Ndërlidhjet

Vetëm 30 për qind punë


Ligjvënësit kosovarë
Ligjvënësit kosovarë

Kuvendi i Kosovës në vitin 2009 nuk ka mundur të realizojë mbi 70 për qind të planit të punës, thuhet në një studim të “Forumit 2015”, që vë në pah vonesat në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive, me të cilat institucionet ngarkohen me Kushtetutë. Publikimi i studimit ka nxitur debate mes vetë deputetëve në pushtet, nga të cilët kanë rrjedhur dhe kritika për vetë ekzekutivin dhe legjislativin.



Publikimi i një studimi nga “Forum-2015”, mbi vonesat kryesore të institucioneve të Kosovës në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre, është shndërruar në polemikë ndërmjet deputetëve në pushtet.

Studimi që vë në pah moskryerjen e punëve kryesisht në drejtësi dhe legjislativ, ka shkaktuar pakënaqësi te deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rexhep Hoti, i cili problemet e trajtuara në studim, i ka cilësuar si të tejkaluara.
Shumica e ligjeve janë të tejkaluara... Ju po flisni për gjëra që kanë shkuar realisht


“Shumica e ligjeve janë të tejkaluara. Shumica e problemeve që ju i cekët rreth Qeverisë, janë tejkaluar - nuk keni hyrë në probleme reale dhe nuk e kuptoj përse. Do të doja të flisja këtu për qeverisjen valide që ka Qeveria e Kosovës. Ju po flisni për gjëra që kanë shkuar realisht”,
është shprehur Hoti.

Por, vetë nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh deputet i Kuvendit, Rrustem Mustafa, ka kritikuar organet ekzekutive dhe legjislative për mospërmbushje të detyrave që dalin nga Kushtetuta e Kosovës.

“Ka shumë ligje në Kuvendin e Kosovës që janë proceduar, ne i kemi miratuar, por ato nuk janë funksionalizuar. Do të thotë duhet gjetur tash edhe një problem tjetër; se çka po ndodh me ato ligje që ne i kemi miratuar, e që nuk po zbatohen”.
mungojnë kapacitetet, mungojnë njerëzit që organizojnë kapacitetet ekzistuese në vendin tonë, qofshin edhe në Qeveri, edhe në të gjitha institucionet e tjera...


“Po shkoj edhe më larg - ne e kemi të aprovuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e që nuk është funksionale në gjithë vendin. Krejt çka dua të them është se mungojnë kapacitetet, mungojnë njerëzit që organizojnë kapacitetet ekzistuese në vendin tonë, qofshin edhe në Qeveri, edhe në të gjitha institucionet e tjera”,
ka thënë Mustafa.

Deputeti Rrustem Mustafa, nuk ka kursyer kritikat edhe për ministrat nga radhët e partisë së tij, si ai i Ekonomisë dhe i Arsimit, duke vlerësuar se ata nuk janë personat e duhur për të mbajtur ato poste.

“Jemi munduar që në Qeveri t’i gjejmë njerëzit më të mirë që dinë t’i organizojnë mirë kapacitetet. Ekonomia e zhvillimi nuk është prej një njeriu të duhur sado që personi ka studiuar jashtë – e kam fjalën për ministrin e Financave - nuk po arrin t’i organizojë këto kapacitete. Ka rrezik edhe të mbyllen bizneset
”.

“Të flasim edhe për edukimin, që ne e kemi lënë si prioritet dhe është shumë mirë. Mirëpo, edukimi nuk duhet kuptuar si ndërtim i shkollës. Edukimi nuk duhet të kuptohet si ndërrim i terminologjisë prej plan-programit në kurikula, nuk është e rëndësishme fare se si e formon. Vendi ynë ka nevojën për fuqi dhe kapacitete pak më ndryshe”,
ka theksuar Mustafa.

Raporti i nga “Forum-2015”, vë në pah se Kuvendi i Kosovës në vitin e kaluar nuk ka arritur ta realizojë 71.5 për qind të planit të punës.

Deputetja nga radhët e partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Gjylnaze Syla, ka thënë se edhe në vitin 2010 mund të përsëritet e njëjta gjë.
Nëqoftëse 2009-ën është realizuar 29 për qind e punës, ndërsa nuk është realizuar 71 për qind... kjo duhet të jetë alarmuese...


“Nëqoftëse 2009-ën është realizuar 29 për qind e punës, ndërsa nuk është realizuar 71 për qind, dhe 2010 aktualisht kur duhet të priten 123 projektligje të miratohen, megjithëse nuk dihet ende e dhëna se sa do të jetë, meqë jemi brenda muajit korrik, por jam e bindur se do të jetë përafërsisht e njëjtë, kjo duhet të jetë alarmuese sidomos për përfaqësuesit e Qeverisë, deputetët dhe për gjyqësorin”,
është shprehur Syla.

Ndër dhjetë vonesat kryesore që janë theksuar në studimin e “Forum- 2015”, janë mungesa e legjislacionit në sistemin gjyqësor, numri i madh i lëndëve ta pazgjidhura nëpër gjykata, vonesa në riemërimin e gjykatësve dhe prokurorëve, si dhe mungesa e shumë ligjeve të rëndësishme.


Eksperti për çështje ligjore, Kujtim Kërveshi, ka theksuar se këto probleme po shkaktohen si pasojë e ngërçit që po has Kosova në këtë periudhë tranzicioni.
Ka një numër të ligjeve që janë tejet të politizuara, kjo për faktin se Kosova ende nuk ka gjetur një rrugëdalje në tranzicionin e saj ligjor.


“Shumica e ligjeve në Kosovë kanë vonesa, për shkak të mungesës së kapaciteteve njerëzore për të pasur ligje cilësore. Është krijuar praktikë, është krijuar normë në institucione të Kosovës që ligjet të fabrikohen shpejt, të dërgohen në Kuvend dhe Kuvendi të miratojë procedurë të shpejtë. Pastaj, me vite të tëra ngelen të pazbatuara".


"Ka një numër të ligjeve që janë tejet të politizuara, kjo për faktin se Kosova ende nuk ka gjetur një rrugëdalje në tranzicionin e saj ligjor”,
ka vlerësuar Kërveshi.
XS
SM
MD
LG