Ndërlidhjet

Sejdiu: GJND s'do të jetë kundër vullnetit të qytetarëve


Fatmir Sejdiu
Fatmir Sejdiu

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë sot se askush nuk do ta rrëzojë vendimin për pavarësinë e vendit. Ai ka theksuar se nuk dëshiron të prejudikojë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili pritet të jepet në fund të këtij muaji.

Presidenti Sejdiu ka shprehur besimin se GJND-ja nuk do të dalë kundër vullnetit të qytetarëve për liri dhe shtet të pavarur.

“Rreth GJND-së unë s’duhet të paragjykoj asnjëherë se cila do të jetë formula në shprehjen e mendimit final. Por, them gjithmonë se argumentet e Kosovës janë të bazuara. Për ne është me rëndësi se Kosova është një realitet pozitiv, i ndërtuar me vullnetin e qytetarëve të saj dhe i dhënë në verdiktin e 17 Shkurtit të 2008”.

“Pra, një realitet që nuk kthehet asnjëherë në vullnetin që dikush mund të ketë një vullnet të anti-natyrshëm për të cenuar lirinë e dikujt. Ne do zhvillohemi dhe do të jetë një ecje e suksesshme, them shans i barabartë për të gjithë qytetarët e saj”
, ka thënë Sejdiu.

Ndërkohë, Tibor Varadi, që drejton ekipin ligjor të Qeverisë së Serbisë, ka thënë se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do ta japë opinionin e vet rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës mes 22 e 27 korrikut.

Për mediat serbe Varadi ka theksuar se pyetja që i është shtruar Gjykatës për mendim, është shumë e drejtpërdrejtë dhe e tillë duhet të jetë edhe përgjigjja.

Varadi ka sqaruar se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së nuk ka detyrim të organizojë debat pas vendimit të GJND-së.

XS
SM
MD
LG