Ndërlidhjet


Autoritetet në Prishtinë vazhdojnë ta paralajmërojnë Beogradin se nuk do të përfshihen në asnjë proces të ri negociues për statusin, ndarjen apo shkëmbimin e territoreve.

Deklaratat e zyrtarëve të Serbisë se pas mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të pasojë një proces i ri negociues, zyrtarët në Prishtinë i shohin si deklarata për konsum të brendshëm, por edhe si deklarata që synojnë të hapin tema të reja, sidomos atë të ndarjes apo shkëmbimit të territoreve.

Hashim Thaçi

Kryeministri Hashim Thaçi përsëriti të martën se çështja e shkëmbimit të territoreve dhe ndryshimit të kufijve në Ballkan, është e rrezikshme dhe se për këtë çështje, sipas tij, nuk ia vlen të bisedohet.

“Idetë e tilla janë të rrezikshme për gjithë rajonin dhe janë të pa-akceptueshme edhe për Brukselin edhe për Uashingtonin, ndërsa për Prishtinën janë të padiskutueshme njëherë e përgjithmonë”
, deklaron Thaçi.



Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, thotë se kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm. Bisedimet me Serbinë, vijon Krasniqi, kanë përfunduar dhe tani mund të bisedohet vetëm për rregullimin e raporteve ndërshtetërore.

“Ne nuk e paragjykojmë ndarjen; këta kufij që i ka Kosova janë kufij që ekzistojnë nga viti 1953. Për ne janë të pacenueshëm dhe obligim i Kuvendit dhe institucioneve të Kosovës është të veprojnë konform Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”,
thotë Krasniqi.

Jakup Krasniqi


Kryeparlamentari Jakup Krasniqi thekson se i përkrah të gjitha angazhimet e Qeverisë për kthimin e normalitetit në veri të Kosovës, pjesë kjo që, sipas kosovarëve, tashmë është vënë në shënjestër të Serbisë.

Ndërsa kryeministri Thaçi thotë se Kosova është shtet i pavarur e sovran në gjithë territorin e saj dhe se për kufijtë e Kosovës nuk ka nevojë të diskutojë askush.




Shteti i Kosovës është sovran, i pavarur, me integritet territorial të paprekshëm, të pacenueshëm dhe të njohur ndërkombëtarisht. Ato janë deklarata, për të cilat nuk ia vlen as të diskutohet, as për të ngriten si çështje”, thekson Thaçi.

Ideja e shkëmbimit të territoreve ishte elaboruar kohë më parë në shtypin kosovar si kërkesë e Serbisë, e cila konsistonte në shkëmbimin e pjesës veriore të Kosovës me atë të Komunës së Preshevës.

Më pas, edhe analistë ndërkombëtarë kishin vlerësuar se këto janë synime të kahershme të politikës serbe, por të cilat nuk kishin gjetur një përkrahje të mjaftueshme ndërkombëtare.

Ofensiva diplomatike e Serbisë në raport me Kosovën dhe bisedimet e ardhshme, pritet të dinamizohet pas opinionit të GJND-së.

Ndërkaq pala kosovare, e mbështetur edhe në miqtë e saj ndërkombëtarë, shpreh besimin se bisedimet e ardhshme nuk do të prekin në asnjë temë që ndërlidhet me Pakon e Ahtisarit dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me integritetin dhe sovranitetin e saj.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG