Ndërlidhjet

Institucionet mbështesin EULEX-in


Policia e EULEX-it gjatë bastisjeve në Ministrinë e Transportit (Foto nga arkivi)

Policia e EULEX-it gjatë bastisjeve në Ministrinë e Transportit (Foto nga arkivi)


Nën dyshimet për shmangie nga tatimi, Policia e EULEX-it ka arrestuar mëngjesin e së martës, këshilltarin e ministrit të Shëndetësisë, Ilir Tolajn.

EULEX-i nuk ka dhënë detaje se për cilën periudhë dyshohet se ka kryer vepra penale Tolaj, i cili gjatë kohës sa ishte ministër Alush Gashi, ka ushtruar funksionin e sekretarit permanent të Ministrisë së Shëndetësisë.

Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, ka thënë se arrestimi është pasuar edhe me bastisje në tri lokacione të ndryshme.

“Sot në Prishtinë është arrestuar Ilir Tolaj, ish-sekretar permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, i cili aktualisht punon si këshilltar i ministrit Bukoshi. Arrestimin e ka kryer Policia e EULEX-it, si dhe Policia e Kosovës, që janë pjesë e Task-Forcës anti-korrupsion në kontekst të një hetimi penal për shmangie nga tatimi”.

“Lidhur me këtë rast janë kryer bastisje në tri lokacione në Prishtinë, përfshirë një zyrë në QKUK (Qendra Klinike Universitare e Kosovës). Bastisjet janë autorizuar nga një gjyqtar i EULEX-it, i procedurës paraprake. Hetimet janë duke u kryer nga Policia e EULEX-it, nën mbikëqyrjen e zyrës së Prokurorisë Speciale”,
ka thënë Krasniqi.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës

Zyrtarë të EUELX-it kanë njoftuar ministrin Bujar Bukoshi lidhur me arrestimin e këshilltarit të tij. Kjo ministri ka ofruar bashkëpunim gjatë fazës së hetimeve.

Deri tash, sipas zëdhënësit Faik Hoti, nuk ka pasur ndonjë kërkesë specifike të EULEX-it rreth kontrollimit të mundshëm në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Sot, në mëngjes, ministri i Shëndetësisë, Bujar Bukoshi, është njoftuar nga një zyrtar i Prokurorisë Speciale për arrestimin e një prej këshilltarëve të tij - bëhet fjalë për Ilir Tolaj -.në kontekst të një hetimi penal për shmangie nga tatimi. Ministria ka ofruar mbështetje për bashkëpunim me EULEX-in dhe Prokurorinë Speciale dhe do të jetë transparente deri në fund”,
është shprehur Hoti.

Prokurorë të EULEX-it kanë njoftuar se janë duke hetuar disa ministri për keqpërdorime dhe korrupsion. Ata, në muajin prill bastisën zyrat e Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, si dhe pronat private të zyrtarëve të kësaj ministrie.

Por, lidhur me këtë rast nuk ka pasur arrestime. Tolaj është zyrtari i parë i Qeverisë së Kosovës që arrestohet nën dyshimet për keqpërdorime.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbështetur vënien para drejtësisë të të gjithë personave të përfshirë në korrupsion. Kreu i ekzekutivit kosovar ka thënë se imazhi i shtetit të Kosovës ndërtohet duke e luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Dëshiroj të theksoj se përgjegjësia është individuale, e secilit, dhe unë do të respektoj dhe do të punoj maksimalisht për zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, kudo dhe ndaj kujtdo që paraqitet”.


“Është vendosshmëria e plotë që të jemi kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar dhe të gjitha dukurive negative. Imazhi i shtetit të Kosovës ndërtohet duke e luftuar korrupsionin, prandaj, po ndodh lufta kundër korrupsionit, e cila nuk do të jetë e lehtë dhe nuk do të jetë e shkurtër. Do të jetë me vështirësi, e gjatë, por me sukses të plotë. Për këtë i garantoj të gjithë qytetarët”
, ka thënë Thaçi

Ilir Tolaj ka mbajtur edhe poste tjera drejtuese. Ai ka qenë për një kohë drejtor i Klinikës Infektive, ndërsa vite më parë, në kohën sa administrohej nga UNMIK-u, Tolaj ka qenë edhe zëvendësdrejtor i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Me ardhjen në Ministri të Shëndetësisë, ka qenë vetë Tolaj që ka ngritur shqetësime për keqpërdorime në këtë dikaster qeveritar. Ai pati thënë se kontratat e nënshkruara për furnizim me barna po e dëmtonin rëndë buxhetin e ministrisë, meqë barnat bliheshin me një çmim tejet më të lartë, sesa që ishte vlera reale e tyre në treg.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG