Ndërlidhjet

Kryeministri serb, Mirko Cvetkoviq, tha disa gjëra interesante këtë javë. Pasi kam lexuar të paktën dy fjalime të tij, unë pyes veten nëse ai i kushton vëmendje realitetit apo është duke jetuar në një botë të ëndrrave.

Fillimisht, ai tha se vendi i tij shpreson të bëhet kandidat për anëtarësim në BE në fillim të vitit 2011. Kjo, sipas tyre, është më lehtë të thuhet sesa të bëhet. T’u hedhim një sy fakteve. Maqedonia paraqiti aplikimin e saj për pranim në vitin 2004, por është ende shumë larg nga arritja e ndonjë gjëje.

Ajo ka dhe problemet e veta të brendshme, përveç kundërshtimit grek për emrin. Në vitin 2004, zyrtarë të lartë të BE-së paralajmëruan Maqedoninë se po bënte hapa të nxituar drejt Unionit. Serbia do të duhej të mësonte nga një shembull i tillë.

Ka një mori problemesh me përcaktimin e afateve edhe për vendet e tjera kandidate për anëtarësim, për të cilat mund të vendosë vetëm Brukseli. Ish-kryeministri kroat, Ivo Sanader, katër vjet më parë, tha se vendi i tij do t’i bashkohej BE-së më 2007-ën. Ai vit ka ardhur dhe ka shkuar, ashtu si ka shkuar edhe karriera politike e Sanaderit.

Për më tepër, brenda Bashkimit Evropian nuk është atmosfera në favor të zgjerimit, pavarësisht se kur do ta paraqesë Serbia kërkesën. Ekziston një ndjenjë e thellë në mesin e vendeve më të vjetra dhe më të pasura – si Gjermania, Holanda dhe Franca – se Bashkimi Evropian ka bërë gabim kur ka lejuar anëtarësimin e Rumanisë dhe Bullgarisë, para se ato të jenë gati. Bukureshti dhe Sofja kanë gënjyer për angazhimin e tyre rreth zbatimit të reformave dhe luftimit të korrupsionit.

Një tjetër ndjesi edhe më e përhapur e më e thellë brenda BE-së është se një gabim edhe më i madh është bërë kur është lejuar Greqia t’i bashkohet Eurozonës, sepse Athina ka gënjyer për financat e saj.

Me pak fjalë, vendet që kanë fjalën e fundit në Bruksel nuk do të jenë të hapura ndaj idesë së anëtarësimit të vendeve të reja të Ballkanit për një kohë.

Elementi i dytë i rëndësishëm në fjalën e Cvetkoviqit është siguria e tij se BE-ja nuk do të “kushtëzojë” anëtarësimin e Serbisë në BE me njohjen e Kosovës. Ai argumentoi se vendet individuale të BE-së do t’i administrojnë politikat e tyre, por, nëse flasim për BE-në si tërësi, politikat e saj nuk janë politika "kushtëzimi".

Ndoshta kjo është ajo se si funksionojnë punët brenda BE-së në tekstet shkollore, por realiteti është një çështje tjetër. Në praktikë, disa vende anëtare të BE-së janë më të barabarta sesa të tjerat. Më konkretisht, asgjë në BE nuk ndodh pa miratimin apo nxitjen e Gjermanisë dhe Francës.

Në muajin shkurt të këtij viti, ambasadorët e këtyre dy vendeve në Beograd u kanë thënë mediave serbe se Serbia e ka humbur Kosovën përgjithmonë dhe se tani duhet të përpiqet për raporte më të mira me Republikën e Kosovës dhe me fqinjët e tjerë, nëse do që të anëtarësohet në BE.

Ambasadori i Gjermanisë, Wolfram Mass, tha se “sa i përket Gjermanisë, statusi i Kosovës është i zgjidhur. Për ne, Kosova është fqinje e Serbisë dhe raportet e mira ndërfqinjësore janë parakusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian”. Mass ka thënë se Kosova nuk mund të rikthehet nën autoritetin e Beogradit. Ai tha se do të ishte më e arsyeshme që "e gjithë energjia diplomatike dhe politike e Serbisë të fokusohet në zgjidhjen e problemeve praktike ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, siç është lufta kundër krimit të organizuar apo caktimi i fondeve për përmirësimin e infrastrukturës".

Ambasadori i Francës, Jean-Francois Terral, tha se “Franca ka njohur pavarësinë e Kosovës, ashtu siç kanë bërë 22 shtete të BE-së, dhe se kjo është një situatë e pakthyeshme. Secili duhet ta mbajë në mend një gjë të tillë”.

Ashtu si kolegu i tij Mass, ai i tha opinionit serb se Brukseli i lidh çështjet e anëtarësimit të Serbisë në BE me pranimin e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Ai theksoi se synimi kryesor është që të gjitha vendet e rajonit t’i bashkohen BE-së, duke pasur marrëdhënie të mira ndërmjet vete.

Unë dyshoj se zoti Cvetkoviq i ka lexuar këto dy intervista.
XS
SM
MD
LG