Ndërlidhjet

logo-print

Sejdiu akuzon forcat ekstremiste serbe për dhunë


Presidenti Fatmir Sejdiu

Presidenti Fatmir Sejdiu

“Ende veprojnë forca krimi që vazhdojnë ta pengojnë suksesin e Kosovës, duke nxitur e duke krijuar skena dhune e terrori në pjesë të caktuara të vendit, veçmas në veri të Mitrovicës", ka thënë presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.



Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka ftuar Serbinë që të distancohet nga dhuna, ndërsa ka akuzuar, siç ka thënë ai, "forcat ekstremiste serbe" për dhunën e javëve të fundit në veri. Këto komente, Sejdiu i ka bërë gjatë fjalimit të tij vjetor para Parlamentit.

Ai tha se në veri ende veprojnë forca të krimit, që vazhdojnë ta pengojnë suksesin e Kosovës, duke nxitur e duke krijuar skena dhune e terrori.

“Ato janë drejtpërdrejt nën urdhrat e atyre që e përgjakën në mënyrë brutale Kosovën edhe në dekadën e fundit të shekullit XX”, tha Sejdiu.

Andaj, ai u bëri thirrje autoriteteve serbe të Beogradit që të distancohen nga grupet e tilla që nxisin dhunë.

"Ftoj zyrtarët e Beogradit, edhe presidentin Tadiq, të distancohen nga grupet e tilla që nxiten dhe përkrahen për të shkaktuar tensione dhe dhunë”, tha Sejdiu, duke vlerësuar se incidentet e fundit në veri, Beogradi zyrtar u përpoq t’i paraqesë si “pasojë e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës”.

Nisur nga roli negativ i Serbisë në zhvillimet në Kosovë, Sejdiu ftoi Bashkimin Evropian që t’ia bëjë të qartë Beogradit se nuk mund të anëtarësohet në BE, pa ndryshuar kursin e politikës ndaj Kosovës.

Gjatë këtij fjalimi, presidenti Sejdiu përjashtoi mundësinë e ndryshimit të kufijve në Ballkan dhe idenë e shkëmbimit të territoreve. Idetë e tilla, ai i cilësoi si shumë të rrezikshme për gjithë rajonin.

“Nga ky Kuvend, ne u themi sërish të gjithë atyre që flasin për ndryshime kufijsh dhe shkëmbime territoresh në mes Kosovës dhe Serbisë, se ne e kundërshtojmë forcërisht çdo ide të tillë të pamatur, sepse çmojmë realitetet ekzistuese në këtë pjesë të Evropës Juglindore".

"Pra, secili zot në shtëpi të vet, pasi që ne nuk kemi asnjë pëllëmbë tokë për t’i falur askujt”, tha presidenti Sejdiu, duke shtuar se idetë për lëvizje kufijsh janë gjithmonë të rrezikshme, porse "ato janë veçmas të rrezikshme në rajonin tonë".


“Burizanët e këtyre ideve duhet ta dinë se një eksperiment i tillë do të hapte Kutinë e Pandorës për krejt Ballkanin Perëndimor, sepse çështje të ngjashme mund të hapeshin lehtë në të gjitha vendet e kësaj hapësire”, tha Sejdiu.

Qëndrimet e Sejdiut janë mbështetur edhe nga kryeministri Hashim Thaçi, i cili, pas seancës, tha se presidenti serb, Tadiq, në vend se të përzihet në punët e brendshme të Kosovës, duhet të përkulet para viktimave në Kosovë, që la pas terrori i shtetit serb, ngjashëm siç bëri në Srebrenicë.

Presidenti Tadiq, ashtu siç u përul në Srebrenicë, duhet të përulet edhe para viktimave dhe vrasjeve që i ka bërë shteti i Serbisë në Kosovë, t’i kërkojë falje popullit të Kosovës, institucioneve të Kosovës dhe botës demokratike”, tha Thaçi.

Fjalimi i Sejdiut është përkrahur dhe cilësuar si përmbajtjesor nga pozita, përderisa një pjesë e opozitës ka bojkotuar seancën kur ai fliste.

Lidhja Demokratike e Dardanisë dhe një pjesë e deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës lëshuan sallën teksa presidenti Sejdiu po mbante fjalimin, duke e akuzuar atë se po shkel Kushtetutën me mbajtjen e dy posteve.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, tha se deputetët kanë vepruar mirë kur kanë lëshuar sallën.

“Me plot të drejtë, një pjesë e mirë e deputetëve mendojnë se presidenti i Kosovës po e shkel Kushtetutën. Për atë arsye, duhet t’i tregohet se ka revoltë politike të deputetëve, që t’i tregohet se nëse do ta respektojë Kuvendin, e meriton respektin e Kuvendit; nëse është e kundërta, nuk e meriton”, tha Gjini.

Ngjashëm me Gjinin, edhe iniciuesi i shqyrtimit të dy posteve të presidentit në Gjykatën Kushtetuese, Naim Rrustemi, tha se deputetët vetëm i dhanë një mesazh Sejdiut, se me mbajtjen e postit të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ai nuk përfaqëson edhe unitetin e popullit të Kosovës.

“Ky është zhvillim normal, i pritshëm i një opozite, që të reagojë me mjetet e veta demokratike. Ky është edhe një mesazh i qartë që i dërgohet presidentit të vendit, se ai nuk e shpreh unitetin e qytetarëve të Kosovës”, tha Rrustemi.

Kritikave të opozitës iu kundërpërgjigj deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, duke thënë se Sejdiu, prejse është zgjedhur president i Kosovës, ka pezulluar të gjitha funksionet në LDK.

“Presidenti i Republikës po ushtron detyrën e tij kushtetuese dhe nëse dikë e hendikepon në ushtrimin e detyrës, ajo është LDK-ja, detyrë të cilën nuk e ka ushtruar asnjëherë, detyrë nga e cila është larguar dhe detyrë të cilën e ka deleguar te të tjerët për ta kryer, që janë nënkryetarët e partisë”, theksoi Haziri.

Në fjalimin e tij, Sejdiu tha edhe njëherë se Kosova është e përcaktuar për rrugën e saj të integrimeve euroatlantike. Ndërkaq, në planin e brendshëm ai foli për rëndësinë që ka stabiliteti politik dhe ai ekonomik.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG