Ndërlidhjet

15-vjetori i Masakrës së Srebrenicës

  • RFE /RL

Potoçari

Potoçari

Sot shënohet 15-vjetori i Masakrës së Srebrenicës, në të cilën paramilitarët serbë të Bosnjës ekzekutuan mbi 8000 burra dhe djem myslimanë.

Mijëra veta pritet të marrin pjesë në ceremoninë që do të zhvillohet në qendrën përkujtimore Potoçari, ku do të varrosen edhe 775 mbetje mortore, të identifikuara së voni.

Ky është varrimi më i madh kolektiv në 10 vjetët e fundit. Në mesin e 774 boshnjakvë myslimanë do të varroset edhe katoliku Rudolf Hren, i cili po ashtu humbi jetën më 11 korrik të vitit 1995.

Gjatë varrimit, pritet të marrin pjesë mbi 50 mijë njerëz, në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të lartë evropianë. Varrimi do të ndiqet edhe nga presidenti serb, Boris Tadiq.

Disa muaj më herët, Kuvendi i Serbisë ka miratuar rezolutën, me të cilën dënon masakrën e forcave serbe ndaj 8000 meshkujve myslimanë në Srebrenicë.

Rezoluta shpreh ngushëllime dhe kërkim-falje për familjet e viktimave. Megjithatë, ajo nuk flet për gjenocid, por për masakër.

Gjatë ceremonisë së sotme të varrimit, me fjalimet e tyre do të adresohen: kryetari i Bashkisë së Srebrenicës, Osman Suliq, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Bosnjë, Charles English, përfaqësuesi i lartë Valentin Inzko dhe të tjerë.

Deri më tani, në qendrën përkujtimore Potoçari janë varrosur 3749 viktima. Mbi 4000 mbetje mortore mbeten në pritje të ekshumimit dhe të identifikimit.

Masakra e Srebrenicës vlerësohet të jetë më e madhja në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. (v.t.)
XS
SM
MD
LG