Ndërlidhjet

Futbolli bashkon Spanjën


Afrika e Jugut
Afrika e Jugut
Muzika, brohoritje dhe festë – vazhdon të jetë atmosfera në rrugët e Madridit dhe shumicës së qyteteve spanjolle edhe gjatë ditës së sotme, pas fitores së titullit “Kampion Bote” nga kombëtarja e Spanjës.

Ekipi spanjoll, pas fitores së mbrëmshme 1-0 ndaj Holandës, mundësoi marrjen e të parit trofe botëror në fund të “Afrika e Jugut 2010”.

Mijëra spanjollë e kanë pritur kombëtaren e tyre në aeroportin e Madridit, derisa shumë të tjerë kishin rrethuar hotelin ku ekipi po pushonte për pak orë.

“U detyrohemi shumë lojtarëve tanë. Ata janë kampion në çdo kuptim të mundshëm, profesionalisht, por, para së gjithash, si njerëz. Janë një ekip i jashtëzakonshëm”, thotë Antonio, njëri nga mijëra mbështetësit e kombëtares spanjolle që qëndronte para hotelit ku ishte vendosur ekipi kombëtar.

Ndjesia e borxhit ndaj lojtarëve që mundësuan një fitore të tillë ndihet te të gjithë ata që po festojnë në rrugët e Spanjës.

“Ata janë gjëja më e mirë në botë. Shpresoj që edhe stërnipërit e stërmbesat e mia të jenë në gjendje të jetojnë diçka të ngjashme një ditë. Nuk e di nëse do të jetë e mundur sërish”, thotë një tjetër tifoze spanjolle.

Fjalët e krenarisë ishin të shumta si nga qytetarët e thjeshtë, edhe nga politikanët. Kryeministri spanjoll e cilësoi “epike” fitoren e titullit nga Spanja.

Lojtarët u pritën mbrëmjen e sotme dhe nga mbreti Huan Karlos, derisa e shoqja e tij, princesha Sofia, ishte mbrëmë në stadiumin e Johanesburgut.

Por, duket se fitorja e titullit kampion i botës nuk mbetet vetëm brenda kufijve të sportit për Spanjën.

Titulli ka frymëzuar një ndjesi më të gjerë të bashkimit kombëtar, kur dihet se vendi është i ndarë mes rajoneve të ndryshme me identitete të dallueshme, e që disa prej tyre kërkojnë nga autonomi deri në shkëputje.

Mediat spanjolle, fitoren ndaj Holandës e kanë cilësuar si “metafora e një kombi”.

E përditshmja “El Mundo” shkruante se Spanja ishte “e bashkuar falë kampionëve të saj”.

“Imazhi i lojtarëve të Barcelonës që përqafoheshin me ata të Madridit, apo një lojtar bask që mbante një futbollist asturian në shpatulla, ka ndihmuar të shkatërrojë më shumë paragjykime se mijëra fjalime”, shkruante në numrin e sotëm “El Mundo”.

Të gjitha mediat spanjolle e kanë nënvizuar faktin se flamuri i Spanjës është parë të valëvitej si në Katalanjë edhe në pjesën baske.

Megjithatë, siç thotë gazetari bask, Florencio Dominguez, shumë njerëz “nuk shohin mospërputhje mes statusit të tyre si bask apo katalanas dhe statusit të tyre si spanjoll”.

Ai shton se “nacionalizmi nuk do të ndryshojë. Problemet territoriale apo identiteti kombëtar nuk do të zhduken nga kjo fitore sportive”.

E derisa Spanja feston, është dhe një tjetër vend që duket të jetë i mbushur me po aq krenari.

Bëhet fjalë për Afrikën e Jugut, vendin organizator të këtij kampionati. Presidenti Xhakob Zuma e ka cilësuar sukses dhe ka shtuar se investimet e bëra për organizimin e kësaj ngjarjeje sportive do të ndikojnë në rritjen e numrit të turistëve, por dhe të investitorëve.

Nuk kanë munguar fjalët e përgëzimit as nga presidenti i FIFA-s, Sep Blatter.

“Afrika tregoi se mund të organizojë Kupën e Botës dhe mund të organizojë ngjarje të mëdha. Siç e kam thënë që në fillim, kjo ishte një çështje besimi. Ne i besuam Afrikës së Jugut. Sot, ata kanë të drejtë të jenë krenarë”, tha Blatter.

E derisa Spanja e Afrika e Jugut kanë festuar, Holanda ka përjetuar në heshtje humbjen e djeshme si dhe ikjen edhe të një mundësie për ta parë veten me Kupën e Botës në dorë.

Holandezët janë ankuar për arbirtin, por, siç thuhet shpesh, historinë e shkruajnë fituesit. (i.b.)
XS
SM
MD
LG