.



Ekspertët e çështjeve ushtarake dhe të sigurisë vlerësojnë se situata në veri të Mitrovicës vazhdon të mbetet e brishtë.

Ata thonë se institucionet e Kosovës duhet të fillojnë t’i rrisin masat e sigurisë, në mbrojtje të jetës së qytetarëve atje. Sipas tyre, autoritetet kosovare duhet të garantojnë sigurinë dhe tërësinë territoriale të shtetit.

Naim Maloku, ekspert për çështje ushtarake, njëherësh deputet në Kuvendin e Kosovës, thotë se për të pasur një stabilitet të situatës në veri, duhet që domosdoshmërisht të fuqizohen mekanizmat për mbajtjen e rendit dhe funksionimin e ligjshmërisë në atë pjesë të Kosovës.

Naim Maloku
“Absolutisht, situata në veri nuk është stabile. Unë mendoj që, sa më gjatë të jetë kjo situatë, e parregulluar dhe pa u shtrirë dora e ligjit dhe e drejtësisë, ajo pjesë veç sa do të shkojë në dëm të Kosovës, por edhe Serbia do të ketë dëme, edhe krejt rajoni”.

“Ajo pjesë e Kosovës po identifikohet si një vend ku nuk sundon ligji dhe drejtësia. Dhe, normalisht, është një vend joshës për strehimin dhe kryerjen e veprimeve të atyre që janë jashtë ligjit”,
thotë Maloku.

Edhe për ekspertin, Agim Musliu, situata e sigurisë në veri të Kosovës është e paqëndrueshme. Sipas tij, gjendja atje mund të jetë stabile aq sa dëshirojnë autoritetet e sigurisë në Serbi.

“Situata e sigurisë në veri të Kosovës është stabile aq sa duan instrumentet e sigurisë apo aq sa do politika serbe. Në momentin kur u duhet atyre ta destabilizojnë, ata do ta destabilizojnë dhe do të bejnë ndonjë ngjarje siç ndodhi tash”.

“Kur duhet të ngrihen tensionet, para ndonjë konference apo ndonjë vizite, sipas shkallës së prioriteteve të tyre, ata ndërmarrin hapa më të butë apo më radikalë”,
shprehet Musliu.

Ai thotë se sulmet e njëpasnjëshme në veri dëshmojnë nevojën urgjente të fuqizimit të autoriteteve të rendit atje.

Siç thotë Musliu, kjo situatë ndodh pasi që institucionet e Kosovës po e anashkalojnë vetë atë, duke mos ndërmarrë asgjë konkrete.

Prej vitit 1999/2000, kemi pasur një lloj të spastrimit etnik nga ajo pjesë e Kosovës, mbi 15 të vrarë shqiptarë etj. Kjo është kryekëput neglizhencë nga institucionet tona. Do të thotë, kjo çështje është e politizuar”.

“Unë konsideroj se politikanët tanë nuk janë në nivel dhe nuk kanë guxim që të kapen me këtë problem ashtu siç duhet. Kohëve të fundit, po dëgjoj ministrin e Punëve të Brendshme që po jep disa premtime, e që duhet t’i përmbushë”,
thotë Musliu.
Ajo pjesë është problem dhe mund t’i shkaktojë probleme afatgjate Kosovës...

Veriu i Kosovës, edhe për një kohë të gjatë, do të vazhdojë të mbetet sfidë për institucionet kosovare, thotë eksperti Naim Maloku.

“Ajo pjesë është problem dhe mund t’i shkaktojë probleme afatgjate Kosovës, për arsye se atje janë grumbulluar të gjitha elementet radikale serbe, edhe normalisht, edhe elementet shqiptare që merren me kontrabandë”, deklaron Maloku.
Unë kam kërkuar edhe në Komitetin e Sigurisë që të ketë masa shtesë të policisë në veri dhe ajo ka ndodhur...

Disa nga anëtarët e Komitetit të Sigurisë në Mitrovicë, pas incidenteve të fundit në veri, situatën atje tashmë e shohin të qetë. Behxhet Bala, anëtar i këtij komiteti, shpjegon më shumë:

“Tani, për momentin, kemi një gjendje të qetë. Unë kam kërkuar edhe në Komitetin e Sigurisë që të ketë masa shtesë të policisë në veri dhe ajo ka ndodhur. Kërkoj që masat shtesë të vazhdojnë të jenë prezente”.

Situatën e qetë në pjesën veriore të Kosovës e shohin edhe autoritetet ndërkombëtare. Përfaqësuesit e misionit evropian për sundimin e ligjit thonë se Policia e Kosovës po mban rendin në atë pjesë, duke qenë e monitoruar nga EULEX-i.

Zyrtarët e EULEX-it, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë deklaruar se janë të vendosur për të gjetur dhe sjellë para drejtësisë autorët përgjegjës për incidentin tragjik të 2 korrikut, si dhe incidentin e të shtënave të 5 korrikut.

Lexoni edhe këto:
Shpërthim në Mitrovicë, një i vrarë
Dënohet sulmi ndaj deputetit Miletiq
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG