Ndërlidhjet

Fjalor i ashpër Prishtinë - Beograd


Paralajmërimi i negociatave dhe vendimi i GJND-së, ka ashpërsuar retorikën mes të Prishtinës dhe Beogradit.


Një gjuhë më e ashpër kundër njëri-tjetrit është dëgjuar në javën e fundit nga liderë të Beogradit dhe të Prishtinës.

Derisa presidenti serb Boris Tadiq ka akuzuar ministrin kosovar të Punëve të Brendshme për deklarata luftënxitëse, presidenti Sejdiu ka kërkuar nga Tadiqi që të distancohet nga “ekstremistët serbë që po nxisin dhunën në veri”.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi, ka kërkuar nga Tadiqi që të përulet para viktimave të luftës në Kosovë, të shkaktuara nga regjimi i Millosheviqit.

Analistët thonë se vendimi i GJND-së për Kosovën dhe paralajmërimi i negociatave të reja mes dy vendeve, janë arsyet kryesore që kanë nxitur politikanët t’i dërgojnë mesazhe njëri-tjetrit përmes mediave.

Analisti Agron Bajrami thotë se ashpërsimi i retorikës është i natyrshëm në prag të momenteve të ndjeshme politike.

Para kemi momentin e nxjerrjes së opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe ai moment nuk është vetëm një moment, por do të sjellë edhe një fazë të re për procesin, nëpër të cilën po kalojmë - fazë e cila do të përshkruhet me një përpjekje për organizimin e një dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit nga ana e faktorëve ndërkombëtarë”.

“Është e natyrshme, është e pritshme që të nxehet debati politik në të dy anët në pritje të këtij momenti të shpalljes së opinionit të GJND-së, dhe në kuadër të pozicionimit për bisedimet, që pritet dhe thuhet se patjetër duhet të ndodhin pas GJND-së
”, vlerëson Bajrami.

Në anën tjetër, Krenar Gashi, nga Instituti KIPRED, vëren se mbase për herë të parë, politikanët shqiptarë dhe serbë po i dërgojnë mesazhe njëri –tjetrit, ndërkohë që deri tani, në vend të kësaj, sipas tij, kishte një injorim të ndërsjellë.
Krenar Gashi


“Fakti që liderët e të dy vendeve kanë filluar ta përmendin njëri-tjetrin dhe të dërgojnë mesazhe përmes medieve, është absolutisht i arsyeshëm”.


“Tavolina e bisedimeve për politikanët është një lloj dueli, para të cilit është e natyrshme të komunikohet kësisoj”
, thotë Gashi.


Mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare është paralajmëruar se do të jepet gjatë këtij muaji. Pas vendimit, thuhet se do të pasojnë negociata mes Prishtinës e Beogradit për çështje teknike.


Agron Bajrami hedh dyshime se në tryezë palët do të jenë të detyruara që të bëjnë koncesione. Kjo, sipas tij, edhe bën që ata të ashpërsojnë fjalorin politik, në mos për tjetër, atëherë për konsum të brendshëm.
Tadiqi në Serbi ka nevojë të tregohet si një patriot i madh, në kohën kur ai gradualisht po i afrohet momentit kur do të bëjë koncesione të mëtutjeshme ndaj Kosovës...


“Njerëzit në pushtet në të dy vendet, në prag të proceseve që mund të çojnë në koncesione dhe kompromise të mëtutjeshme, kanë nevojë të shprehen më patriotë se zakonisht. Pra, deklaratat mendoj unë shërbejnë më shumë për përdorime të brendshme politike”.

“Tadiqi në Serbi ka nevojë të tregohet si një patriot i madh, në kohën kur ai gradualisht po i afrohet momentit kur do të bëjë koncesione të mëtutjeshme ndaj Kosovës, për shkak se shtohet presioni edhe nga Bashkimi Evropian edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një gjë të tillë”.

“Në anën tjetër kemi liderët tanë, të cilët po e shohin se çështja e veriut nuk do të rregullohet siç është paraparë me Pakon e Ahtisaarit. Por, Prishtina do të duhet të japë edhe ndonjë koncesion më shumë për serbët në atë pjesë”
, shprehet Bajrami.

Nëse nuk do ketë ashpërsim të mëtejmë të këtij fjalori të liderëve nga të dy kryeqytetet, Krenar Gashi shpreh mendimin se debati, megjithatë do prodhojë rezultat pozitiv.

“Pa dashur të analizoj përmbajtjen e këtyre deklaratave, unë do ta analizoj vetëm fenomenin dhe fenomeni është pozitiv, sepse shpie deri te një nxehje paraprake e politikanëve të të dyja vendeve për tavolinën e bisedimeve”.

“Të dy vendet, më në fund, kanë filluar të komunikojnë. Është një gjë pozitive se të dy vendet kanë filluar ta njohin, dhe të flasin për njëri-tjetrin”
, thekson Gashi.

Retorika e ashpër mes Prishtinës dhe Beogradit ka pasur dhe incidentet në pjesën veriore të Kosovës, ku nga një shpërthim u vra mjeku boshnjak, Mesud Gjehoviq, ndërsa ditë më pas u plagos deputeti i Kuvendit të Kosovës Petar Miletiq.

Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi tha se shpërthimi në protestën e serbëve, mund të jetë shkaktuar nga vetë protestuesit, ndërkohë që paralajmëroi dërgimin e njësive speciale të policisë për të kthyer sundimin e ligjit në veri.

Kjo deklaratë u cilësua nga Beogradi si luftënxitëse. Ndërkohë, Zyra Civile Ndërkombëtare, i ka bërë thirrje Prishtinës e Beogradit të përmbahen nga deklaratat që mund të shkaktojnë shqetësim te banorët.
XS
SM
MD
LG