Ndërlidhjet

Shahram Amiri – një histori spiunazhi?

  • RFE /RL

Pamje nga video, në të cilën njeriu që e identifikoi veten si Amiri, thoshte se ishte rrëmbyer nga CIA dhe agjentët e Arabisë Saudite.

Pamje nga video, në të cilën njeriu që e identifikoi veten si Amiri, thoshte se ishte rrëmbyer nga CIA dhe agjentët e Arabisë Saudite.

Shkencëtari irnaian ka udhëtuar drejt Iranit, derisa debati për fatin e tij vazhdon.

Historia e Shahram Amirit, shkencëtarit iranian, duket si e dalë nga romanet e spiunazhit.

Ambasada e Pakistanit në Uashington, që mbulon dhe interesat iraniane në këtë vend, pohoi se një person që pretendonte se ishte Shahram Amiri u paraqit ditë më parë në këtë ambasadë dhe kërkoi të largohej drejt Iranit, pasi ishte rrëmbyer nga Shtetet e Bashkuara.

Zyrtarët amerikanë nga ana e tyre pohuan se Amiri ka qenë gjithmonë i lirë për t’u larguar në vendin e tij.

Shkencëtari iranian u zhduk në Arabinë Saudite, derisa merrte pjesë në peligrinazhin drejt Mekës. Qeveria iraniane prej kohësh deklaron se Amiri u rrëmbye nga agjentët e CIA-s.

Hillari Klinton
Qeveria amerikane kryesisht ka zgjedhur heshtjen lidhur me rastin e Amirit, deri në deklaratën e një dite më parë të Sekretares së Shtetit, Hillari Klinton.

“Zoti Amiri ka qenë në Shtetet e Bashkuara me vullnetin e tij të lirë dhe është po ashtu i lirë që të largohet”, deklaroi Klinton.

Lajmi se Amiri kishte kërkuar strehim u bë së pari publik nga televizioni iranian, i cili shtoi se Teherani po bënte të gjitha përpjekjet për kthimin e tij.

Mediat iraniane kanë theksuar se Shtetet e Bashkuara shpresojnë në një kthim pa zhurmë të Amirit, në mënyrë që të mbulohet historia e rrëmbimit.

Zhvillimet në ambasadë janë të fundit në morinë e mistereve që kanë rrethuar identitetin e vërtetë dhe vendndodhjen e Amirit për më shumë se një vit.

Në qershor, televizioni iranian transmetoi një video, në të cilën njeriu që e identifikoi veten si Amiri, thoshte se ishte rrëmbyer nga CIA dhe agjentët e Arabisë Saudite më 3 qershor të 2009-ës.

“Quhem Sharam Amiri. Sot është 5 prill, 2010, dhe gjendem në Taskoni të Shteteve të Bashkuara, pasi jam rrëmbyer nga forcat amerikane dhe saudite”.

“U rrëmbeva në Medina të Arabsië Saudite, më injektuan diçka dhe për pasojë isha i pavetëdijshëm për disa ditë, derisa më transferuan në Shtetet e Bashkuara. Këtu, gjatë tetë muajve, kam qenë subjekt i torturave”,
thuhej në videon e televizionit iranian.

Pak ditë më vonë, në një tjetër video, një person që dukej i njëjtë me atë të videos të transmetuar në Iran, u shfaq në YouTube.

“Jam në Amerikë dhe synoj të vazhdoj arsimimin tim në këtë vend. Jam i lirë dhe i siguroj të gjithë se jam i sigurt”, deklaronte një tjetër person i identifikuar si Amiri.

Lufta e videove vazhdoi, por Reul Mark Gereht, specialist për Lindjen e Mesme dhe ish-pjesëtar i shërbimeve të fshehta të CIA-s, thotë:

“Padyshim se CIA nuk e ka rrëmbyer, pasi agjencia nuk bën gjëra të tilla. Nuk është produktive për ta të bëjnë veprime të kësaj natyre”.

Ai shton se vendimi i Amirit për t’u kthyer në Iran mund të lidhet me kërcënimet që mund t’u jenë bërë të afërmve të tij, apo thjesht një ndjenjë nostalgjie e malli.

Gereht nënvizon se cilado qoftë arsyeja e kthimit të Amirit në Iran, nuk do të jetë lehtë. Qeveria iraniane mund ta përdorë për pak kohë për interesa propagandistike e më pas do të ashpërsojë qëndrimin ndaj tij.

Deri atëherë, kjo histori duket se do të jetë në vëmendjen e mediave edhe për disa kohë. (i.b.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG