Ndërlidhjet

Kërkohen 12 muaj pushim lehonie


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Flora Gashi, nënë e një vajze pesëvjeçare, ka punuar në një ndërmarrje private deri në kohën e lindjes. Tridhjeteshtatëvjeçarja pas kësaj periudhe ka ndërprerë punën, për shkak se punëdhënësi nuk i ka dhënë pushim, por as që e ka paguar për ndonjë muaj të pushimit të lehonisë.

Flora tregon se tashmë ka gjetur një punë stabile, por për të lindur fëmijë të tjerë, nuk mendon për shkak të pushimit të shkurtër të lehonisë.
Do të ishte mirë që ne t’i kemi 12 muaj dhe të kemi mundësi që t’i rrisim fëmijët ashtu siç i rrisin nënat në të gjitha vendet e rajonit...


“Kam frikë të kem edhe një fëmijë tjetër. Pavarësisht dëshirës së madhe që kam, nuk mundem për shkak se ligji aktual është diskriminues dhe nuk parasheh favore për nënat”.

“Do të ishte mirë që ne t’i kemi 12 muaj dhe të kemi mundësi që t’i rrisim fëmijët ashtu siç i rrisin nënat në të gjitha vendet e rajonit”,
thotë zonja Gashi.


Edhe Kushtrim Kçiku, vlerëson se Ligji i punës, në të cilin përfshihet pushimi i lehonisë, është diskriminues. Sipas Kçikut, periudha e pushimit prej tre muajsh po i diskriminon jo vetëm lehonat, por edhe vetë fëmijët e lindur.
...tre muaj është shumë pak, dhe është diskriminim edhe për foshnjën...


“Do ta shqyrtoja mundësinë që gruaja ta ndërpresë punën, së paku një vit, derisa foshnja të arrijë zhvillimin fillestar, sepse tre muaj është shumë pak, dhe është diskriminim edhe për foshnjën”,
shprehet Kçiku.

Ndryshe, Ligji i punës, e konkretisht çështja e pushimit të lehonisë, ka kohë që është bërë temë debatesh nga shoqëria civile, por edhe nga vetë deputetet e Kuvendit të Kosovës.

Ky projektligj tashmë ka kaluar leximin e parë në Kuvend, megjithëse Grupi Joformal i Grave Parlamentare parasheh që ky projektligj duhet të ndryshojë, me qëllim të plotësimit të nevojave minimale të qytetarëve.

Ndër amendamentet e propozuara nga Grupi i grave deputete për projektligjin e punës, thuhet se femra e punësuar duhet të gëzojë të drejtën për pushim të lehonisë në kohëzgjatje prej 12 muajsh me pagesë.

Flora Brovina, nga ky grup shpjegon se në çfarë formash duhet të bëhet pagesa.
Flora Brovina


“Gjashtë muajt e parë, pagesa është 80 për qind e të ardhurave mesatare, prej të cilave 80 për qind e këtyre të ardhurave, të paguhet nga punëdhënësi, ndërsa 20 për qind nga buxheti i shtetit”
.

“Në gjashtë muajt e dytë, pagesa duhet të jetë 60 për qind e të ardhurave, ku 80 për qind do ta paguajë punëdhënësi, kurse 20 për qind shteti”,
shpjegon Brovina.



Megjithatë, në bazë të nenit 48 të Ligjit të punës, pushimi i lehonisë parashihet të zgjasë 12 javë.

Edhe organizatat joqeveritare e kundërshtojnë ashpër këtë nen. Shpend Ahmeti, nga Instituti për Studime të Avancuara “GAP”, pohon se 12 javë nuk është as minimumi që kërkon Organizata Ndërkombëtare e Punës.

Shpend Ahmeti

“Sipas Konventës Ndërkombëtare të vitit 2000, është 14 javë dhe jo 12 javë. Do të thotë ne kemi shkuar nën minimumin e kërkuar nga kjo organizatë. Ky ligj është në kundërshtim me Ligjin e Kuvendit të Kosovës, për nxitjen dhe mbrojtjen e të ushqyerit me qumësht gjiri”.

“Sipas deklaratës së Inocentit, e cila përkrahet nga ky nga ky ligj i aprovuar nga Kuvendi i Kosovës, kërkohet që të ushqyerit me qumësht gjiri të vazhdohet prej katër deri në gjashtë muaj pas lindjes së foshnjës”,
thekson Ahmeti.


Edhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, disa herë kanë shprehur shqetësimin e tyre për pushimin e lehonisë, ndërsa të martën kjo sindikatë ka bërë dorëzimin e rekomandimeve në Komisionin për Punë dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës, për përmirësime në Ligjin e punës, e konkretisht te neni 48, që rregullon çështjen e pushimit të lehonisë.

Në anën tjetër zyrtarë qeveritarë thonë se projektligji i punës, është përgatitur sipas standardeve ndërkombëtare, kurse pushimi i lehonisë, sipas konventave ndërkombëtare, në të gjitha shtetet zgjat 14 javë, por shteti përkatës, sipas tyre, këtë çështje e rregullon varësisht nga mundësitë financiare.
XS
SM
MD
LG